Rekomandimet e naftëtarëve do t’u drejtohen institucioneve përgjegjëse

18 janar 2018 | 16:03

Shoqata e Ndërmarrjeve dhe Qarkullimit të Naftës, Gazrave dhe Lubrifikantëve (ShQNGL), ka organizuar të enjten një tryezë diskutimi lidhur me problemet në këtë sektor.

Në këtë tryezë është konstatuar se problemet kryesore me të cilat përballët ky sektorë janë: kyçja e pompave të benzinës në rrugë, kontrolli i cilësisë së naftës, trupat inspektuese, si dhe kufizimi i licencave.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka apeluar që kjo shoqatë të bëhet pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, pasi sipas tij, partneriteti publiko-privat nuk ka alternativë dhe për këtë duhet avancim e bashkëpunim.

“Dialogu publiko-privat nuk ka alternativë dhe duhet të avancohet bashkëpunimi. Ju biznesmenë jeni ata që punësoni më së shumti dhe vlera e kompanisë suaj është një brend që na përfaqëson kudo në botë. Është e vërtetë që agjenda politike është e stërngarkuar, por politika dhe ekonomia duhet të jenë të bashkëpunuese. Besoj se kjo shoqatë e ka vendin e vet edhe në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërsa Shkelzen Jusaj nga “Petrol Company”, ka shpalosur sfidat me të cilat përballët ky sektor. Ai ka deklaruar se duhet të merret parasysh derivatet që janë për prodhim, bujqësi, ngrohje si dhe për transport, në mënyrë që mos të ngarkohen me akcizë.

“Derivatet për prodhim, bujqësi dhe transport duhet të lirohet nga akciza. Derivatet për bujqësi duhet të trajtohen njëjtë si në vendet e Evropës dhe rajon. Në sezonin dimëror duke pas parasysh që në infrastrukturën e nxehjeve qendrore përdoret nafta për ngrohje, e që për shkak të çmimit të lartë, atëherë po përdoret energjia elektrike. Duhet të hiqet akciza për naftë për bujq, transport dhe ngrohje”, ka thënë Jusaj.

Në anën tjetër, këshilltari për çështje ekonomike i kryeministrit Haradinaj, Haki Shatri, ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë për bashkëpunim me naftëtarët. Ai ka deklaruar se prioritet i kësaj qeverie është energjetika dhe sektori i naftës.

“Sektori i energjisë në Qeverinë Haradinaj është prioritet, përfshirë këtu edhe sektorin e naftës. Të gjitha konkluzionet i vendosni në letër dhe do t’i prezantoni, të Haradinaj do të gjendet një formë e pranueshme”, ka thënë Shatri.

Më tutje, zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaçi, ka paraqitur prioritetet e kësaj ministrie për industrinë e naftës. Sipas Thaçit, qasja e tyre është e orientuar në ngritjen e kontrollit të cilësisë.

“MTI-ja prioritet të lartë e ka efikasitetin në kontrollin e cilësisë së naftës, por pa u kufizuar edhe me produktet tjera të derivateve, si vajrave, gazrave, vajrave të lëngëzuara etj. MTI-ja prioritet të lartë e ka edhe bashkëpunimin dhe mbrojtën e barazisë në tregun e naftës dhe mbrojtën e konsumatorit si dhe prioritet dhe fokus të veçantë e ka koordinimin e të gjithë mekanizmave institucional dhe që ndikojnë në avancimin e cilësisë së produkteve të naftës”, ka thënë Thaçi.

Po ashtu, ai ka potencuar se MTI-ja është duke punuar me efikasitet që aktet nënligjore dhe Ligji për naftën të avancohet edhe më tutje, duke bërë që mekanizmat e kontrollit të cilësisë së produkteve të naftës të jenë më efektiv dhe që konsumatori të jetë i kënaqur me përdorimin e produkteve që derivojnë nga nafta.

Kurse Ramadan Maloku nga “Racional Comerc”, ka shprehur shqetësimet për çmimi e lartë të akcizës së gazit. “Konkretisht bëhet fjalë për Udhëzimin administrativ të akcizës së gazit nga Qeveria e fundit, që akcizën e gazit e ka rritur nga 0.05 centë për litër në 0.15 cent për litër ose nga 90 euro për tonë në 300 euro”, ka thënë Maloku.

Në fund të kësaj tryeze të pranishmit janë dakorduar që Shoqata e naftëtarëve t’i adresojë kërkesat në formë të shkruar në drejtim të institucioneve përkatëse.

Albulena S. MAVRAJ

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forma jo e mirë e Alvaro Moratës ka bërë që…