Rama thotë se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë pengmarrje politike, jo drejtësi
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, mori pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” nga Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës, që trajton në detaje gjykimin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së, e nga foltorja ai kritikoi vendimet e drejtësisë në Hagë, duke theksuar se ato po dëmtojnë Kosovën dhe luftën çlirimtare të UÇK-së.
Rama kritik u tregua edhe ndaj Prokurorisë së Hagës po përpiqet të lidhë katër ish-krerët e UÇK-së me akuzat pa prova me gjenocidin që kreu ish-Jugosllavia.
Kryeministri shqiptar tha se katër ish krerët e UÇK-së u armatosën kundër një pushtimi shfarosës dhe nuk u armatosën për të imponuar.
“Ata u armatosën kundër një pushtimi shfarosës dhe nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të mbrojtur sundimin e tyre në tokën e tyre. Ata vetë me dorën e tyre e votuan në Parlamentin e Kosovës një gjykatë e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, por nuk është gjykatë për të vendosur mbi të akuzuarit kosovarë. Gjithçka nisi nga një raport i Dick Marty-t dhe u shty përpara nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Këshillin e Evropës”, deklaroi Rama.
Gjithë këtë Rama e quajti katastrofë për drejtësinë ndërkombëtare. Ai tha se Gjykata Speciale është më politike sesa gjykata e Serbisë në raport me Kosovën.
“Kjo gjykatë është edhe më politike se sa gjykata e Serbisë në raport me Kosovën. Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtete demokratike, vazhdon për turpin e tyre ta ndjekë me diferencë më të madhe këtë katastrofë; faktikisht bën që ne sot të marrim një pikëpyetje për vetën tonë se çfarë mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë”, ka pohuar Rama, duke shtuar kjo është pengmarrje për arsye politike, jo të Perëndimit, siç është thënë, por të atyre forcave që kanë dashur të barazojnë dy gjëra që nuk barazohen dot: dhunën etnike të një makinerie lufte dhe luftën çlirimtare të UÇK-në. / Ekonomia Online



