Reagimi i shtetit shqiptar

01 nëntor 2017 | 13:02

Demonstratat e zhvilluara në Kosovë më 1981 qenë në qendër të vëmendjes së Tiranës zyrtare. Çështja e Kosovës u shtrua ne organet udhëheqëse shtetërore dhe u morën një sërë masash për ndjekjen dhe pasqyrimin e ngjarjeve të zhvilluara. Vetëm një ditë pas Demonstratës së 11 marsit, të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Tirana i kërkoi Ambasadës se saj në Beograd, që të informonte se çfarë kishte ndodhur në Prishtinë dhe për komentet qe bëheshin rreth tyre. Më 16 mars, u njoftuan përfaqësitë diplomatike për demonstratën dhe u udhëzuan që të jenë të kujdesshëm, të mos prononcohen dhe të mos merrnin në mbrojtje asnjë grup. Më 17 mars u diskutua çështja në Ministrinë e Jashtme, duke analizuar edhe mjaft dukuri të mëparshme, sidomos ato gjatë shkurtit dhe fillimit të marsit (greva e 8 shkurtit e 40 punëtoreve në Obiliq, parullat “Rroftë PPSH”, të shkruara në korridoret e konvikteve të vajzave në Universitetin e Prishtinës), etj. Më 23 mars u udhëzua Ambasada në Beograd që të analizojë të gjitha të dhënat për ngjarjet e 11-12 marsit në Universitetin e Prishtinës, dhe të dërgojë një material me mendimet e saj. Po më 23 mars, gjithashtu, u informuan te gjitha përfaqësitë për përmbajtjen e artikullit të gazetës “Bashkimi”: “Forca e patriotizmit shqiptar”, etj. Më 28 mars, u informuan përfaqësitë diplomatike për demonstratat e 25 marsit, duke i porositur për kujdes, sipas udhëzimit të mëparshëm, dhe duke kërkuar prej tyre që të informonin menjëherë dhe për çdo gjë që lidhej me ato ngjarje.

