Rapoti i Progresit – këmbët e arushës në duart e mandatarit (të ri)
Shkruan: Hisen Berisha
Zgjidhja nuk është në improvizime politike, por në kthimin e sovranitetit te qytetari, sepse improvizimi është thelbi i krizës që po e mban peng shtetin.
Kushtetuta nuk lë hapësirë dihotomike për të prodhuar gjasa, por jep interpretim ligjor konciz. Manipulimi qëndron në faktin nëse dikush i ka votat apo vetëm bën përpjekje për të blerë kohë. Pikërisht këtu qëndron abuzimi politik me një proces që Kushtetuta e përcakton qartë dhe prerë: mandati i qeverisjes buron nga shumica, jo nga dëshira për ta zvarritur krizën.
Kjo është një zhvillim që e kam paralajmëruar kohë më parë, se jo vetëm që do të nominohet Glauk Konjufca, por edhe se Albin Kurti do të përdorë çdo mjet manipulimi të procedurave për të mbetur në pushtet.
Në këtë sforcim e shtynë fakti se ndodhet në mes Skilës dhe Karibdes – situatës së tij të pashpresë politike, sepse përballet me rrezikun që i vjen nga sponsorizuesit e tij politik në njërën anë, që udhëhiqen me logjikën e kartelave dhe institutit juridik “ndershmëri mes hajdutësh”, dhe SHBA-të, të cilët tashmë e kanë cilësuar si të papranueshëm, të pabesueshëm dhe të papërshtatshëm, pra, pengesë për gjeostrategjinë amerikane në rajon e në Kosovë, pra edhe për interesat kombëtare të Kosovës. Për këtë pritet të publikohet në listën e zezë të DASH, ku veç është non grata i heshtur. Ai po përpiqet ta zgjatë me çdo kusht jetën politike të një qeverie të delegjitimuar, duke përdorur ligjin si mburojë dhe institucionet si armë kundër sovranit.
Në një situatë kur është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joserbe, kanë deklaruar prerazi se nuk mbështesin më një mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione.
Ashtu siç ka dështuar Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Lëvizja Vetëvendosje. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë në këtë legjislaturë, dhe çdo skemë e improvizuar vetëm sa do të thellojë krizën dhe do ta dëmtojë stabilitetin e vendit.
Spektri politik i Kosovës, në bazë të deklarimeve, e sheh të domosdoshme që t’i jepet fund çdo tentative për zvarritje, çdo improvizimi politik dhe çdo përpjekjeje për ta mbajtur peng shtetin për interesa të ngushta partiake dhe pushtet.
Për këto 27 vite në liri – që nga koha e atashimit të tij në politikën kosovare përmes “Takimit të Brezovicës” – nuk e arriti dot pjekurinë politike të burrështetasit, që e vë interesin e shtetit në rend të parë e jo pushtetin që i shërben ambicieve të tijat autokratike dhe sojit politik neo-komunist që përfaqëson.
Në emër të përgjegjësisë dhe të besimit qytetar, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja, për t’ia kthyer sovranit, qytetarit të Republikës, të drejtën për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja.
Në këtë realitet, ku Albin Kurti është i vetëdijshëm se nuk i ka votat për të formuar qeverinë, nominimi i Glauk Konjufcës si mandatar, është asgjë tjetër veçse manovër politike për ta zvarritur krizën.
Ky veprim nuk synon zgjidhje, por krijon një status quo të ri, për ta bartur bllokadën pas balotazheve dhe për ta futur vendin në periudhën e zgjedhjeve presidenciale me institucione të paralizuara.
Në thelb, ky është një akt i qëllimshëm për të mbuluar dështimin personal dhe politik të Kurtit, për të shmangur përballjen me zgjedhjet dhe për të ruajtur pushtetin përmes improvizimit dhe manipulimit procedural.
Kjo sjellje e zhveshur nga çdo përgjegjësi shtetërore është pasojë e dëlirit politik që e ka shndërruar qeverisjen në teatër të përhershëm propagandistik, ndërsa vendin e ka futur në krizë të gjithanshme institucionale, ekonomike dhe kushtetuese.
Se ku ndodhet Kosova pas pesë vitesh plus, tregon Raporti i fundit i Progresit, i cili i ka konfirmuar të gjitha gjetjet tona: një qeveri që përdor institucionet për përfitime politike dhe ekonomike; një shtet ku korrupsioni lulëzon, kontrolli parlamentar ka dështuar, krimi i organizuar është i fuqishëm dhe i institucionalizuar; administrata është e politizuar dhe asnjë përmirësim cilësor nuk është arritur në asnjë fushë.
Për Kosovën, fjala “sukses” është zëvendësuar me “ngecje” në çdo drejtim.
Miliona euro fonde janë bllokuar, ndërsa retorika për “luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” është kthyer në një slogan bosh.
Raporti e cilëson Kosovën me një notë negative që tregon ngecje dhe dështim.
Edhe në dialog, vlerësimi është po aq negativ: stagnim, polarizim dhe mungesë e konsensusit politik e parlamentar.
Në politikën e jashtme, Kosova sot nuk ka pozicion të qartë, por sanksione nga BE dhe SHBA.
Raporti i Progresit është një dokument eufemik, por në thelb shërben si aktakuzë politike: Kosova nuk ka qenë bashkëpunuese, është e papërgatitur dhe e pabesueshme për partnerët ndërkombëtarë.
Ky është realiteti i një qeverie autoritare që po renditet krahas vendeve të paradës së “Shengenit” autoritar, ku demokracia është vetëm fasadë. Kemi të bëjmë me një “demokraturë”, ku pushteti ka vendosur dorë në çdo nivel institucional dhe në media, duke i etiketuar gazetarët e pavarur si “agjentë të spiunazhit”.
Sfidimi i drejtësisë dhe i Prokurorisë Speciale, rasti i vjedhjes së rezervave shtetërore, moszbatimi i vendimeve të gjykatave dhe shkeljet e autoritetit të Gjykatës Kushtetuese janë dëshmi të një pushteti që nuk njeh kufij ligjorë dhe që po e zhbën rendin demokratik në Kosovë.
Në një moment kur Kosova rrezikon të hyjë në vitin e ardhshëm pa buxhet të miratuar dhe pa qeveri funksionale, çdo ditë e zvarritur është kosto e drejtpërdrejtë për qytetarët. Prandaj, zgjedhjet e reja nuk janë vetëm domosdoshmëri politike, por janë domosdoshmëri kushtetuese për t’i dhënë fund kapjes së institucioneve dhe për ta rikthyer vendin në normalitet demokratik.
Miratimi i buxhetit nga një qeveri kujdestare është i jashtëligjshëm me Kushtetutë dhe me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, Ligjin për Qeverinë dhe Rregulloren e Kuvendit. Kjo situatë nuk është e krahasueshme me kohën kur në detyrë ishte Qeveria Hoti, sepse atëherë ministrat në detyrë nuk ishin deputetë aktivë dhe nën betim, dhe nuk kishte asnjë vendim të Gjykatës Supreme që t’i delegjitimonte si kabinet.
Kurse Qeveria Kurti është e delegjitimuar, politikisht, moralisht dhe institucionalisht.



