
Qeveria shpall faljen e të gjitha gjobave të vendosura ndaj qytetarëve dhe bizneseve nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024
Vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 11 majit, qeveria ka marrë një vendim të papritur, duke shpallur faljen e të gjitha gjobave të vendosura ndaj qytetarëve dhe bizneseve në periudhën nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024.
Sipas këtij vendimi, falja përfshin gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoratet Vendore dhe Kombëtare të Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për aq kohë sa këto gjoba nuk janë paguar ende.
Ndër të tjera, falja përfshin edhe gjobat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, si dhe ato që lidhen me ndërtimet pa leje për banim ose përdorim bujqësor.
Qytetarët dhe bizneset që kanë gjoba të pashlyera duhet t’i përgatisin dhe dorëzojnë listat përkatëse pranë drejtorive tatimore vendore brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, në mënyrë që të përfitojnë nga falja dhe gjobat të hiqen nga sistemi.
Ky vendim ka ngjallur diskutime në publik, duke ngritur pyetjen: A është kjo një masë e sinqertë për lehtësimin e barrës financiare mbi qytetarët, apo një përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve?