Rama: Asnjë kompromis me interesin publik! Sot gjykata na dha të drejtë dhe prona publike iu kthye qytetarëve të kryeqytetit!
Vendimi i Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale përbën një konfirmim të plotë të drejtësësisë dhe të angazhimit të Kryeqytetit për mbrojtjen e pronës publike
Vendimi i Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale përbën një konfirmim të plotë të drejtësisë dhe të angazhimit të vazhdueshëm të Kryeqytetit për mbrojtjen e pronës publike. Ky vendim vërteton edhe njëherë se rruga e ndjekur ndër vite ka qenë e drejtë, ligjore dhe në interes të qytetarëve të Kryeqytetit.
Për katër vjet me radhë, Komuna e Prishtinës, përmes përfaqësimit të saj institucional në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) dhe përmes Zyrës Ligjore, ka insistuar pa kompromis se kontrata e lidhur ndërmjet NPB-së dhe investitorit ishte e paligjshme dhe e dëmshme për interesin publik.
Ky qëndrim tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata Komerciale, e cila me vendimin e saj i ka dhënë të drejtë institucioneve të Kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë dhe proceduralë, duke hartuar dhe mbështetur padinë për prishjen e kësaj kontrate të dëmshme. Zyra Ligjore e Komunës ka vepruar me profesionalizëm të plotë, duke parashtruar kërkesë zyrtare për t’u bërë palë e interesuar në proces, me qëllimin e vetëm dhe të qartë: prishjen e kontratës së dëmshme për qytetarët e Prishtinës dhe kthimin e pronës publike te qytetarët.
Ky vendim dërgon një mesazh të fuqishëm dhe të qartë se interesi publik nuk negociohet, se ligji do të mbrohet dhe se Prishtina do të qeveriset gjithmonë në funksion të qytetarëve të saj.
“Askush mbi ligjin! Askush në pronën publike!”, ka shkruar kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama.



