
Qeveria shpall listën e ngushtë të kandidatëve 44 ditë pasi e emëroi zyrtarin në pozitë
Agim Muqaj, një i emëruar në prill të këtij viti në pozitën e anëtarit të bordit të kompanisë së ujësjellësit në Prizren, ndodhet në listën e ngushtë të kandidatëve për t’u rekrutuar për pozitën e njëjtë. Absurditeti qëndron te fakti se vendimi është marrë 44 ditë para se të shpallej lista e ngushtë e kandidatëve.
Më 29 maj 2025, u shpall lista e ngushtë e kandidatët të përzgjedhur për intervistë me gojë për pozitën e një drejtori të Bordit të Ndërmarrjes Publike të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A., në Prizren.
Procesin rekrutues për këtë pozitë e udhëheq Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Sipas një dokumenti të publikuar më 29 maj, kandidatët në listë të ngushtë janë dhjetë: Vildane Maloku, Erdin Kirkuli, Islam Morina, Mimoza Vila, Bahri Xhaferi, Agim Muqaj, Ilir Kadolli, Naki Sahiti, Liridon Krasniqi, Mirlinda Morina.
Por, konkursi për një pozitë në Bordin e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. në Prizren praktikisht është mbyllur saktësisht 44 ditë më parë.
Më 16 prill të këtij viti, rreth një muaj e gjysmë para se të shpallej lista me kandidatët në listën e ngushtë, Qeveria e Kosovës vendosi për emërimin e Agim Muqajt, njërit prej dhjetë kandidatëve, në pozitën e drejtorit të Bordit të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A..
Vendimi i miratuar në mbledhjen e qeverisë në detyrë tregon për emërimin e Muqajt dhe tre të tjerëve në Bordin Drejtues të ndërmarrjes publike.
Sipas këtij vendimi, emërohen anëtarët e rinj të bordit të cilët do të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi, për një mandat trevjeçar.
Të emëruarit janë: Ylber Elshani në cilësinë e kryesuesit, Agim Mucaj si anëtar, Selvete Xhigoli-Hyseni si anëtare, dhe Sulejman Gashi si anëtar.
Dokumenti thotë se vendimi është marrë në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.