Reagim publik ndaj deklaratës së Veton Surroit

08 korrik 2025 | 10:40

Shkruan: Gëzim Qerimi

Deklarata e fundit e Veton Surroit se “Kosova është projekt mendor dhe shtet aksidental” është jo vetëm fyese për sakrificën e popullit shqiptar, por edhe përpjekje për ta relativizuar identitetin kombëtar dhe legjitimitetin historik të shtetësisë së Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që Surroi përpiqet të vendosë një narrativë denigruese ndaj përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe shtet të pavarur. Është e rëndësishme të kujtojmë opinionin publik se Veton Surroi, përkundër përpjekjeve të tij për të pozicionuar veten si “vizionar”, ka qenë një figurë e preferuar nga regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviqit në prill-maj të vitit 1999 për të instaluar një qeveri tradhtare, që do ta përçante unitetin shqiptar në kohën më të rëndë të historisë sonë. Për fatin e mirë, kjo përpjekje dështoi me turp.

Sot, Veton Surroi është këshilltar i afërt i Qeverisë Kurti, duke dëshmuar një lidhje ideologjike mes atyre që mohojnë rrënjët kombëtare të shtetit të Kosovës dhe atyre që e relativizojnë sakrificën e UÇK-së dhe vlerat e vërteta të lirisë.

Veton Surroi nuk përfaqëson as kombin shqiptar, as identitetin tonë shtetëror, as historinë tonë të lavdishme të qëndresës.

Ai është pjesë e atij segmenti që ka kërkuar gjithnjë të ndërtojë një identitet pa rrënjë, pa komb, pa flamur, pa histori, një shoqëri amorfe e të huajshme për popullin tonë.

Presidenti Ibrahim Rugova e kishte përkufizuar qartë karakterin e Surroit, duke iu referuar me emërtimin “ai qeni”, një simbolikë e qartë për mosbesimin ndaj qëndrimeve të tij.

Kosova nuk është aksident, por është rezultat i një përpjekjeje të gjatë, të përgjakshme dhe heroike për liri, pavarësi dhe dinjitet. Ajo është amaneti i dëshmorëve dhe e ardhmja e fëmijëve tanë.

Të gjithë ata që e përbuzin identitetin tonë kombëtar, e përkufizojnë shtetin si “aksidental”, dhe që në mënyrë të përsëritur përçmojnë bazat tona historike, nuk kanë vend në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani 80 vjet më parë, më 8 Korrik 1945,…