
Raporti i DASh-it, Kusari-Lila mbron qeverinë
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se për herë të parë po kërkohet të diskutohet për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh).
Sipas saj, opozita po e arsyeton këtë se “gjetjet janë dramatike”.
“Sot po debatojmë për një raport të rregullt që u publikua javën që lamë pas. I njëjti raport, është publikuar rregullisht edhe në vitet paraprake, por është hera e parë që po kërkohet të diskutohet me arsyetimin se gjetjet janë dramatike”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërkohë, në arsyetimin e saj, Kusari-Lila, ka thënë se po flitet për numër të madh për kallëzime penale në qeveri, por jo për aktakuza, pasi nuk ka të tilla.
“Tek korrupsioni, në raportin e vitit 2023 përfshihet korrupsioni në qeveri për numrin e madh të kallëzimeve penal, nuk flitet për aktakuza, sepse nuk ka të tilla. Këto kallëzime mund të bëhen nga individë jashtë sistemit, opozita, apo trupa të kontrolluar prej tyre”, ka thënë ajo në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Kusari-Lila e ka arsyetuar edhe ministren Rozeta Hajdari dhe zëvendësministrja Liza Gashi.
“Ndërsa për ministren Hajdari dhe Liza Gashin, kemi të bëjmë me vonim të deklarimit të pasurisë, bëhet fjalë për vonesë dy tre ditë, përderisa gjoba që është shqiptuar, aktualisht është gjobë e cila shqiptohet nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit”, ka thënë ajo.
Sipas shefes së deputetëve të LV-së, DASh-i në raport nuk e ka bërë ndarjen cilësore për të cilët, sipas saj “pretendohet” se kanë sulmuar gazetarët.
“Fatkeqësisht, tek liria e mediave, DASh-i nuk e bën ndarjen cilësore të akterëve për të cilët AGK-ja pretendon se janë sulmuar gazetarët. Akterët janë grupe të komuniteteve, grupe fetare, stafi gjyqësor e qeveritar etj. Kjo lidhet në masë të madhe me ngjarjet në veri të vendit, AGK-ja regjistroi një numër të madh të gazetarëve që po bënin punën në veri. Më 16 qershor persona të maskuar ndoqën 9 gazetarë, gazetarët pretenduan se disa prej sulmeve ishin të drejtuara nga udhëheqja politike e asaj kohe në veri”, ka thënë Kusari-Lila.