Rama: Më vjen shumë keq në çfarë niveli na ka sjell kjo qeveri me bllokadë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me operatorët e ndërmarrjes së “Trafikut Urban” dhe privatë, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, për të kërkuar pagën që iu është mohuar tash e sa muaj.
Rama së bashku me protestuesit, i bënë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por edhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, që t’i presin në takim.
Në fjalën e tij, Rama tha se kërkesat e tij për muaj të tërë janë injoruar nga Ministria e Financave.
“Faleminderit për punën që ka bërë Trafiku Urban deri tash, po ashtu edhe sektori privatë përkundër faktit të vështirësive buxhetore tash e sa muaj që i kemi si rezultat i mosalokimit të mjeteve, të hyrave vetanake të kryeqytetit të cilat me Ligj të Buxhetit i dedikohen kryeqytetit. Janë të hyrat tona, vetanake të qytetarëve e të cilat në mënyrë joligjore mbahen peng këtu në Ministrinë e Financave duke u arsyetuar me arsyetime të kota e joligjore. Ne kemi bërë edhe kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Murati dhe tre zyrtarëve për mosveprim, pra nuk e kanë kryer punën e tyre profesionale. Edhe pas kërkesave të njëpasnjëshme për muaj të tërë, janë injoruar total. Kjo është sikur paratë e juaja që i keni në bankë me vendos mos me ua dhënë sepse iu ka tekë. Kjo është tentim me iu hedh hi syve”, tha Rama, duke shtuar se: “Më vjen shumë keq në çfarë niveli na ka sjell kjo qeveri me bllokadë. E ndjej shumë për të gjithë punëtorët që janë pa paga dhe ju falënderoj për punën që e keni bërë gjithë këta muaj, duke i shërbyer qytetarëve të kryeqytetit pavarësisht bllokadave”.



