
Raspadori: I kemi edhe tri finale për të shkuar te titulli
Ndeshjet e fundjavës së kaluar konfirmuan Napoli në krye të renditjes së Serie A, me +3 pikë karshi Interit. Fitorja 1-0 ndaj Lecce ishte e rëndësishme për skuadrën e trajnerit Antonio Conte, që tani i duhet të fitojë tri sfidat e radhës për t’u shpallur kampione.
Protagonist i suksesit të fundit ishte sulmuesi Giacomo Raspadori, që me golin e tij i dha 3 pikët skuadrës: “E dimë që jemi në fund të sezonit. Kanë mbetur edhe tre ndeshje, tani duhet të bëjmë një hap me ndeshjen tjetër”.
“Ka gola që mbahen mend dhe janë të rëndësishëm, por ajo që mbetet është puna që bëjmë çdo ditë për të fituar ndeshje si kjo. Duhet ta kuptojmë se janë edhe tre takime, por ndeshja tjetër mbetet gjithnjë më e rëndësishmja”, ka shtuar Raspadori. “Duke ditur presionin që kishim gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim dhe ia dolëm mbanë. Soliditeti ynë fillon nga puna që bën i gjithë ekipi. Kur të gjithë luajnë mirë, presioni është më i lehtë për ne”, ka deklaruar Raspadori.