Ramadani: Ndaj Copenhagen nuk kemi çfarë të humbim

29 korrik 2025 | 14:00

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është i vetëdijshëm për vështirësinë e ndeshjes së kthimit ndaj Copenhagen në kuadër të kualifikimeve për Champions League, por ka theksuar se skuadra e tij do të hyjë në fushë pa frikë dhe me më shumë guxim.

Skuadrat takohen të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në ndeshjen e parë në Danimarkë Copenhagen ka fituar me rezultat 2-0.

“Favorit është ekipi kundërshtar. Ne jemi në disavantazh, por me përballje me kësi skuadra të mëdha, asnjëherë nuk je humbës, sepse gjithsesi fiton shumë eksperiencë”, është shprehur Ramadani.

Tekniku shkupjan ka thënë se Drita ka analizuar thellë paraqitjen në sfidën e parë dhe ka identifikuar momentet që i kanë kushtuar me gola. Sipas tij, pjesa taktike ka qenë në nivel të lartë dhe ekipi ka treguar disiplinë, por rezultatin e kanë vendosur dy episode të pafavorshme.

“Kemi para një ndeshje mjaft të vështirë, siç ishte edhe takimi i parë në Kopenhagë. E njohim kundërshtarin, është një skuadër me përvojë, që synon gjithmonë fazën e grupeve në Champions League. Edhe në ndeshjen e dytë do ta japim maksimumin. Edhe nëse arrijmë rezultat pozitiv, Copenhagen sërish do të ishte favorit”, ka theksuar Ramadani.

Ai ka shtuar se ndeshjes së kthimit do t’i qasen ndryshe: me më shumë rrezik dhe guxim.

“Duhet të marrim më shumë rrezik, të kemi më shumë guxim për të arritur deri te fitorja. Duke rrezikuar më shumë, mund të pësosh, por nuk kemi çfarë të humbim. Jemi në disavantazh prej 2:0 dhe nuk duhet të presim kundërshtarin, por të dalim vetë në sulm. Në mbrojtje do të luajmë një kundër një, dhe është detyrim të marrim më shumë rrezik se në ndeshjen e parë”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City është gati të shkruajë një kapitull të ri…