
Rama: Ndërmarrja “Pastrimi” ndodhet në gjendje të rënduar për shkak të keqmenaxhimit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë të martën se ndërmarrja “Pastrimi” ndodhet në një gjendje të rënduar për shkak të keqmenaxhimit të vazhdueshëm dhe mungesës së përgjegjshmërisë së menaxhmentit.
“Në këtë situatë të krijuar, në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal, komunat do t’i ndihmojnë njëra-tjetrës sipas nevojës së krijuar. Komuna e Prishtinës, në koordinim me komunat tjera aksionare, do të ndërmarrë veprime për të ndihmuar në stabilizimin e situatës në ndërmarrje, me synim që të mbrohet mirëqenia e punëtorëve, pagat dhe vendet e tyre të punës dhe të sigurohet funksionimi normal i ndërmarrjes”, ka thënë ai, duke shtuar se komunat do të angazhojnë operatorë privatë për të siguruar vazhdimësinë e mbledhjes së mbeturinave në territoret përkatëse, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e një mjedisi të pastër.
“Komunat kanë shprehur vullnetin e tyre të lirë për të inicuar mënjeherë procedurat e decentralizimit të ndërmarrjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Rama.