
Rahoveci, qyteti i krojeve dhe kujtesës së gurrave!
Hapësira publike e Rahovecit gjatë shek. XVIII dhe XIX njihet me numër të konsiderueshëm të krojeve publike. Krojet e ruajtura deri në ditët e sotme paraqesin dëshmi të rëndësishme për historinë e zhvillimit urban të qytetit, dhe si të tilla kanë rëndësi të madhe historike.
Në qytetin e Rahovecit dhe rrethinën e tij ekziston një numër i konsiderueshëm krojesh, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar kulturore, historike dhe natyrore për këtë trevë. Disa prej tyre janë ruajtur në formë qeshmeje, disa kanë ende të plotë konstruksionin e kroit, disa kanë mbetur pa ujë ose funksionojnë vetëm pjesërisht, ndërsa njëri prej tyre është zhdukur tërësisht. Kjo traditë e krojeve nuk kufizohet vetëm në qytet, por shtrihet edhe në fshatra si Zatriq, Drenoc, Senoc e të tjerë, duke dëshmuar një trashëgimi të lashtë të burimeve ujore.
Përgjatë historisë, krojet kanë pasur një rol të veçantë si burim jete, vend tubimi shoqëror dhe simbol identiteti lokal, duke u bërë pjesë e pandashme e jetës së banorëve dhe udhëtarëve. Megjithatë, sot kjo pasuri është në rrezik të humbjes, pasi vetëm një pjesë e vogël e krojeve vazhdojnë të jenë funksionalë, duke ngritur nevojën për kujdes e mbrojtje më të madhe të tyre.
Krojet (burimet e ujit) kanë pasë gjithmonë një simbolikë të fortë në jetën dhe kulturën shqiptare, si vend tubimi, pushimi, miqësie, por edhe shenjtërie. Shpeshherë edhe shkrimtarët e atdhetarët tanë i kanë përmendur.
“Si kroi i kulluar, le të jetë zemra jote, gjithnjë e pastër e pa hile”, Naim Frashëri.
“Te kroi i fshatit, aty ku uji rrjedh pa pushim, mblidhet populli, fëmijë e pleq”, Migjeni.
Ndër krojet më të njohura në qytetin e Rahovecit janë:
1. Kroi tek sheshi i Republikës, në popullatë ky sheshë ndryshe njihet edhe me emrin “Govedarnica”, ky krua nga viti 2020 merr statusin e monumentit në mbrojtje shtetërore. Uji në krua vjen me rënie të lirë nga burimi Zhdrella. Përbëhet prej dy pjesëve, ballores dhe vaskës. Ballorja ka planimetri drejtkëndore, dhe është punuar nga gurët e gdhendur në formë drejtkëndëshi të lidhur me llaç gëlqeror. Pjesa e sipërme e ballores përfundon në formë të timpanorit dhe mbulohet me një kulm dy ujor të formësuar nga rrasa gurësh. Në mes të timpanorit është gdhendur një gur në formë katrore, ku paraqitet një shkrim osman. Në dy anët e kroit gjenden dy nisha për vendosjen e sapunit dhe rekuizitave tjera.
2. Kroi tek Teqja e Madhe në Rahovec, vjetërsia e këtij Kroi, supozohet të jetë e vjetër sa edhe vetë ekzistenca e Teqes së Madhe në Rahovec. Duke pasur paraysh që objekti i Teqes së Madhe është nën mbrojtjen trashigimore, nënkuptohet që edhe vetë kroi është nën mbrojtejn trashigimore. Përbëhet prej dy pjesëve, ballores dhe vaskës. Ballorja ka planimetri drejtkëndore, dhe është punuar nga gurët e gdhendur në formë drejtkëndëshi të lidhur me llaç gëlqeror.
3. Kroi tek sheshi i Hajredin Pashës, ky sheshë ndryshe njohet edhe me emrin “Gradina”. Siç mund të shihet edhe nga fotografit e vjetra, materijali i cili është përdorur për ndërtimin e këtij kroi ështa material nga gurët natyror me formë drejtkëndore. Në vitet e fundit tek Kroi i “Gradinës” është intervenuar përmes projekteve komunale, mirpo siç mund të shihet nga fotografit e bashkëngjitura këtu nuk kemi të bëjm me restaurim, përkundrazi kemi shëmtim të kroit dhe që është më shqetësuese në shumicën e projekteve komunale të realizuara kemi tendencë të qartë të devijimit të historis arkitektonike dhe veqorive të qytetit të Rahovecit. Në shumicën e projekteve tashmë kemi tendencë të mbulimit të monumenteve me pllakat-rasat. Në qytetin e Rahovecit dihet që historikisht për ndërtimin e objekteve janë përdorur materijalet si gurët natyror të gdhendur, llaç gëlqerore, gurët gëlqeror etj, kurse për rrugët është përdorur, kalldërmi, gurët natyror në forme rethore dhe ovale. Gjatë vizitës në terren shihet qartë që tek ky krua për momentin nuk kemi ujë dhe kjo qështje mendoj që duhet të trajtohet nga inspektoriati komunal i Rahovecit, me qëllim të inspektimit mos rastësisht kemi devijim të rrjedhës së ujit nga ndonjë banor i papërgjegjshëm apo thjesht kemi mungesë të ujit në linjën e cila furnizonte këtë pjesë me ujë.
