
Rama dhe Macron vizitojnë Piramidën, nënshkruhet marrëveshja për teknologjinë
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti francez, Emanuel Macron, zhvilluan një vizitë te Piramida e Tiranës në mbrëmje, në përmbyllje të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Gjatë vizitës, Rama e njohu Macronin me projektin e “Ecole 42”, një shkollë prestigjioze franceze e kodimit, e cila është e pranishme në 31 shtete dhe tashmë edhe në Shqipëri.
Presidenti Macron diskutoi me drejtuesit e shkollës dhe studentët e saj, duke marrë përshtypjet e tyre mbi këtë iniciativë.
Në përmbyllje të vizitës, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Francës në fushën e inovacionit, e cila u firmos nga ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhaj, dhe ministrja e deleguar franceze për Inteligjencën dhe Teknologjinë.
Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke shkruar: “Piramida e Tiranës – Për t’i dhënë dritën jeshile ‘Ecole 42’, shkollës prestigjioze franceze të kodimit, tashmë edhe në Shqipëri, si një strukturë e dedikuar drejt botës së teknologjisë.”