Pjesa 10
Më 31 mars u bë përsëri një analizë tjetër, bazuar në të dhënat që kishin deri atëherë edhe për demonstratat e 25 marsit në Prizren dhe 26 marsit në Prishtinë dhe në mjaft komuna të tjera, duke bërë edhe krahasimin me Demonstratat e vitit 1968 dhe midis qëndrimeve jugosllave të asaj kohe me ato te 1981. Më 4 prill, u udhëzuan diplomatët shqiptarë që të mos mbyllnin gojën për Kosovën, por të flasin edhe ata për sa kanë mësuar nga shtypi, të theksojnë se Shqipëria nuk ka gisht në ngjarje dhe të përgënjeshtrojnë pohimet e njërit apo tjetrit për këtë, të vlerësojnë se ngjarjet në Kosovë janë rezultat i gjendjes së keqe dhe i mohimit të të drejtave që jep kushtetuta, duke kërkuar që ata t’i zgjidhin kërkesat e kosovarëve, sipas kushtetutës dhe të mos krijojnë vështirësi, etj.
Më 5 prill, u thirr mbledhja e Byrosë Politike, u diskutua mbi ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë dhe masat qe duheshin ndërmarrë. Në Byro, për këtë çështje të gjithë qenë dakord për të shkruar një artikull në gazetën “Zëri i Popullit”, për të dënuar dhunën serbo-jugosllave ndaj studentëve dhe popullit të Kosovës. Artikullu në fjalë u botua më 8 prill titulluar: “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”.
Që më 7 prill (duke i paraprirë artikullit që do të botohej më 8 prill) e këtej, në bazë të udhëzimeve që u dhanë, u bënë 36 telegrame qarkore për dëgjimin, incizimin, studimin, shpërndarjen, sigurimin e një jehone sa më të gjerë dhe vjeljen e artikujve të “Zërit të Popullit”. Po kështu në këto radiograme dhe me shkresën qarkore “Udhëzime lidhur me ngjarjet e fundit në Kosove dhe detyrat e ambasadave”, të datës 14 prill 1981, u udhëzuan ambasadat për mënyrën se si duhet të punojnë për të qenë në gjendje të argumentojnë qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës, për të siguruar të dhëna sa më të gjera e të sakta për ngjarjet, për të organizuar më mirë punën me shqiptarët në vendet ku janë, për të njohur më në thellësi emigracionin shqiptarë nga Kosova e viset tjera dhe për ta vënë punën e përfaqësive në këtë drejtim mbi baza më të organizuara, etj.
Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë pritej m shumë interes, nga i gjithë populli shqiptarë nën Jugosllavi. Qysh në njoftimin e parë që dha ATSH-ja, filloi publiciteti i qëndrimit te Shqipërisë dhe mori proporcione gjithnjë e më të gjera mbas botimit të artikujve të “Zërit të Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit 1981. Në tre artikujt bazë të “Zërit të Popullit”, ashtu edhe në artikujt e tjerë, Tirana zyrtare i dha një përkrahje të fuqishme luftës së popullit shqiptar të Kosovës për të drejtat e tij. E vetmja rrugëzgjidhje e drejtë për problemin e Kosovës konsiderohej ajo që thuhej në artikujt e “Zërit të Popullit”: “T’i jepet fund dhunës e shtypjes policore serbe; të hiqet shtetrrethimi e të tërhiqen nga Kosova forcat policore e ushtarake; t’u kthehen të vrarët familjeve të tyre dhe të lirohen të burgosurit; të shqyrtohen me gjakftohtësi kërkesat e popullit të Kosovës e të zgjidhen drejtë ato; t’i njihet Kosovës statusi i republikës me të gjitha atributet që njeh kushtetuta jugosllave edhe për republikat e tjera.
Kësisoj, raportet mes shtetit shqiptar dhe aktorëve politikë jugosllavë, morën forma të mprehta në kohën e shpërthimit të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Tirana zyrtare përkrahu kërkesat e demonstruesve “Kosova Republikë” dhe demaskoi politikën jugosllave skllavëruese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, mbajtën qëndrim shumë kritik ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe. Artikujt e botuar në gazetën shqiptare “Zëri i Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit, të transmetuar nga ATSH-ja, qe paraqitnin edhe qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar, iu shpërndanë diplomatëve në vende të ndryshme evropiane e botërore nga përfaqësitë diplomatike shqiptare ku qenë të akredituara. Këto artikuj patën një jehonë të madhe në botë. Shteti shqiptar, nëpërmjet analeve diplomatike, ndikoi në afirmimin e çështjes së Kosovës, duke argumentuar kërkesat e drejta të demonstruesve. Lidhur me këtë çështje, ambasadorët shqiptarë ekspozonin qëndrimet politike lidhur me ngjarjet e zhvilluara në Kosovë dhe çështjen e Jugosllavisë, në mënyrë që të influencohet pro një qëndrimi të tillë edhe nga vendet e tjera evropiane e botërore. Kështu, diplomatët shqiptarë të akredituar në vende të ndryshme të botës duhej që të përpiqeshin, t’i informonin dhe të ndikonin te kolegët e tyre ndërkombëtarë, për avancimin e çështjes së Kosovës. Madje, përmes ndërlidhjeve të ndryshme diplomatike shikohej alternativa që të ndikohej edhe tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërmarrja e një veprimi të tillë diplomatik nënkuptonte që çështja të zgjidhej në favor të qëndrimit të Shqipërisë mbajtur ndaj Kosovës e realizimi i kërkesave të demonstruesve për statusin e tyre politik.
Për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të shkruheshin me mijëra artikuj në shtypin botëror, duke përfshirë edhe vende të largëta që nuk e kishin pasur kurrë në agjendën e tyre Kosovën dhe çështjen kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, kjo falë edhe rolit e ndikimit permanent te qeverise shqiptare. Artikujt ishin një dokumentim mbi gjendjen e Kosovës dhe mbi qëndrimin tiranik të qarqeve të Beogradit kundrejt shqiptarëve në Jugosllavi. Përdhunimet e policisë dhe të ushtrisë jugosllave, që përdorën tanket për të shtypur manifestimet e studentëve dhe të punëtorëve, kritikohen siç duhet. Po ashtu, artikujt i tregojnë qartë arsyet e këtyre lëvizjeve studentore dhe punëtore, shfrytëzimin ekonomik, mungesën e lirive dhe të drejtave politike që e kanë zhytur popullsinë shqiptare në Jugosllavi në mizërie e në dëshpërim. Mbasi tregon keq bërjen e regjimit të Beogradit kundrejt popullsisë shqiptare, artikujt e “Zërit të popullit” sugjeronin një shikim objektiv dhe realist të problemit shqiptar në Jugosllavi, duke ia kujtuar qeverisë së Beogradit se duhet t’i njohë popullsisë shqiptare liritë demokratike dhe të drejtën politike për një “republikë”. Përndryshe, shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi do të mbeten të nënshtruar e të shtypur, në mëshirën e serbëve, të maqedonasve dhe të malazezve. Artikujt e botuar në “Zërin e Popullit” ishte shumë argumentues dhe shumë objektiv. (Fund. Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komunën e Rahovecit mbjelljet vjeshtore janë duke vazhduar sipas…