4. Kroi tek Sahat Kulla, edhe ky krua është i ngjashëm sikurse kroi i “Gradines”, momentalishtë tek ky krua nuk kemi ujë dhe duke pasur paraysh që është linjë e njëjtë ujore me kroin e “Gradinës”, mendoj që inspektoriati duhet të angazhohet pse nuk kemi ujë tek ky krua dhe mos kemi ndonje devijim të qëllimshëm të ujit. Tek ky krua shihet qartë që është intervenuar me ndonjë project komunal dhe kemi mbulim te ballines së kroit me pllakat-rasat, ku shihet që nuk është ruajtur origjinaliteti i kroit.
5. Kroi i Vrellës, ngjashëm sikurse edhe krojet tjera ka një histori të madhe për banorët e komunës së Rahovecit. Ky krua është pjesë e planifikimit urban të shekullit XIX në Rahovec, dhe përbëhet nga linja ujore që vjen nga burimi i quajtur “Krajishte”, duke krijuar një rënie të lirë të ujit deri në sheshin Vrella. Kroi i Vrellës përpos vaskës, ka formën edhe të një bazeni ku ekziston mundësia e mbledhjes së ujit ku edhe në të kaluarën ka shërbyer si bazen dhe një pike freskimi për fëmijët e kësaj pjese. Nga gjendja momentale shihet që në kroin e Vrellës ka pasur intervenime me qëllim të mirëmbajtjes së tij, ku murret anësore janë të mbuluara me pllakat nga guri natyror.
6. Kroi tek kulla e familjes Haxhimustafa, edhe ky krua ngjashëm sikurse kroi tek sheshi i Republikës, furnizohet me ujë me rënie të lirë nga burimi “Zhdrella”, gjatë identifikimit të gjendjes së kroit në terren kemi konstatuar që tek kroi ka ujë të mjaftueshëm, mirpo siç kemi cekur edhe më lartë ngjashëm sikurse tek krojet tjera edhe tek ky krua gjatë intervenimit, gjegjësisht restaurimit, nuk është ruajtur origjinaliteti arkitekturor dhe specifikat e qytetit te Rahovecit, por edhe këtu kemi mbulim të mureve anësore me pllakat-rasat.
7. Kroi i gurit, ndryshe i quajtur edhe si Kroi i Haxhive, gjendet në pjesën afër qendrës së Rahovecit. Në bazë të mbishkrimit në gjuhën osmane, është ndërtuar në vitin 1813. Uji në krua vjen me rënie të lirë nga burimi Zhdrella. Kroi i takon tipit të krojeve të mbështetura të cilat janë ndërtuar kryesisht në kënd të rrugëve. Ka një trajtim të thjeshtë dekorativ. Përbëhet prej dy pjesëve, ballores dhe vaskës. Ballorja ka planimetri drejtkëndore, dhe është punuar nga gurët e gdhendur në formë drejtkëndëshi të lidhur me llaç gëlqeror. Pjesa e sipërme e ballores përfundon në formë të timpanorit dhe mbulohet me një kulm dy-ujor të formësuar nga rrasa gurësh. Në mes të timpanorit është gdhendur një gur në formë rrethi, ku paraqitet dielli dhe rrezet e tij. Në këndin e poshtëm në të djathtë gjendet nisha për vendosjen e sapunit dhe rekuizitave të tjera. Vaska ka planimetri jo të rregullt në formë katërkëndëshi, e punuar nga guri gëlqeror monolit. Mbishkrimi, i cili gjendet në anën lindore të murit, është i shkruar në gur gëlqeror me stilin kufi dhe përmban datën e ndërtimit të kroit.
Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime të vogla. Ky krua me formën, përmasat, teknikën e ndërtimit dhe trajtimin artistik paraqet një shembull të veçantë të krojeve publike të ndërtuara gjatë shek. XIX në Rahovec.
8. Kroit tek lagjja “Patok”, ku krua ndodhet saktësisht tek shtëpit e familjes Daka, rjedha e ujit të këtij kroi është identike sikurse rjedha e ujit që e ka qeshmja e “Haxhisë”. Kroi është i ngjitur me një objekt të vjetër të ndërtuar nga qerpiç, nga forografia shihet qartë që në lartësinë e vaskës objekti i vjetër është ndërtuar me gurrët natyror dhe sipër vaskës me qerpiç. Edhe tek ky krua, kemi intervenim me arsyen e rruajtjes dhe mirëmbajtjes, por nga këto intervenime shihet qartë që kemi devijim nga origjinaliteti i kroit dhe elementeve të tij.
