Raketat e reja ruse: Akt i ri i Luftës së Ftohtë?

03 mars 10:48

Armatosje atomike, retorikë e ashpër dhe luftëra të përgjakshme përfaqësuese – shumë zhvillime të kujtojnë kohën e Luftës së Ftohtë. Po si reagon Perëndimi ndaj lojërave të Putinit me pushtetin?

Asnjë vend në botë nuk është më i sigurtë nga raketat ruse. Raketa e re atomike e testuar në fund të vitit 2017 mund të arrijë çdo pikë të globit, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin në fjalimin e mbajtur para deputetëve në Moskë. Të gjitha sistemet e mbrojtjes janë të pafuqishme përballë raketave të reja ndërkontinentale, deklaroi Putin. Ai shpjegoi edhe motivet e iniciativës së re të armatimit. Ky është reagimi rus ndaj politikës së fundit të SHBA-së. „Bëhet fjalë për sisteme të reja strategjike raketore ruse, që i zhvilluam si pasojë e largimit të njëanshëm të SHBA-së nga marrëveshja për mbrojtjen raketore dhe stacionimi faktik i sistemeve të tilla brenda SHBA-së dhe jashtë kufijve amerikanë”, tha Putin.

Politikë e jashtme me dorë të fortë

Putin e prezantoi këtë program dy javë para zgjedhjeve presidenciale në Rusi. Kjo datë ka gjasë të ketë qenë më motivuese, se largimi i SHBA-së nga marrëveshja. Sepse këtë amerikanët e deklaruan që në vitin 2002. Para një muaji, Trump bëri të ditur, se SHBA do të zhvillojë armë „të vogla” bërthamore për të pasur më shumë opcione kundër Rusisë dhe shteteve të tjera. Raketat e reja ruse në të njëjtën kohë shkojnë paralelisht me politikën që po ndjek Rusia aktualisht jashtë vendit. Një politikë e dorës së fortë. Në Siri Rusia ka zënë vend e falë bashkëpunimit me Iranin ushtron ndikim të ndjeshëm në të gjithë rajonin e Lindjes së Afërt. Për shkak të ndërhyrjes agresive në Ukrainë, BE dhe NATO janë të përmbajtura me zgjerimin. Edhe në Amerikën Latine, Azinë Lindore dhe Afrikë Rusia po zë vend.

Të gjitha këto të tregojnë se Rusia është gati për të luajtur rol në botë në politikën e jashtme. „Viti 2018 është një vit në të cilin Rusia do të përcaktohet përfundimisht si global player“, shkruan Liana Fix nga fondacioni gjerman Körber, referente për dialogun gjermano-rus në një artikull për Neue Zürcher Zeitung. „Axhenda ekspansive e Rusisë nuk është ekskursion, dhe as zhvendosje e vëmendjes, por realitet gjeopolitik.”

Ndërsa politologja gjermane Susanne Spahn thotë për DW se në një formë kjo politikë të kujton politikën e Luftës së Ftohtë. “Armiku kryesor janë Shtetet e Bashkuara. U shpenzua mjaft kohë për prezantimin e llojeve të ndryshme të armëve. Putin përdori një retorikë kërcënuese ndaj perëndimit, sipas motos – më parë nuk donit të na dëgjonit, të paktën na dëgjoni tani.”

Qëllimet e Moskës

Qëllimin për të rritur peshën gjeopolitike, Rusia po e ndjek me shumë vendosmëri, më qartë kjo duket në politikën ndaj Sirisë. Kur Obama në vitin 2013 përmendi vijat e kuqe, që kalon regjimi i Asadit, nëse përdor gazin helmues kundër opozitës, ato ishin fjalë që nuk u pasuan nga veprat. Sepse një veprim kundër Asadit do të thoshte një konfrontim të paparashikueshëm me Rusinë. Kësaj iu tremb Obama.

Sipas vlerësimit të Stefan Meister, ekspert për Rusinë në Shoqatën Gjermane të Politikës së Jashtme (DGAP), Rusia po i ndjek qëllimet strategjike me gjithnjë e më shumë vetësiguri. „Këtu bën pjesë edhe pranimi i Rusisë nga ana e Uashingtonit si fuqi e barasvlershme, që nuk mund të injorohet në konfliktet ndërkombëtare. Pranimi i një sovraniteti të kufizuar të fqinjëve postsovjetikë e me këtë pranim i zonave ruse të influencës. Si edhe fundi i politikës demokratizuese „perëndimore” në Rusi dhe zonat përreth saj.”

Sipas Meister „për lidershipin rus bota gjendet në fazën e transformimit të rendit botëror, në një rend, ku vlejnë më pak rregullat dhe e drejta ndërkombëtare e më shumë e drejta e më të fortit.” Sipas Meister, ndryshe nga Gjermania dhe BE, Moska është e përgatitur më mirë për këtë botë të re, sepse ka përvojë me kaosin, pasigurinë dhe zona me shtet të dobët apo pa struktura shtetërore. Madje Moska e nxit këtë përmes politikës së ‚destabilizimit të kontrolluar‘, si në Ukrainën Lindore për të nxjerrë jashtë loje perëndimin, thotë ai.

Destabilizimi i qëllimshëm dhe referimi ndaj „interesave të ligjshme” janë dy instrumente të politikës së jashtme të Moskës. Sidomos dredhitë juridike, shkruan ish-diplomati rus, Vladimir Frolov për gazetën e njohur “Neuen Zürcher Zeitung”, Moska i ka përdorur për zgjerimin e vazhdueshëm të pushtetit. „Interesa të ligjshme janë sot Krimeja, nesër Donbasi dhe Juglindja e Ukrainës, Siria, në dy vite Libia, pas tre vitesh shtetet e Ballkanit dhe Afganistani. Nuk përjashtohet që në këtë listë të futen edhe Venezuela dhe Nikaragua.”

Për vite me radhë, kursi rus i politikës së jashtme ishte një kompensim për gjendjen e vështirë brenda vendit. Sukseset jashtë kënaqin qytetarët brenda, por në fjalimin e Putinit u kuptua, se një llogari e tillë nuk po del më. Putini i kushtoi vëmendje politikës sociale në vend. 20 milionë rusë janë të varfër. Në mandatin tjetër Putin kërkon ta përgjysmojë këtë shifër. Pohimi i hapur i dobësive në vend janë një sinjal për perëndimin, se si duhet të përgjigjet ndaj politikës ruse – duke mbështetur ato forca që angazhohen për liritë politike dhe individuale e që duan t’i japin fund stanjacionit të viteve të Putinit. Eksperti Stefan Meister është i bindur se forcave të tilla në Rusi u përket e ardhmja./DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë me dije se…