Recension për dy librat e poetit Fehmi Pireva

30 gusht 2018 | 11:23

Salihe Salihu – PhD dhe veprimtare

Poeti Fehmi Pireva ka botuar dy libra me poezi të cilat janë të shkruara në gjini lirike, por tematikat e këtyre poezive shtrihen që nga e thjeshta, e dukshmja e prekshmja deri te lartësitë e reve që bashkohen në shkronja e hyjnë në poezi – pra edhe retë në lartësi janë burim frymëzim për vetë autorin. Mjaft impresionuese apo jo?
Çfarë të them për poezitë e autorit?
Në poezitë për fëmijë në librin “Piktori i qiellit¨ poeti hynë në botën e fëmijëve dhe flet me fjalë të mbushura me ngjyra e me figura specifike, si hëna mysafir, por përmes hënës poeti u sjell fëmijëve edhe trojet shqiptare tok të mbledhura rreth një abetare. Pra, poeti i brumosur me atdhedashuri përpiqet që talentin e vet letrar ta shkrijë në tematika të vendit të tij, t’i zbukurojë trojet e veta me estetikë letrare.
Me ekspresionizim e tij gjuhësor poeti bën përpjekje ta zgjojë kureshtjen e fëmijëve për vendet kah flitet gjuha shqipe. Me të njëjtin stil artistik janë poezi “Pak Det nga Durrësi, Kush i Mbanë Retë”, ku përmes poezisë zogu nga Shkodra sillet në Prishtinë.

Në disa raste gjatë leximit të poezive të poetit Fehmi Pireva na kujton poezitë e plejadës së poetëve bashkëkohorë si Rexhep Hoxha, me poezinë “Zilja e shkollës po na fton” e që te Fehmi Pireva kemi poezinë “Porosia për shtator”. Gjithashtu, ngjashëm sikurse Rifat Kukaj që i ngërthen figurat e larmishme për ta qëndisur vargun e tij me gjithë bukuritë natyrore autoktone, edhe Fehmi Pireva nxjerrë në pah këtë talent të të shprehurit pothuajse në të gjitha poezitë, por si ilustrim për këtë është poezia “Lulet e Malit”.

Kështu që lirshëm mund të konstatoj se në shumë poezi në librin për fëmijë shfaqet flora e fauna të përpunuar e të ngjyrosura në vargjet poetike të poetit Pireva.

Në librin për të rritur “Dashuri e qelqtë” lexuesi gjen jo vetëm përplasjen e kohëve, por edhe përplasjen e ndjenjave që influencohen nga ndikimi i teknologjisë në botën postmoderne. Derisa postmodernizmi si perspektivë e re tenton të shkatërrojë gjithçka që është tradicionale, të kundërtën e bën poeti Pireva, duke shprehur këmbëngulësinë për ruajtjen e vlerave bashkëkohore tradicionale Me këtë ndjenjë poeti paraqitet në poezi herë si nostalgjik e herë fanatik i dashurisë së çlirët. Poeti me fanatizëm dëshiron ta mbrojë dashurinë duke i refuzuar edhe përfitimet e teknologjisë kur me mllef thotë: takimet i kemi të qelqta, ç’po ndodh me ne vallë? Në off do ta shpie telefonin, Ty dua të të shoh të gjallë!

Pra, cilësinë misterioze të njerëzve, dridhjen e ndjenjave të dashurisë poeti kërkon t’i ruajë e begatojë në formën e tradicionales bashkëkohore, që dashuria të ruhet e mirëmbahet me rrënjë tradicionale e jo me teknologji, herë off e herë on në stilin postmodern.

Pra, poeti përmes poezive, përveçse i shpreh vështrimet për dukuri dhe ngjarje të ndryshme e figura të ndritshme të popullit tonë, dëshiron t’i ndajë edhe ndjenjat përmes një gjuhë artistike poetike – pra, me zhanër më të vjetër letrar. Metoda e tij në të shkruar është një organizim strukturor i vargjeve që ndihet dukshëm estetika e të shkruarit, (saqë vetëm imagjinata e poetit mund ta marrë hënën e ta bëjë konsumator në sallonin e kozmetikës apo të njëjtën figurë, pra hënën ta shndërrojë në postier, me porosinë që të dërgoj një abetare në Preshevë).

Tematikë tjetër që do ta veçojë poetin nga poetët e tjerë është konfiguracioni i heronjve. Poeti në vargjet e veta ka ndërthurur edhe vuajtjet e brezave ku në mënyrë të dhimbshme thotë: Luftërat nuk i pamë veç në filma, por heronjtë i ringjallëm përsëri. Dhe në poezinë për Zahir Pajazitin shkruan: “Ta vrasësh atë në qytet, në mal do ta gjeni përsëri”.
Poeti me trishtim nga një parandjenjë frike për humbje të figurës më eminente dhe me vlerë historike që do lë vakuum shpirtëror, shpreh brengën: Aty ku nuk është Adem Demaçi, ÇFARË mund të thotë, vallë poeti?

Pra autori me gjuhën e shpirtit dhe forcën e fjalës na dhuron poezi të këndshme e me plot gjallëri, me kuptim domethënëse e ndonjëherë edhe me mesazhe të qarta si tek poezitë e fëmijëve ashtu edhe poezitë e të rriturve si, p. sh., në poezinë ku i bën thirrje Brukselit që fëmijët e Kosovës të mos kenë viza.

Mesazh tjetër gjejmë edhe te poezitë për të rritur ku, siç duket, poeti është i pakënaqur me rrjedhën e zhvillimeve shoqërore dhe shpreh dëshirën e tij për një zhvillim më dinamik, por në mënyrë artistike thotë, mes të tjerash: nuk na duhen më rënkimet, të mos humbë orë e historisë! E zëri këmbues, shpejto, shpejto vrullin, Atdhe!

Krejt në fund mund të them se këto janë librat e poetit i cili me vargjet e tij po dëshmon se ka të gjitha veglat për një rrugëtim jetësor në botën e shkrimit letrar, me të cilën do ta nderojë veten, familjen, Kosovën, në veçanti Lupçin e poshtëm të bacë Adem Demaçit, mbi të gjitha do ta pasurojë letërsinë shqiptare.

Urime e suksese poet, Fehmi Pireva!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylber Çitaku Krejt njëjtë! (3) Komandantë të UÇK-së, deputetë e…