9. Kroi tek xhamia e Kadirve, ky krua, ka ekzistuar edhe para ndërtimit të xhamis së re. Në të kaluarën ky krua kishte dy burime-qeshme, në të dy skajet e xhamisë, pas ndërtimit të xhamis së re kemi një qeshme e cila është punuar me materijalet identike sikurse që është punuar xhamia.
10. Kroi tek shtëpit e familjes Eminhazeri, ky krua ndodhet afër qendrës së qytetit në Rahovec, kroi edhe në ditët e sotme është aktiv dhe shërben për nevojat e përditshme, sikurse kroi i “Vrellës” edhe ky krua ka burimin e njëjtë të ujit dhe është me ramjet ë lire. Momentalisht nuk kemi ndonjë intervenim në këtë krua me qëllim të ruajtjes së origjinalitetit të tijë. Shaku i ndërtimeve në këtë pjesë ky krua tashmë shërben vetëm si qeshme, por në të kaluarën ka pasur vaskën e tijë dhe konstruktin si krua.
11. Kroi në qendër të qytetit të Rahovecit, kroi në qendër të Rahovecit, shkaku i zhvillimeve të ndryshme ka pësuar edhe zhvendosje në pjesë të ndryshme në kuatër të hapësirës e cila njihet si qendra e qytetit. Në disa raste është përdorur si qeshme, deri në vitet e fundit kemi pasur edhe fontanën në mes të qendrës, por si rezultat i punimeve dhe ndryshimeve që kanë ndodhur në këtë pjesë, tashmë kroi është zhvendosur në parkun që është ndërtuar në qendër të qytetit të Rahovecit. Ngjashëm sikurse krojet tjera që ndodhe në këtë pjes edhe ky krua burimin e ka nga burimi i “Zhdrellës”, dhe është me ramjet ë lire.
12. Kroi tek vendi i quajtur “Carina”, ky krua fatkeqësisht gjatë identifikimit në terren kemi konstatuar që nuk ekziston, ose është vështir i identifikueshëm. Ky krua ishte i ngjashëm sikurse kroi i vjeter tek shtëpit e familjes Eminhazeri dhe kroi tek shtëpit e familjes Haxhimustafa. Kroi tek vendi i quajtur “Carina” ndodhej saktësisht tek pronët e familjes Korenica, përkatësisht rruga “Martirët e Korrikut”. Shpresoj që ky krua nuk është asgjasur në tërësi dhe me një iniciativ nga institucionet lokale mund të rikthehet në vendin e tijë të merituar.
Për të shpëtuar krojet e mbetura, duhet një qasje e re në restaurim:
🔹️ Ruajtja e materialit tradicional (gurë natyrorë, gurë gëlqerorë) si element themelor i arkitekturës lokale.
🔹️ Kthimi i ujit si prioritet kryesor, pa ujë, kroi humb funksionin dhe shpirtin.
🔹️ Dokumentimi dhe mbrojtja e krojeve si monumente të trashëgimisë kulturore.
🔹️ Angazhimi i komunitetit në ruajtjen e tyre, sepse krojet janë pasuri publike që i takojnë çdo qytetari.
Krojet nuk janë vetëm burime uji. Ato janë pjesë e kujtesës kolektive të qytetit, vend ku banorët takoheshin, ku udhëtarët pushonin, ku brezat rriteshin duke pirë ujë nga gurrat e tyre. Çdo kroi ka historinë e vet dhe lidhet me lagjen, familjet, ose institucionet përreth tij. Shkatërrimi i tyre nënkupton humbjen e një pjese të rëndësishme të identitetit kulturor të Rahovecit.
Krojet e Rahovecit janë dëshmi e historisë, kulturës dhe mënyrës së jetesës së brezave. Ato nuk duhet parë vetëm si burime uji, por si simbol i vazhdimësisë së jetës dhe kujtesës qytetare. Shpëtimi i tyre kërkon kujdes, profesionalizëm dhe mbi të gjitha respekt për autenticitetin. Nëse nuk veprojmë sot, shumë shpejt krojet do të mbeten vetëm si kujtime në tregimet e të moshuarve, e jo si burime që gjallërojnë qytetin.
Për shkak të mungesës së të dhënave të detajuara për secilin krua, ekziston mundësia që disa informacione të jenë të paplota. Ju lutem që të gjithë ata që disponojnë burime, dokumente arkivore, dëshmi historike ose fotografi të krojeve të përmendura, si dhe informacione për kroje të tjera që nuk janë përfshirë, t’i dërgojnë ose t’i publikojnë në komente.
Këto informacione dhe kontribute do të përdoren për të hartuar një dokumentacion të plotë dhe të verifikueshëm mbi krojet e Rahovecit.
📷✍️: Suad Çmega
#highlight #Rahovec