Qeveria për 9 muaj shpenzoi 27.3 milionë euro për udhëtime zyrtare, thirrje telefonike dhe derivate të naftës
Kosova mund të mos ketë institucione funksionale, por drejtuesit e saj s’kanë asnjë pengesë për bërë shpenzime marramendëse nga buxheti i shtetit. Bëhet fjalë për shpenzimet e luksit, të cilat për periudhën janar-shtator 2025 arrijnë për mbi 27 milionë euro, raporton portali FrontOnline.
Sipas raportit nëntë mujor të buxhetit të këtij viti përgatitur nga Ministria e Financave, drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës kanë shpenzuar 8.6 milionë euro për udhëtime zyrtare, hiç më pak se 3.8 milionë euro kanë arritur shpenzimet telefonike gjatë kësaj periudhe kohore, përderisa rreth 15 milionë euro për nëntë muaj kanë shkuar shpenzimet për derivate të naftës. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për periudhën janar-shtator 2025 institucionet e Kosovës kanë shpenzuar 27.3 milionë euro për udhëtime zyrtare, thirrje telefonike dhe derivate të naftës.
Krahasuar me vitet paraprake, kjo është rritje e pastër e luksit. Në 2023 u harxhuan 7.2 milionë për udhëtime; në 2024 – 8.8 milionë; e sivjet shifra i kalon të gjitha, ndonëse shpenzimet janë llogaritur vetëm nga muaji janar deri tek muaji shtator.
Edhe telefonatat e institucioneve janë bërë më të shtrenjta, nga 3.3 në 3.8 milionë euro. Më shumë shpenzime janë realizuar edhe për derivatet e veturave zyrtare.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, për FrontOnline, ka dhënë kritika ndaj mënyrës se si po menaxhohen financat publike, duke e cilësuar trendin e shpenzimeve të fundit si të tepruar dhe të papërgjegjshëm.
“Trendi i shpenzimeve enorme, këtyre shpenzimeve që janë nga kategoria mallra dhe shërbime, e që lidhen me udhëtime jashtë vendit, për dreka zyrtare, për shpenzime të derivateve, shuma e pagesave për vendime gjyqësore, këtyre përmbaruesve privatë – në këtë mënyrë buxheti është shpenzuar në mënyrë jo-racionale”, ka deklaruar Shatri.
Sipas tij, një pjesë e mirë e këtyre mjeteve janë përdorur pa arsye të qëndrueshme ekonomike dhe jashtë logjikës së kursimit publik.
“Janë bërë shpenzime për pika të qejfit si shumë herë dhe të pa nevojshme”, ka theksuar ai.



