Rahoveci synon mbrojtjen e titullit, Kastrioti barazimin e rezultatit

22 maj 2025 | 10:54

KH Rahoveci është përgatitur që ta fitojë edhe ndeshjen e dytë në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll ndaj KH Kastrioti dhe në këtë mënyrë ta mbrojë titullin e kamionit.

Në fakt, Rahoveci të dielën e mposhti Kastriotin (28:25), dhe nëse arrin sonte fitore në ndeshjen që zhvillohet nga ora 20:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, do ta festojë titullin e më të mirit. Trajneri i kësaj skuadre, Leonard Cula, ka thënë se skuadra kundërshtare është e fortë, por beson se me përmirësimin e disa gabimeve që i bënë në ndeshjen e parë, do të arrijnë të jenë skuadër më e mirë dhe në fund të arrijnë fitore.

“Jam i kënaqur me fitoren në ndeshjen e parë, por jemi të vetëdijshëm që asgjë nuk ka përfunduar ende. Na pret një sfidë e madhe në Ferizaj kundër një ekipi cilësor si Kastrioti dhe në një palestër të mbushur me tifozë. Po përgatitemi maksimalisht për të dhënë më të mirën. Synojmë të mos i përsërisim disa gabime teknike në momentet vendimtare dhe kështu ta kërkojmë fitoren që do të na siguronte titullin. E respektojmë kundërshtarin, por besoj në punën dhe përkushtimin e djemve tanë”, ka thënë Cula.

E trajneri i Kastriotit, Verim Zherka, e ka pranuar se ndeshja e së dielës në Rahovec ishte më e dobëta për skuadrën e tij në këtë edicion.

“Në takim me lojtarët konstatuam që ndeshja në Rahovec ishte më e dobëta e jona deri më tani. E them këtë bazuar në dështimet që i kishim gjatë ndeshjes. Kemi pasur shumë gabime teknike, por edhe sulmuesit nuk e kishin ditën. Momenti vendimtar ishin 10 minutat e fundit të pjesës së parë. Nuk shënuam për nëntë minuta dhe nga rezultati 12:12, pjesa e parë përfundoi 19:12 për vendësit. Megjithatë, isha optimist dhe kisha besim se lojtarët e mi do të kthehen në lojë në pjesën e dytë. E arritëm këtë. Në minutën e 50 patëm rastin ta zvogëlojmë epërsinë në dy gola, por në dy raste dështuam nga pozitat ku 100 për qind duhet të shënohet. Treguam që jemi ekip që luajmë deri në fund dhe nuk dorëzohemi kurrë”, ka thënë Zherka, i cili ka premtuar se sonte skuadra e tij do të japë maksimumin për fitore.

“Tani e kemi ndeshjen në palestrën tonë të zjarrtë. E di që lojtarët do ta japin maksimumin për fitore dhe nuk do t’i përsërisim gabimet e ndeshjes së parë. Jam i vetëdijshëm që do të jetë ndeshje e vështirë, por do të mundohemi maksimalisht që, bashkë me tifozët tanë të zjarrtë, të dalim fitues nga ndeshja”, ka shtuar Zherka.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka…