Recension për librin “Sogjetarë të hënës” i autores Blerinë Tërbunja

11 janar 2021 | 17:55

Madhështia e një vepre letrare, shkruar nga një femër, përtej kritikës letrare, më së miri reflekton kur ajo bëhet zë i femrës, zë i zhveshur nga lëvozhgat paragjykuese të një shoqërie patriarkale. E tillë është edhe poetja, tashmë e njohur për dashamirët e poezisë, Blerinë Tërbunja.

Kjo dëshmohet qysh në titullin e librit të saj të parë me poezi “Sogjetarë të hënës”, ku autorja merr përsipër rolin e rojtares së zërit të femrës, ku qëllimshëm e vendos në numrin shumës, duke i bërë thirrje edhe gjinisë së kundërt të t’u bërë bashke rojtarë të këtij zëri të botës femërore, madje, gjithmonë duke treguar racionalitet që çiltërsia e këtij zëri t’i ngjaj hënës së pastër, e cila rrezaton njësoj për të gjithë, shfaq njësoj durim për të gjithë. Kjo është edhe ideja kryesore e gjithë veprës, mirëpo brenda saj gërshetohen edhe motive tjera nga këndvështrimi i një femre që i ka përjetuar disa nga ngjarjet që ka kaluar shoqëria jonë, për të cilat mundohet të lë një fabule interesante, pos ndjenjës së përjetimit që lexuesi e ndjen gjatë leximit.

Në këndvështrimin e përgjithshëm letrar, vepra paraqet një vlerë të veçantë në poezinë moderne shqipe, duke ardhur me një stil të dalluar, temë interesante, varg të lirë e të guximshëm, gjuhë të komunikueshme leht me lexuesin si dhe figuracion të pasur letrar.

Autorja, ndonëse me profesion është fizikane, nëpërmjet vargut të saj modern, ajo kujdeset që poezia e saj të lë shije të mirë tek lexuesi, duke trajtuar bukur realen deri te surrealja, konkreten deri te abstraktja dhe tradicionalen deri te një avangardizëm i shekullit njëzet e një. Temë bosht te e gjithë vepra është tema e dashurisë, e cila është çelësi i të gjitha problemeve njerëzore, sipas autores. Tema e dashurisë zë fill edhe në poezitë me motive atdhetare duke pasqyruar rrugëtimin e vendit tonë drejt lirisë e pavarësisë dhe protagonistët që u flijuan për të.

Vështruar nga aspekti gjuhësor, vepra është e ndërtuar kryesisht në dialektin gegë, më saktësisht në të folurën e kosovaraishtes. Siç shpesh edhe e potencon autorja, dialekti është forma e preferuar e saj në artin e fjalës së shkruar shqipe. Por, ajo përdor drejt edhe gjuhën standard shqipe, që tek-tuk e hasim në poezinë e saj.

Figuracioni në poezinë e Blerina Tërbunjes vie i pasur dhe në masën e duhur, si shenjë që poezia e saj të kuptohet e përjetohet nga gjenerata të shumta, në veçanti rinia, brez të cilit i takon edhe autorja. Autorja pos vargut të pasur me figuracion, ajo edhe në titujt e poezive të saj është kujdesur që të ketë një dozë artistike të figuracionit. Disa nga figurat letrare më të përdorura në vargun e Tërbunjes janë: Metafora, personifikimi, litota, epiteti, krahasimi, anaphora etj. Paralajmërimi i një shije të mirë në varg, na vie edhe nga titujt e poezive, realizuar artistikisht nga poetja, ku veçojmë: Ky yll mban emrin tënd, Dhjetori i bardhë, Ëndërr e kuqe, Unë jam zhigu yt, Një kafshatë jete, Eci dathun nëpër re, I jemi, Një jetë të kam lutë etj.

Ëndërrimi, një nga elementet përbërëse të Blerinës, paraqet territorin sovran të femrës, ku aty shfaqet liria e vërtet e botës femërore. Shpesh ëndrra kthehet në një lloj meditimi, që përcjellët deri tek lexuesi. Ajo paraqitet shtytësi kryesor që edhe në jetën reale femra të kërkoj lirinë e saj. Këtë e vërejmë në vargjet:

Ora ra fuqishëm
me hapin tënd të fundit
u zgjat trupi jem përtej reales
gjithë andrrën e përthekova
si një këmishë lumtunie

Elementin e ëndrrës, autorja e vazhdon edhe në poezitë tjera duke mos e shkëputur asnjëherë nga realiteti njerëzor. Dhe, vazhdon akoma më fuqishëm:

Shi po bie
nëpër andrrën e mjegullt
po duhemi
t’u e pa veten në sy

Siç e cekëm edhe më herët, ndonëse temë mbizotëruese në librin “Sogjetarë të hanës”, është tema e dashurisë, autorja nuk lë pa prekur edhe tema sociale, siç është ajo për të pagjeturit, ku vijojnë vargjet:

Ra terri dhe dola në rrugë
me ble një bukë për fëmijë
më nuk mbajë mend asgjë
as sot se di ku jam

Dashuria, optimizmi, shpresa janë ato që e shoqërojnë vazhdimisht vargun e autores, duke vënë në lëvizje mendjen e lexuesit se a kanë epilog të njëjt poezitë, mirëpo kjo përgjigje mungon, kur autorja dëshpërohet me jetën, por tregohet e kujdesshme që të mos e bart edhe te lexuesi të njëjtin pesimizëm. Andaj epilogun e vërejmë në vargun e shpresës, dashurisë së çiltër, optimizmit femëror etj.

Libri mbaron me poezinë Varsje e befasishme, ku në realitet nuk është fund siç cingëron në tingëllimën e parë, por është një fillim i fuqishëm i ndërtimit të Shtëpisë së merituar për poezitë e  Blerina Tërbunjes, me titull “Sogjetarë të hanës”.

Autores i dëshiroj jetë të gjatë dhe punë të palodhshme në prurje të reja letrare, për të cilat ka shumë nevojë Letërsia Shqipe.

Recensionit: Mentor MANI

     ____________________________________________________________________

Pas një pune disa vjeçare dhe pas një kohe relativisht të gjatë që nga paraqitja e parë në publik me krijime letrare, poetja e re dhe e talentuar Blerinë Tërbunja, ka përgatitur edhe librin e parë të saj me poezi, i cili është një libër i veçantë për nga përmbajtje dhe trajtimi i temave të ndryshme në poezitë e saj. Tashmë e dëshmuar si një krijuese me afinitete të mëdha dhe me një diapazon të gjerë imagjinate dhe mendimi, Blerina është një nga poetet që premton shumë dhe që ka arritur të krijoj një stil të veçantë në të shkruar e po ashtu edhe në përmbajtje.

Blerina është fituese edhe e disa çmimeve letrare, ku poezitë e saj janë vlerësuar lartë nga studiues dhe kritikë të letërsisë.

Libri që tashmë kemi në dorë, paraqet një punë të madhe të cilën ajo kohë më parë e ka filluar, kurse tash po e përfundon me përmbledhjen e poezive të saj, në të cilat ajo ka shprehur gjithë imagjinatën e saj krijuese, gjithë frymëzimin e saj, inspiruar nga jeta e përditshme, nga rrethanat dhe koha në të cilën ka jetuar, nga ngjarjet që ka përjetuar dhe nga pasionet që kanë ngjizur në brendi të saj.

Libri “Sogjetarë të hënës”, ngërthen në vete një mori poezish, të cilat janë të renditura sipas një rendi kronologjik dhe trajtimi të temave të ndryshme duke filluar nga ato që kanë për bazë ndjenjat e saja dhe dhembshurinë, deri te përshkrimi i një realiteti sa të rëndë dhe të hidhur, po ashtu të mirë dhe të gëzueshëm, ku më shumë përpikëri ka përshkruar atë që ka parë, atë që ka ndjerë, si dhe atë që ka dashur të ndodh në jetën dhe në imagjinatën e saj.

Secili varg përfaqëson një tablo, qoftë reale, apo të imagjinuar, që të tërheqë shumë dhe të bënë të vazhdosh të ndjesh që brenda këtij vargu fshihet edhe një ngjarje, një përjetim i secilit nga ne, duke krijuar kështu një mendim te secili se ky libër nuk është vetëm i autores, por është një përshkrim i ngjarjeve nga vet jeta jonë.

Te libri “Sogjetarë të hënës”, Blerinë Tërbunja ka trajtuar tematikë të ndryshme, duke i trajtuar veç e veç temat nga jeta e përditshme, nga tradita dhe tradicionalja, tema nga ngjarjet jetësore me të cilat është rritur dhe ka përjetuar në jetën e saj, tema nga e kaluara e popullit tonë, tema nga jeta e saj sentimentale dhe idilike, e deri te temat e imagjinuara, të cilat i ka trajtuar me një zotësi të madhe, duke përdorur një teknikë të veçantë në shkrimin dhe përgatitjen e poezive. Në këtë libër është përdorur vargu i lirë, pa i dhënë ndonjë rëndësi rimave apo përshtatjeve të vargjeve nga ato paraprake. Kjo e bënë këtë libër të veçantë, ku më shumë rëndësi i kushtohet temës dhe përmbajtjes.

“Sogjetarë të hënës”, është një përmbledhje poezish të shkruara në kohë dhe në rrethana të ndryshme, të cilat paraqesin një dimension të qartë të secilës rrethanë, duke filluar nga poezitë që i kushtohen dashurisë, ku janë shprehur ndjenja të thella dhe të sinqerta idilike. Pastaj te poezitë tjera në të cilat përshkruhen ngjarje nga jeta, nga fëmijëria, nga e përditshmja e cila çdo ditë jetohet dhe përjetohet në mënyra të ndryshme. Sipas asaj që është paraqitur në poezitë e Tërbunjës, ngjarjet më inspiruese të poezive të saj janë përjetimet sentimentale, të cilave edhe ua kushtuar një numër të madh të poezive dhe një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e saj.

