Ramadani: Edicion i suksesshëm për Llapin, kërkojmë suksese të reja

18 gusht 2021 | 20:00

Futbollisti Arbnor Ramadani e ka vlerësuar edicionin 2020/21 të suksesshëm për skuadrën e Llapit dhe është optimist se kjo skuadër edhe në edicionin e ri do të rrëmbejë trofe.

Edicioni 2020/21 për skuadrën e Llapit ishte i jashtëzakonshëm, pasi arriti ta fitojë Kupën e Kosovës dhe siguroi daljen në garat evropiane. Ani pse në Evropë nuk la gjurmë, skuadra e Tahir Batatinës e regjistroi edhe një sukses tjetër në rrafshin vendor ku në finale të Superkupës e mposhti kampionen në fuqi, Prishtinën, me rezultat 1-3. Dy gola për llapjanët i shënoi Festim Alidema dhe një tjetër e shtoi Valmir Veliu, për Prishtinën shënues ishte Otto John. Një ditë pas këtij triumfi për “Epokën e re” ka folur Arbnor Ramadani, i cili është shprehur shumë i lumtur me suksesin e arritur nga Llapi. “Kemi arritur objektivat e klubit që i kishim vendosur në fillim të edicionit. Është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë dhe shpresojmë që të vazhdojmë me suksese të tilla edhe në të ardhmen. Kemi skuadër cilësore dhe mund të luftojmë për trofe”, ka thënë Ramadani.

Skuadra e Llapit në edicionin e ri do të luftojë sërish për trofe, pse jo të rrëmbejë Kupën për të dytën herë radhazi. “Sa i përket mbrojtjes së titullit të Kupës nuk kemi ndonjë presion, por do ta shohim ecurinë e ndeshjeve dhe nëse na jepet mundësia, pse jo. Po ashtu, do të kërkojmë edhe titullin e kampiones dhe dalja në garat evropiane sërish është synimi ynë”, ka shtuar ai.

Futbollisti Arbnor Ramadani nuk ka dashur të flasë rreth skuadrave të tjera që Llapi do t’i ketë konkurrente në garën për titull dhe Kupë, pasi një gjë të tillë preferon ta bëjë pas fillimit të edicionit të ri. Skuadra e Llapit në afatin kalimtar të verës është përforcuar me këta futbollistë: Ilir Avdyli, Bianor Neto, Dardan Jashari, Francisco Rivera, Festim Alidema, Adem Maliqi, Dren Ahmeti, Alban Shillova, Alef Firmino dhe Drilon Fazliu.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike planifikohet të ndahen 5 milionë…