Recension i Genc Prelvukaj për librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”

20 maj 2025 | 20:16

I nderuar veprimtar e patriot, njëherit autor i disa botimeve me peshë për betejat ushtarake dhe politike të shqiptarëve të Kosovës, z. Bardhyl Mahmuti.

Të nderuar veteranë të luftës, të burgosur politikë, gazetarë, publicistë, figura të dalluara të artit, kulturës dhe shkencës, ushtarakë, deputetë, zonja dhe zotërinj.

Trajtimi shkencor i zhvillimeve politiko-ushtarake në retrospektivë, apo në kontekstin historik, nënkupton një çështje komplekse, sidomos në rastet kur botimet në fjalë kanë për autorë njerëz të përfshirë në beteja të cilat e tranformuan për të mirë jetën e një shoqërie etnike. Në këtë aspekt, janë dy faktorë themelorë që përbëjnë rrezik për një narrativë të shëndoshë shkencore: synimi për protagonizëm politik apo lartësim artificial të krediteve personale, si dhe kurthi emocional ku autorët e sipërthënë mund të rrëshqasin duke kaluar në subjektivizëm të plotë gjatë trajtimit të ngjarjeve. Mirëpo, këto dy elemente nuk duken në narrativën e z. Bardhyl Mahmuti mbi historikun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në këtë kontekst, ky botim veçse i pasuron raftet e literaturës.

Në mjedisin vendor, deri në këtë kohë, janë publikuar punime mbi beteja dhe personalitete ushtarake, janë hedhur në letër kujtime burgu e lufte, mirëpo duket se ka një deficit përsa i takon kontributit të formacionit diplomatik të UÇK-së, pa aktivitetin e të cilit vështirë se mund të arrihej objektivi për çlirim. Për më tepër, deri më tani në opinion publik kanë qarkulluar vetëm informata sporadike, rrëfime me artikulim të varfër, ose intepretime të pasakta për të ngatërruar çdo gjë më pas. Prandaj punimi për të cilin diskutohet, ndonëse i realizuar në formë interviste të zgjëruar, së pari korrekton ato që mund të ishin thënë gabim, e më pas shton vëllimin e të dhënave duke plotësuar kështu narrativën mbi këtë segment të luftës.

Në shkencë materialet klasifikohen mbi premisën e risisë shkencore, për më kuptueshëm një punim mund të interpetohet si i dobishëm vetëm nëse përmban të dhëna që nuk janë botuar më parë, ose edhe në rastet kur studiuesi ka një vështrim tërësisht tjetër nga studiuesit paraprakë. Në rastin e veprës së z.Mahmuti, ndonëse gërshetohen të dyja anët, sërish fokusi kryesor qëndron të pasqyrimi i disa informatave, të cilat nuk kanë depërtuar më herët në opinionin publik. Si shembull konkret mund të merret rrëfimi mbi kontributin e kreut të shtetit shqiptar, z. Fatos Nano, i cili në rrethana tejet komplekse i kishte mundësuar grupit diplomatik të UÇK-së një takim me ambasadorin amerikan Richard Holbrooke, takim që trasoi më pas rrugën për një partnership më të avancuar të shqiptarëve me faktorët ndërkombëtarë.

Ndërkohë, në kuadër të veprës, përmes metodës hulumtuese dhe krahasimtare, autori bën denoncimin e pasaktësive dhe sidomos tendencës manipulative të strukturës shtetërore serbe, e cila ka provuar që ushtarakët e vrarë në beteja ti klasifikojë si civilë të vrarë nga repartet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më tepër, mjeshtërisht janë hulumtuar rastet, kur në materialet të cilat shërbimi informativ serb i ka plasuar në opinion si lista të civilëve të vrarë nga shqiptarët, shfaqen individë, identiteti i të cilëve është sajuar, domethenë njerëz që nuk kanë jetuar kurrë. Për ta argumentuar më mirë nivelin e propagandës, diskutohet edhe rasti në Pejë, ku në dhjetor të vitit 1998 gjashtë serbë vriten nga vetë forcat serbe për ti akuzuar shqiptarët më pas.

Në kuadër të takimeve ndërkombëtare, në të cilat formacioni diplomatik i UÇK-së ishte mandatuar për të ndërtuar raporte sa më korrekte me autoritetet perëndimore, duke i informuar saktë mbi qëllimet e luftës, si dhe për ta argumentuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për shtetësi, z.Mahmuti përmend edhe disa takime të cilat duket se kanë pasur impakt pozitiv në kancelaritë e forcave të mëdha. Si raste konkrete listohen takimet me Doris Pack, Woflgang Schussel, van Aarsten e kështu me radhë. Më pas, brenda punimit, janë vënë në dispozicion të publikut edhe kujtimet mbi diskutimin tridhjetëminutësh të delegacionit të UÇK-së në Parlamentin Europian, si dhe debatet që pasuan më vonë.