Kur jemi të poezitë që për temë kanë dashurinë, mund të veçojmë poezitë “Ky yll mban emnin tand”, poezinë “Aromë dashunie” dhe poezinë “Mjalti i shpirtit”.

Nëpër terr kumboi z
ani jem
shtatë herë sonte e thirra emnin tand
shtatë lot më shkuan mollëzave
e u bënë lumë

Vetën e lashë në krahët e hapësirës pafund

herë u solla rreth saj
herë u zhyta në të
me dritën e yllit që ra e shkrova emnin tand

Janë këto vargje të poezisë “Ky yll mban emnin tand”, që burojnë fuqishëm nga shpirti i një artisteje përmes fjalëve të thurura në vargje, e që tregojnë një gjendje shumë të rëndësishme shpirtërore të autores, ku përmes një përshkrimi metaforik ka shpërfaqur gjendjen e brendshme dhe dëshirën e flaktë, që mund të mbajë dhe një yll në dorën e saj, mbytë errësirën dhe shpërfillë hapësirën, shprehë pa ndrojtje ndjenjat që mbanë përbrenda.

Të shohë mirë
të ndjej shumë
derisa në përhumbje të ambla mjaltë…
rrëshqas

Përmes këtyre vargjeve edhe njëherë autorja tregon se sa shumë ka rëndësi
për të një lidhje dashurie dhe një person të cilës ajo ia falë gjënë më të rëndësishme, jetën dhe vetën e saj.
Por, autorja trajton edhe tema të ndryshme nga kjo, si nga ato të përjetimit të së kaluarës, ku gërsheton një jetë dhe një sakrificë të bërë nga të parët, e që në kujtesën e saj mbetet shumë e freskët.

Të kqijtë ia kishin frikën
rekës që guzhmonte shqip
rrallë i bijshin asaj udhe
skaj odës sonë

Janë këto vargje të poezisë “Gjarpërinjtë e odës”, në të cilën ajo flet për një temë shumë të ndjeshme dhe të prekshme, e cila bëhet frymëzim sa i madh aq edhe i rëndësishëm, nga se ka të bëjë me ngjarje që prekë të kaluarën dhe përjetimin e saj.

Dje nëpër grilat e burgut zgjatej hija jeme
mbulue me flaumurin gjak dhe shqiponjën me dy krena heu i lumi unë për ditën e çlirimit
po i shoh bjeshkët e Kosovës përthokue me një flamur

Këto vargje janë shkëputur nga poezia “Kushtuar të pagjeturëve”, e cila dëshmon se përveç temave që i trajtojnë shumica e krijueseve të rinj, Blerinë Tërbunja ka prekur një temë që për popullin është shumë e ndjeshme dhe më bëri përshtypje trajtimi që i bënë kësaj teme me kaq sinqeritet dhe delikatesë kur dihet mosha e re e autores.

Po ashtu, përmes poezive të saja, ajo jep edhe një mesazh të rëndësishëm për ne lexuesit, tërthorazi, apo edhe direkt na këshillon që të jemi të mirë, të arsyeshëm dhe të kemi sa më shumë raporte pozitive si shoqëri, që të na përcjellë një dashuri dhe një lidhje më e madhe mes vete, si te poezia “Dera e shpisë

Çelni zemrat o njerëz
çelni neuronet
virusi i autoritetit
asht baba i krejt virusave të tjerë
hiqe çelsin prej derës së shpisë
ja ke m’u mshel mrena vetës
e kurrkush s’ka me mujtë me ardhë me të pa
ke me vdek i etun për nji trohë dashuri
ke me shkue poshtë për një mollë prej pemës
që e mbolle vet

Me zotësi të madhe metaforike Tërbunja qëndisë vargun e mëposhtëm që të falë emocione të mëdha: 
E një ditë zvarrë më tërhoqën para tyne
nxënsëve të mi u thashë
jemi në orën e teatrit
me kujtue se lojë
asht

Pra, shikuar në përgjithësi, poezitë e librit “Sogjetarë të hënës” sa fillojmë të analizojmë dhe studiojmë më thellë, kuptojmë që ka një arsye më shumë që të lexohen me kujdes, ngase secila poezi ka një mesazh në vete dhe përçon një simbolikë të veçantë, të cilën mund ta kuptojmë pasi të kemi lexuar të tërë librin dhe të kemi trajtuar në mënyrë serioze dhe të duhur.

Prandaj lirisht mund të themi se ky libër është i veçantë dhe shumë i rëndësishëm, i cili do të jetë një pasuri e madhe e cila po i shtohet opusit të madh të letërsisë sonë.

Recensionist: Esat VATOVCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju njeh me situatën…