Reagimet kundër Ligjit për shqipen, dëshmojnë ndarjet e thella etnike

04 shkurt 13:58

Partitë politike në pushtet ende pa zgjidhje lidhur me 35 mijë amendamentet e VMRO-së opozitare kundër propozim – ligjit për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, me të cilin pritet avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Përgjigja e vetme që vjen nga institucioni ligjvënës është se shërbimet ende janë duke përkthyer amendamentet, që u parashtruan pas refuzimit të presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, për dekretimin e ligjit që ishte miratuar muajin e kaluar.

Nga VMRO-ja kanë thënë se amendamentet e tyre bazohen në vërejtjet e presidentit, por në opinionin e gjerë veprimi i tillë i partisë opozitare, që drejtohet nga Hristijan Mickovski, interpretohet si vazhdimësi e politikës së ish -kreut të kësaj partie, Nikolla Gruevski.

Përveç nga partia opozitare, reagime kundër Ligjit për gjuhët ka pasur në vazhdimësi edhe nga qarqe të ndryshme, si intelektual maqedonas, shoqata joqeveritare, si dhe në rrjetet sociale nga qytetarë të shumtë.

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, ka thënë se propozimi nuk cenon Kushtetutën, siç pretendon opozita, ndërsa për gjendjen e krijuar fajëson edhe partitë në pushtet, që, sipas tij, nuk kanë bërë sa duhet për ta bindur opinionin se ligji nuk rrezikon bashkësitë e tjera etnike, para së gjithash maqedonasit.

“Propozim – ligjin për gjuhën po e interpretojnë secili në mënyrën e vet, pavarësisht se partnerët qeveritarë janë pajtuar për zgjidhjen që është në procedurë, por ata nuk po munden t’ia prezantojnë qytetarëve në atë mënyrë që edhe ata ta pranojnë. Unë thellë jam i bindur se ligji nuk prek Kushtetutën apo nuk është kundërkushtues, por këtë nuk po e kuptojnë të gjithë, andaj edhe kjo ka shkaktuar reagime të ndryshme”, ka thënë Dimovski.

Reagimet, ka shtuar ai, po dëshmojnë se shoqëria në vend ende është e ndarë në baza etnike. Mirëpo, siç ka thënë Dimovski, Maqedonia është shtet shumetnik dhe se këtë duhet ta kuptojnë të gjithë.

“Te ne ende nuk ka pjekuri te qytetarët, e para se gjithash nuk ka pjekuri te politikanët, të cilët ende nuk e kanë të qartë se ne jemi shtet shumetnik dhe vetëm si e tillë, mund të kemi prosperitet. Po ndihet një ndasi e madhe, duke filluar nga arsimi, kemi paralele të ndarë, fëmijë të ndarë në baza etnike, njohja e njëri-tjetrit apo mësimi i gjuhëve të njëri-tjetrit nuk është ende në nivelin e kënaqshëm. Duhet shumë punë për të bërë që të mos thellohen ndasitë. Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë ne ta kemi të qartë se bashkësitë etnike në Maqedoni nuk duhet të jetojnë pranë njëri-tjetrit, por njëri me tjetrin”, ka deklaruar Dimovski.

Ndërsa, Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, ka thënë se kjo që po ndodh në Maqedoni lidhur me gjuhën shqipe, është e papranueshme dhe se LSDM-ja duhet të bëjë shumë më tepër për të dëshmuar se nuk është e koordinuar me VMRO-në. Në të kundërtën, sipas tij, do të jetë e pashmangshme kërkesa për një marrëveshje maqedonase-shqiptare për ta përcaktuar të ardhmen e vendit.

“Pala maqedonase dëshiron t’ua kufizojë shqiptarëve të drejtën natyrore të përdorimit të gjuhës shqipe. Mendoj se këtu ka një marrëveshje mes dy partive politike maqedonase, VMRO-së dhe LSDM-së, andaj edhe inkurajoj kryeministrin Zoran Zaev të vazhdojë me reformat, por jo me njerëz të inkriminuar. Nëse ne dëshirojmë që Maqedonia t’i afrohet Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të jetë një shoqëri pa probleme, do të duhet të ketë një marrëveshje mes maqedonasve dhe shqiptarëve që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen problemet”, ka deklaruar Sinani.

Sipas tij, nga mbyllja e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe, maqedonasit nuk humbin asgjë, përkundrazi kjo do t’i forconte raportet ndërmjet dy komuniteteve.

“Gjuha shqipe e stabilizon Maqedoninë, gjuha shqipe i përmirëson marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Nëse maqedonasit nuk dëshirojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare, atëherë le të shkojmë drejt federalizmit për shkak se ne nuk mund t’i presim ata që vazhdimisht të na i përcaktojnë të drejtat tona”, ka thënë Sinani.

Propozim – ligji për gjuhët e bashkësive etnike parasheh avancim të theksuar të përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e nivelit lokal dhe shtetëror, si në Qeveri, Kuvend, gjyqësor dhe organe tjera. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rihanna është shpallur “persona non grata” nga një grup organizatash…