Raporti “Kostoja e Politikës në Kosovë”, mbi 12 mijë euro shpenzime për t’u bërë deputet
Democracy Plus (D+) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD) kanë publikuar raportin “Kostoja e Politikës në Kosovë”, një studim që analizon shpenzimet e kandidatëve për deputetë gjatë zgjedhjeve nacionale të vitit 2025, si dhe ndikimin e tyre në konkurrencën politike, barazinë e mundësive dhe integritetin zgjedhor.
Gjetjet kryesore të raportit tregojnë rritje të kostos së fushatave, varësi të lartë nga financimi personal dhe pabarazi mes burrave dhe grave në shpenzimet zgjedhore.
Në bazë të raportit rezulton se mesatarja e shpenzimeve për një kandidat është 9 mijë e 463 euro, ndërsa kandidatët fitues shpenzojnë mesatarisht 12 mijë e 150 euro, kurse ata të pazgjedhur shpenzojnë 4 mijë e 90 euro.
Sipas raportit gratë kanë shpenzuar më shumë, krahasuar me shpenzimet e burrave gjatë fushatës zgjedhore.
Graeme Ramshaw, drejtor për Cilësi dhe Inovacion në Fondacionin Westminster për Demokraci, tha se raporti është fokusuar në mënyrë të veçantë te rinia dhe gratë në garën zgjedhore. “Për t’u bërë deputet është problem, aq sa edhe marrja e vetë pozitës së deputetit. Kemi shikuar se sa shpenzime bëhen dhe sa presion ushtrohet. Donim të bënim një fokus te gratë dhe rinia. Ndërsa studimet janë akumuluar në këtë projekt, kemi parë disa kontekste shtetërore, shoqërore dhe ekonomike. Fushatat po bëhen më të shtrenjta; kandidatët po mbështeten në financim personal, ndërsa gratë marrin hua nga të afërmit”, tha ai.
Albert Krasniqi, drejtor i Programeve në “Demokraci Plus”, prezantoi gjetjet e raportit “Kostoja e Politikës në Kosovë”, duke shpjeguar metodologjinë dhe rezultatet e hulumtimit. “Kemi përdorur analizën e kornizës ligjore, intervista gjysmë të strukturuara me 15 kandidatë, 10 deputetë dhe 5 kandidatë për deputetë. Gjithashtu kemi realizuar dy fokus-grupe, njërin me politikanë dhe tjetrin me aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë dhe ekspertë”, tha Krasniqi.
Në raport bëhet me dije se rekrutimi i kandidatëve në partitë kryesore të Kosovës pasqyron presione të përbashkëta sistemore dhe tradita specifike partiake. “Një krahasim ndërpartiak i tri partive kryesore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 tregon se, ndonëse kriteret formale shpesh përmendin integritetin, profesionalizmin, balancën gjinore dhe përfaqësimin, në praktikë rekrutimi formësohet më pak nga aktivizmi afatgjatë partiak dhe më shumë nga popullariteti i jashtëm, burimet financiare dhe mbështetja e liderit. Kjo pasqyron një trend më të gjerë të figurave ‘të gatshme’ politike që hyjnë në politikë mbi bazën e dukshmërisë apo pasurisë, sesa përmes socializimit gradual politik”, thuhet në raport.
Krasniqi tha se janë kryer analiza me tri partitë kryesore: LV, PDK dhe LDK. “Sa i përket rekrutimit, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje na kanë thënë se kriteret përfshijnë aspektin gjeografik të përfaqësimit dhe ndikimin në zonat prej nga vijnë; aftësinë polarizuese të kandidatëve në kuptim të përfaqësimit të temave qendrore politike dhe ballafaqimit me rivalët; aktivistët e hershëm dhe ata me pushtet ekzekutiv; afërsinë me liderin dhe strukturat e partisë; si dhe figura nga akademia dhe bota e shoubizit. Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës na kanë thënë se kandidatët duhet të mos kenë aktakuza, të jenë profile publike dhe të profilizuara në fusha të caktuara; mosha dhe kandidatë që nuk kanë pasur angazhime të mëhershme politike; historiku i kontributit për vendin dhe lidhjet me luftën e UÇK-së. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kriteret përfshijnë ruajtjen e votës konservatore të LDK-së, profilin profesional, lidhjet e krijuara me komunitetin e biznesit ose kuptimin e zhvillimit ekonomik, si dhe afërsinë me lidershipin e partisë. Këto kanë qenë partitë kryesore me të cilat kemi realizuar analizën. Shpenzimet nga partitë politike, sipas tyre, janë të ndara në tri fusha: takimet me qytetarët; prania dhe ndikimi digjital; si dhe stafi i fushatës zgjedhore dhe aktivitetet për ditën e zgjedhjeve”, tha ai.
