
Reali është i hapur për shitjen e tre lojtarëve këtë verë – ka dyshime për dy të tjerë
Real Madrid është aktualisht i fokusuar te shitjet, pasi numri i lojtarëve në dispozicion të trajnerit Xabi Alonso ka arritur në 25 pas afrimeve të Dean Huijsen, Trent Alexander-Arnold, Franco Mastantuono dhe Alvaro Carreras që nga fillimi i verës.
Klubi dëshiron të afrojë një mesfushor të ri, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse të paktën një lojtar largohet në javët në vijim. Sipas Diario AS, drejtuesit e Real Madridit kanë identifikuar disa emra që janë të gatshëm t’i dëgjojnë ofertat për ta.
Rodrygo Goes është lojtari kryesor në këtë listë. Ai është lidhur fort me Liverpool dhe Paris Saint-Germain, dhe që nga ardhja e Xabi Alonsos ka humbur rëndësinë në skuadër. 24-vjeçari mund të largohet nëse vjen një ofertë e kënaqshme.
Përveç Rodrygos, klubi është i gatshëm të dëgjojë oferta edhe për Ferland Mendy dhe David Alaba. Mendy është bërë “i tepërt” pas afrimit të Alvaro Carreras, me Fran Garcia që pritet të jetë alternativa për këtë të fundit në krahun e majtë të mbrojtjes.
Nga ana tjetër, David Alaba ka rënë në vendin e pestë në hierarkinë e qendërmbrojtësve, pas Huijsen, Rudiger, Militao dhe Raul Asencio. Madrid ka dyshime për gjendjen e tij fizike për shkak të dëmtimeve të shpeshta në 12-18 muajt e fundit. Ai mund të largohet që këtë verë, edhe pse kontrata i skadon verën e ardhshme.
Situata është e paqartë edhe për Dani Ceballos. Një rikthim te Real Betis është përfolur, por aktualisht ai është pjesë e planeve të Alonsos. Megjithatë, nëse firmoset një mesfushor i ri, Ceballos mund të largohet.
Ndërkohë, ka pasiguri edhe rreth Endrick Felipe. Megjithëse nuk dëshiron të largohet, minuta e tij do të jenë të kufizuara sezonin e ardhshëm, pasi Alonso ka në plan të mbështetet te Kylian Mbappe dhe Gonzalo Garcia si dy opsionet kryesore në sulm. Kjo nënkupton një tjetër sezon me pak hapësira për talentin brazilian në Santiago Bernabeu.