Recension i Ramadan Avdiut për librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”, me autor Bardhyl Mahmutin

20 maj 2025 | 20:24

Të nderuar anëtarë të familjeve të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar veteranë të luftës Çlirimtare,
të nderuar deputetë
Të nderuar të pranishëm,

Pas botimit të librave, Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë, Mashtrimit të madh dhe romanit Eskadronët e Vdekjes – kronikë e një kasaphane, veprimtari i njohur, politologu, studijuesi e shkrimtari Bardhyl Mahmuti, vjen sot para nesh me librin Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme.
Libri që po e promovojmë sot është një rrëfim ekskluziv në formë interviste apo bashkëbisedimi i Bardhyl Mahmutit me editorin e gazetës, Epoka e Re z. Muhamet Mavraj.
Duke qenë aktor i drejtëpërdrejtë i zhvillimimeve politike ushtarake dhe diplomatike, jo vetëm gjatë periudhës së luftës në Kosovë, autori Bardhyl Mahmuti në mënyrë autentike nxjerrë në pah dhe dokumenton një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, e mbron atë me argumente të fuqishme dhe me zë të qartë intelektual.
Autori jo vetëm që rrëfen, por edhe analizon, me kthjelltësi, zhvillimet politike, diplomatike dhe ushtarake, atëherë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli si mishërim i domosdoshëm i vullnetit të popullit të robëruar shqiptarë për liri.
Takimet e zhvilluara në mes të përfaqsuesve politik të UÇK-së, me përfaqsuesit e diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me diplomatë të vendeve të tjera të demokracive perendimore, ishin uvertyrë e cilësimit të UÇK-së si ushtri që lufton kundër një ushtrie tjetër!
Në librin Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme do të mund të gjeni pasqyrimin dhe përgjigjet, se për cilat takime bëhet fjalë?
– Si u organizuan ato dhe cili ishte roli i shtetit shqiptar?
– Cilat tema u trajtuan gjatë atyre takimeve?
– Si u shpartalluan shtyllat e propagandës serbe për të prezantuar UÇK-në para vendeve demokratike, herë si organizatë marksiste leniniste e herë si organizatë fundamentaliste islamike?
– Kush e konsideron si komplot kundër Lëvizjes Popullore të Kosovës krijimin e Drejtorisë politike të UÇK-së?
– Cilat ishin momentet kryesore gjatë zhvillimit të Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambouillet?
– Cili ishte roli i Qeverisë së Përkohëshme gjatë periudhës përfundimtare të luftës në Kosovë dhe përse mungesa e koncenzusit politik e la Kosovën pa institucione kredibile të përkohëshme drejtuese?
– Si e shfrytëzoi Serbia mungesen e aktivitetit diplomatik të Kosovës për të përhapur interpretimin e saj për luften çlirimtare në Kosovë?
– Cili i shte roli i të ashtuquajturve libra të bardhe të shërbimit sekret të Serbisë, në përhapjen e imazhit negativ për UÇK-në dhe luftën e saj, dhe si u sajua gënjeshtra për trafikim organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë?
– Përse dhe si u mobilizuan Carla del Ponte dhe Dick Marty pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?
– Kush ishin hartiuesit e raportit të cilin e përvetësoi Dick Marty dhe cila ishte prapavija e tij?
– Si u sajua shprehja ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe përse akuza e ngritur kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe çlirimtarëve të tjerë, vë në bankën e akuzës edhe luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës?
E kam thënë dhe nuk do të rreshtë ta përsëris vazhdimisht se procesi gjhyqësor që po zhvillohet në Hagë nga të ashtuquajturat dhoma të specializuara, kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësia e shekullit që bëhet në emër të drejtësisë…

Ky libër është më shumë se një dëshmi. Është një thirrje për kujtesë kolektive.
Në një kohë kur përpjekjet për të kriminalizuar luftën çlirimtare ende vazhdojnë, ky botim është një mburojë e së vërtetës, e mbështetur mbi faktet, dokumentet dhe mbi përvojën e aktorëve të drejtpërdrejtë në ngjarjet që kanë përcaktuar fatin tonë si popull.
Z. Bardhyl Mahmuti, me integritetin, përkushtimin dhe temperamentin që e ka karakterizuar gjithmonë, i jep zë atij realiteti që shpesh është heshtur ose shtrembëruar.
Dua ta përgëzoj nga zemra autorin për këtë punë të jashtëzakonshme dhe të falënderoj gjithashtu z. Mavraj për rolin e tij në realizimin e kësaj bisede të thellë e kuptimplotë, që tashmë e kemi edhe si libër të botuar.
Ky libër është një ftesë për lexuesin që të njohë të vërtetën, të kuptojë kompleksitetin e asaj periudhe, dhe mbi të gjitha, të mos lejojë që historia jonë të shkruhet nga ata që nuk e njohin apo qëllimisht e shtrembërojnë atë. Pra është një referencë për studijues dhe të gjithë ata që mëtojnë të dinë historinë e Kosovës në fundshekullin e XX-të.
Shpresojmë që së shpejti të kemi botime të reja nga miku ynë Bardhyli!
Ju faleminderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dalë…