Krasniqi prezantoi shpenzimet për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të shkurtit, derisa theksoi se gratë kanë bërë shpenzime më të mëdha. “Sa i përket lidhjes mes shpenzimeve dhe suksesit zgjedhor, rezulton se ata që kanë shpenzuar deri në 2,500 euro, nga tre kandidatë asnjëri nuk ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Shpenzuesit mesatarë, me 2,500 deri në 7,999 euro, nga katër kandidatë tre kanë fituar. Ndërsa shpenzuesit mbi 8,000 euro nga tetë kandidatë shtatë e kanë siguruar ulësen. Mesatarja për një kandidat është 9,463 euro; kandidatët fitues shpenzojnë mesatarisht 12,150 euro, ndërsa kandidatët e pazgjedhur 4,090 euro. Gratë kanë qenë më shpenzuese në fushatën zgjedhore: gratë kanë shpenzuar rreth 15 mijë euro ndërsa burrat rreth 6000 mijë euro”, prezantoi ai.
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se rrjetet sociale kanë ndikuar në rritjen e shpenzimeve. “Raporti vjen në një moment të rëndësishëm për shkak se jemi në një proces zgjedhor dhe po shoh që është një temë aktuale që shpeshherë nuk është e gjerë në publikë por është shumë prezente në diskutime të ngushta mes familjes apo shoqërisë. Kostoja politike në Kosovë është duke u rritur jashtëzakonisht shumë, është duke rritur si barrë politike për organizatat politike në këtë rast partitë por në veçanti për ata që duan me marrë një funksion publikë, siç është një ulëse në kuvend apo në asamble komunale apo edhe me marrë një mandat si kryetar komune. Jam prej moti në organizim politikë, prej vitit 2007 kam funksione në parti dhe mbaj mend një kohë kur dhe në seli kemi pasur një kompjuter dhe unë si zëdhënës e kam lëshuar kumtesën në mbrëmje dhe në mëngjes e kemi ditë kush cila po vjen, dhe kanë qenë disa aktivitete nëpër komuna dhe më kaq është përmbyll fushata. Trendet dhe ndikimi i rrjeteve sociale e kanë bërë, e mediave sociale e kanë bërë që forma ta mbytë përmbajtjen dhe arsyeja që është rrit financimi dhe kostoja i të qenit udhëheqës i partisë por të njëjtën edhe kandidatë lidhur me formën”, tha ai.
Ish-kryetarja e Komisionit Zgjedhor të Kosovës, Valdete Dakaj tha se gratë kanë fituar falë votave dhe se nuk kanë mbështetje. “Jemi në një çështje që edhe pas 26 vite pasluftës kanë mbet një prej temave më të ndjeshme prej skenës politike. Meqenëse jam grua dhe meqenëse një kohë të gjatë kam qenë në krye të institucioneve e cili i organizon zgjedhjet kisha dashur që të fokusohem në pozitën e gruas në zgjedhje edhe në politikë e me theks të veçantë në financimin e fushatës zgjedhore dhe fuqinë e grave në politikë. Sikur që e dini gratë një kohë të gjatë kanë fituar ulëse në parlament duke iu falënderuar kuotës gjinore, si një prej mekanizmave mbrojtës dhe mbështetës për gratë ia kanë mësy politikës e sidomos ulëses në parlament. Ka një kohë që gratë kanë fituar ulëse duke marrë vota të cilat i kanë fituar, por sa kanë pasur mbështetje dhe sa ka qenë financimi i përkrahur është një çështje për t’u diskutuar. Besojmë jemi të vetëdijshëm se kostoja politike është jashtëzakonisht e lartë e sidomos duke marrë parasysh rrethanat ekonomike të Kosovës dhe situatë financiare të kandidatëve”, tha Dakaj.