Përmes imazheve autentike dhe referencave serioze, brenda veprës argumentohen edhe krimet serbe të cilat për të rrënuar imazhin e shqiptarëve, ishin realizuar nën uniformën e UÇK-së. Pastaj, janë shtruar në tavolinën shkencore veprimet e disa shqiptarëve të orientuar gabimisht, për të cilët autori, gjithnjë përmes provave, konkludon se ishin rekrutuar nga shërbimi serb. Ndërkohë, në mënyrë të vëmendshme trajtohen vrasjet e intelektualëve shqiptarë nga forcat serbe, sikurse rasti i Fehmi Aganit ndaj të cilit z.Mahmuti duket se ka pasur konsideratë. Për më tepër, këtu demaskohet edhe tentativa e strukturës shtetërore serbe për të manipuluar rastin e sipërthënë, përmes hetueses Danica Marinkovic, e cila ishte shndërruar në instrument përndjekës të kriminelit të luftës Milosevic.

Në brendi të punimit, në mënyrë të detajizuar, është përshkruar edhe anatomia, mënyra e operimit, platforma, orientimi dhe qëllimet e LPK-së, e cila konsiderohet si një mjedis politik prej ku mori jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kundrejt kësaj teme, pjesa më interesante ka të bëjë me sqarimin e pozicionimit ideologjik të saj duke dhënë argumente serioze kundër ndërlidhjes së supozuar mes LPK-së dhe strukturës komuniste të Republikës së Shqipërisë. Më pas, ka shumë peshë korrektimi apo kritika mbi perdorimin e disa nocioneve të gabuara në diskursin publik, sidomos në rastin e përkufizimit të Lëvizjës Popullore të Kosovës dhe formacioneve tjera të përafërta si organizata ilegale. Në këtë kontekst, z.Mahmuti e shtron diskutimin me bazë të fortë artikuluese dhe faktografike, duke apeluar të evitohet një cilësim i tillë, pasiqë apelativi ilegal ka tjetër konotacion në fjalorin socio-politik, krahasuar me atë cfarë përfaqësonin shoqëritë e sipërthëna kombëtare.

Për opinionin publik, përfshirë këtu komunitetin shkencor, është me interes rrëfimi, sipas të cilit grupi diplomatik i UÇK-së, krahas tjerash, e ka pasur për preokuptim edhe shpartallimin e propagandës serbe, sidomos atë pjesë ku pasqyrohej struktura luftarake shqiptare si lëvizje me prapavijë konfesionale dhe jo si e motivuar kombëtarisht. Për ta argumentuar këtë z.Mahmuti ndan me publikun informata nga diskutimet me delegatë amerikanë të cilët paraprakisht kishin kërkuar sqarime shtesë mbi këtë çështje. Ndërkohë, bëhet e ditur se ka pasur një numër të konsiderueshëm takimesh në tryeza diverse ndërkombetare, në të cilat është dashur të rrënohet propaganda e sipërthënë, duke garantuar me fanatizëm se ekstremizmi fetar dhe platforma e UÇK-së nuk takoheshin në asnjë pikë të vetme.

Substanca e këtij botimi pasurohet edhe më tej, sidomos kur trajtohen disa çështje komplekse brenda vetë strukturës së LPK-së, me çrast përmbysën disa pretendime dhe korrektohen mjaft informata ta që patën zënë vend në diskursin e mëvonshëm politik. Njëkohësisht, me një artikulim fantastik bazuar në kërkime precize, është përshkruar roli i ambasadorit William Walker në raport me aktet gjenocidale serbe, ndërsa duket tejet interesant edhe replika e z. Mahmuti ndaj pretendimeve për një rol destruktiv të z.Adem Demaci në raport me idenë e bisedimeve apo zgjidhjes politike.

Ndonëse duket proces kompleks për ta përshkruar në pak fletë, megjithatë autori ka arritur ta ndërtojë objektivisht një histori të shkurtër të procesit të Rambujesë. Duke qenë vetë një ndër protagonistët kryesorë në detyrat diplomatike të UÇK-së, të dhënat e prezentuara në këtë botim lidhur me konferencën, marrin rëndësi shtesë. Për studiuesit e historisë kanë mjaft relavancë interpretimet që ndeshen brenda botimit, në raport me zhvillimet në prapavijë të bisedimeve shqiptaro-serbe.

Në pjesën fundore të librit ka një diskutim të pasur rreth veprimeve të Carla del Pontes, për të cilën z. Bardhyl Mahmuti, me të drejtë, shprehet se kishte rënë nën ndikimin e shtetit serb. Në fakt, nëse lexohen me kujdes argumentet brenda këtij botimi, zonja në fjalë del të ketë qenë një surrogat, pra ka punuar nën direktivë duke mos pasur mendim personal në raport me çështjet e hedhura në publik. Krejt në fund, preken edhe disa tema komplekse juridike, derisa më pas diskutohet për raportin e hartuar nga Dick Marti, me të cilin z. Mahmuti ka pasur edhe një polemikë publike.

Si konkluzion, Ushtria Clirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme, është një libër i rëndësisë kapitale për sa i takon historisë, pasiqë në të gërshetohet analiza objektive me rrëfimet autentike të një personaliteti, kreditet e të cilit janë të larta në raport me aktivitetin kombëtar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ju falemnderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ferat Shala Bazuar në analizën krahasuese të Planit të…