
Rashica nuk largohet nga Beshiktashi
Pavarësisht spekulimeve për një largim të mundshëm gjatë verës, Milot Rashica do të vazhdojë të jetë pjesë e Beshiktashit edhe për sezonin 2025/26. Kështu kanë raportuar mediumet sportive turke të martën, duke bërë të ditur se drejtuesit e klubit kanë vendosur ta mbajnë futbollistin kosovar në skuadër.
Rashica, i cili ishte përfshirë në listën e lojtarëve të mundshëm për transferim, nuk bënte pjesë fillimisht në planet afatgjata të klubit nga Stambolli. Megjithatë, pas analizimit të kushteve të kontratës së tij, drejtuesit e Beshiktashit kanë ndryshuar qëndrim dhe kanë vendosur që ta mbajnë sulmuesin anësor në skuadër.
Beshiktashi kishte vendosur një çmim minimal prej 10 milionë euro për kartonin e Rashicës, ndërsa interesim për të kishin shprehur disa klube nga Turqia, Italia, Gjermania dhe Greqia. 29-vjeçari ka kontratë me Beshiktashin deri në vitin 2027, pasi iu bashkua klubit në vitin 2023. Në sezonin aktual, ai ka regjistruar katër paraqitje dhe një gol të shënuar.