Qorrolli përfaqëson Kosovën në takimin e nivelit të lartë të “Justice Action Coalition” në Madrid
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në takimin e nivelit të lartë të “Justice Action Coalition (JAC)”, që po mbahet në Madrid, Spanjë, ku janë mbledhur ministra të drejtësisë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve të larta të drejtësisë nga mbarë bota.
Republika e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e “Justice Action Coalition” që nga prilli i vitit 2023, dhe pjesëmarrja në këtë samit përbën një dëshmi të qartë të integrimit dhe kontributit të saj në rrjetet ndërkombëtare të drejtësisë.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve të lartë të vendeve anëtare, zëvendësministri Qorrolli theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve të forta të drejtësisë janë shtylla themelore të qeverisjes demokratike, stabilitetit rajonal dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ai vuri në pah përparimin e Kosovës në sundimin e ligjit, duke u bazuar në të dhënat e World Justice Project, Transparency International, dhe Freedom House, që e rendisin Kosovën ndër vendet me përmirësim më të madh në fushën e drejtësisë dhe qeverisjes demokratike në rajon.
Zëvendësministri Qorrolli theksoi se, sipas Raportit Global të Sigurisë 2025 nga Gallup International, Republika e Kosovës është renditur ndër tre vendet më të sigurta në botë dhe vendi më i sigurt në Evropë, me një rezultat prej 94 pikësh nga 100. “Këto rezultate nuk janë thjesht statistika, ato janë pasqyrë e besimit të qytetarëve në ligj dhe në institucionet e sigurisë”, theksoi ai.
Duke folur për përfitimet nga nisma e Justice Financing Framework (JFF), Qorrolli shprehu bindjen se Kosova do të jetë ndër shembujt e parë në rajon që do ta zbatojë me sukses këtë kornizë, në mënyrë që drejtësia të shërbejë realisht për qytetarët dhe të mbështesë zhvillimin gjithëpërfshirës social dhe ekonomik.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai vlerësoi rolin e “Justice Action Coalition” si një platformë të fuqishme bashkëpunimi ndërkombëtar, ku shtetet anëtare ndajnë përvojat e tyre për ta bërë drejtësinë më të aksesueshme, më transparente dhe më të qëndrueshme. “Kosova e sheh ‘Justice Action Coalition’ si një aleancë të fuqisë së përbashkët, një hapësirë ku çdo shtet anëtar kontribuon në ndërtimin e një peizazhi global të drejtësisë më gjithëpërfshirës e më njerëzor,” u shpreh zëvendësministri Qorrolli.
Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të forcojë pjesëmarrjen dhe partneritetet ndërkombëtare në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi, duke e pozicionuar Kosovën si një model të suksesshëm të reformave demokratike në Ballkanin Perëndimor.



