Qeveria negocion kushtet e PSD-së për buxhetin

07 janar 2019 | 14:14

Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar kërkesat e opozitës të parashtruara si kusht për votimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2019.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar në parim Projektligjin për buxhetin.

Ndonëse koalicioni qeverisës nuk ka marrë mbështetjen e dy partive me të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, një mbështetje të kushtëzuar ka marrë nga subjekti i tretë opozitar, Partia Socialdemokrate (PSD), çka ishte e mjaftueshme që të miratohej në leximin e parë.

Kjo e fundit ka paraqitur pesë kërkesa në mënyrë që deputetët e saj të votojnë edhe në lexim të dytë këtë projektligj.

Zyrtarë të Qeverisë, i kanë thënë “Radios Evropa e Lirë” se nga mesi i këtij muaji pritet që Projektligji për buxhetin të prezantohet për lexim të dytë në Kuvend dhe miratim final.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se shpreson që projektligji do t’i marrë votat e mjaftueshme, pasi sipas tij, janë në përfundim të shqyrtimit të kërkesave të Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Ai ka thënë se disa nga kërkesat e PSD-së, mund të plotësohen deri në leximin e dytë në Kuvend.

“Disa kërkesa kërkojnë kohë më tepër, së pari duhet të miratohet buxheti dhe ato mbesin në procedurë të realizimit të tyre. Kështu që, shumica janë marrë në konsiderim dhe janë duke u shqyrtuar, kurse disa janë duke u përgatitur paralelisht që të miratohen në të njëjtën seancë kur miratohet buxheti i këtij viti”, ka thënë Shatri.

Partia Socialdemokrate (PSD) ka parashtruar pesë kërkesa, si kusht për votimin e buxhetit.

Aty kërkohet që Ligji për pagat të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të projektbuxhetit, me theks të veçantë në kërkesat e sektorit të shëndetësisë, Ligji për dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend, Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim në një afat prej tre muajve, pastaj kërkohet funksionalizimi i plotë i Ministrisë së Bujqësisë dhe lirimi nga detyra i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo si dhe i tërhiqet vërejtja Qeverisë se projektbuxheti është i ngarkuar së tepërmi me skema sociale e beneficione pensionale.

“Pa realizimin e këtyre kërkesave, të paraqitura edhe në seancën e fundit, nuk do ketë vota për buxhetin”, ka thënë në një përgjigje me shkrim për “Radion Evropa e Lirë”, Dardan Sejdiu, shef i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Kosovës.

Kurse, partia tjetër opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës edhe njëherë ka konfirmuar se nuk do të votojë buxhetin e projektuar për vitin 2019.

Hykmete Bajrami deputete nga radhët e LDK-së, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se projektbuxheti aktual është ndarë sipas interesave partiake dhe jo në favor të zhvillimit ekonomik apo rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

“Thjeshtë është një buxhet i cili është ndarë në baza grupore dhe partiake, për interesa partiake të koalicionit qeverisës. Pra, shihet se është komplet pazar. Tashmë është parë se edhe votat e Partisë Socialdemokrate janë marrë pothuajse me shantazh. Kështu që ne konsiderojmë se ky projektbuxhet si i tillë, i shantazhuar nga 23 parti të koalicionit qeverisës, nuk është në favor të qytetarëve”, ka thënë Bajrami.

Votën kundër Projektligjit për buxhetin e vitit 2019 e kanë paralajmëruar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilëve, ky projektim i buxhetit nuk adreson problemet e papunësisë e varfërisë dhe nuk është buxhet i cili premton zhvillim ekonomik.

Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual, pritet që të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro. Nga kjo shifër, rreth 770 milionë euro janë paraparë për investime kapitale.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bukuroshja italiane Valentina Fradegrada është një nga blogeret më në…