Rëndësia e Zonës së Lirë të Junikut në Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës

13 gusht 2020 | 12:06

Shkruan: Eugen SHEHU

 Veprime të dhunshme të reprezaljeve, vjedhjeve e plaçkitjeve të fshatarësisë së Kosovës, në vitin 1920 iu shtua edhe dekreti i Beogradit për rekrutimin e të rinjve për në ushtri.

Posaçërisht për të realizuar këtë, qeveria serbe shpërnguli një pjesë të konsiderueshme të Armatës së III-të të Shkupit, në trevat më të nxehta të lëvizjes kombëtare në Kosovë, me ç’rast synimi ishte tejet i qartë, ose rekrutimi i detyruar i të rinjve shqiptarë, ose shtëpitë e tyre do të kalleshin në zjarr.

Këtyre veprimeve banditëske të Armatës së III-të, në bashkëpunim të ngushtë me xhandarët vendas, prijësit popullor shqiptar iu kundërpërgjigjën me qëndrimin e vendosur për të mos dorëzuar armët por për t’u bashkuar duke vazhduar më tej rezistencën e armatosur.

Azem Bejtë Galica, Sadik Rama, Sherif Voca, Beqir Rexha, Elez Rama, Adem Reçaku, Xhem Tërnavci etj., duke bashkërenduar punët midis tyre, mundën të organizonin një rezistencë masive nëpër krejt veriun e Kosovës, madje në bashkëpunim me Elez Isufin, Hasan Prishtinën, Suf Xhelilin dhe Bajram Currin e shtrinin këtë rezistencë edhe në Gjakovë e Dibër.

        Azem Bejtë Galica dhe bashkëluftëtarët e tjerë në Zonën e Lirë të Junikut, 1921

Një sërë betejash të zhvilluara në Shalë, Kijevë, Gjurgjevik, Drenicë, Tërstenik, Bainicë, Galicë, Llap, Gjilan etj., dëshmuan jo vetëm rezistencën e organizuar të kosovës, por edhe frymën luftarake të formacioneve kaçake shqiptare për të mos iu bindur në mënyrë të verbër, urdhrave të Beogradit.

Kanë qenë pikërisht  luftimet e zhvilluara më sipër,ato çka u vunë në dilemë Pashiçin i cili me ndihmën e Armatës së III-të të Shkupit, ndërtoi skemën e një operacioni masiv ushtarak si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë shqiptare.

Ky operacion pati si qëllim dhunën dhe terrorin fizik, duke dashur “t’u mësojë shqiptarëve se çdo kryengritje e tyre do të shpërblehet me lumenj gjaku”. Por edhe këto “leksione” të Pashiçit nuk patën assesi vlerë përballë ëndrrës shekullore për liri,si edhe veprimit të organizuar luftarak të tyre.

Si rrallë ndonjëherë, prijësit popullorë shqiptar,duke iu rikthyer institucionit të besës, mundën të ngrenë në këmbë 4-5 mijë burra të armatosur të gatshëm dhe të aftë për t’u dalë zot trojeve të tyre.

Pikërisht në këto momente,në një thirrje që Komiteti Kombëtar i Kosovës,u bënte shqiptarëve etnik në krejt trojet e tona, ku pos të tjerave shkruante: “Bashkimi dhe besnikëria shembin malet. Ai qëndrim prej graniti e solli fitoren. Nga bashkimi që u krijue gjatë kohës së luftës si edhe nga bashkimi që asht mbajtun deri sot, lindi ky sukses… Populli ynë për disa muej me radhë që ka vazhdue, e po të vazhdoje me rezistue akoma me të njajtin durim,guxim e qëndrim, pa tjetër e gjithë Kosova ( atdheu ynë i përbashkët) e shenjtë do të shpëtojë. Pra Kosova asht n’amanet tek juve,ke burrnija juej”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, Fondi, Komiteti Kombëtar i Mbrojtjes së Kosovës, dosja nr. 53, fleta 4 ).

Në pranverën e vitit 1920,qarqet e larta ushtarake të Beogradit dhe të Shkupit,me anë të informatave të tyre,mësuan për një përqendrim të forcave kryengritëse shqiptare në Drenicë e rrethina. Kinse për të zbatuar urdhrat për çarmatosjen e shqiptarëve, u dërguan në këtë trevë qindra xhandarë dhe ushtarë të armatosur si ma mirë, të cilët në të vërtetë synonin të shuanin lëvizjen kaçake shqiptare.

Në ditët dhe javët që pasuan,forcat serbe u vunë zjarrin dhjetëra shtëpive në Drenicë dhe Llapushë, arrestuan disa luftëtarë,ndërsa të tjerët organizuan disa prita për t’u bërë ballë sadopak maltretimeve dhe dhunës serbe.

Nëse kundërpërgjigjja e kaçakëve shqiptarë në këto momente,në Drenicë u vonua,kjo kish të bënte me pjekurinë e Azem Galicës dhe udhëheqësve të tjerë të Kosovës të cilët, duke llogaritur forcat,nuk deshën të bien në ujërat e rrezikshme të luftës, e cila ishte llogaritur të digjej krejt Drenica.

Ata iu shmangën mrekullisht konfrontimeve, me ç’rast dëshmuan shkallën e lartë të organizimit të lëvizjes së armatosur shqiptare. Ndërsa në verën dhe vjeshtën e vitit 1920, shihet një taktikë dhe strategji e re e lëvizjes çlirimtare shqiptare.

Tanimë çetat e mëdha ( deri 400-500 luftëtarë) u  shpërbënë në çeta më të vogla, të cilat edhe godisnin ushtrinë serbe ku ajo nuk priste, por edhe mundën t’u fshiheshin më lehtë goditjeve të fuqishme të saj.

Ky organizim i ri, u drejtua në planin praktik nga dhjetëra udhëheqës shqiptarë,të cilët ndonëse nuk patën mbaruar akademi ushtarake, ndërthurën mjeshtërisht aftësitë e tyre me artin dhe përvojën e luftërave popullore në shekuj.

Madje edhe tërheqja e tyre e përgjithshme,drejt kufijve të shtetit amë, kishte të bënte pikërisht me idenë e një mbrojtjeje të sigurt të tyre, në këto kufij. Ndërkaq qeveria shqiptare, me anë të disa telegrameve,protestave si edhe lëvizjeve të shumta diplomatike, i pati bërë thirrje Konferencës së Ambasadorëve në Paris, që të vendosej sa ma shpejt të ishte e mundur,vija përfundimtare kufitare, tokësore e Shqipërisë me fqinjët e saj.

Ishte pikërisht kjo Konferencë e cila në tetorin e vitit 1921, caktoi grupin e “ekspertëve” mbi caktimin e vijës kufitare “përfundimtare”.  Anëtare të këtij komisioni mbikëqyrës mbi problemet e kufirit shqiptar, u emëruan nga shtetet e Italisë, Francës, Japonisë dhe Anglisë.

Në nëntorin e vitit 1921, këta përfaqësues, panë me sytë e tyre, dhunën serbe në kufijtë shqiptare të vitit 1913, ndaj duke denoncuar këtë dhunë detyruan Konferencën e Ambasadorëve të ushtrojnë presionin e duhur mbi Beogradin.

E ndikuar drejtëpërsëdrjeti nga presioni i Fuqive të Mëdha, qeveria e Pashiçit u detyrua të tërhiqet nga kufijtë shqiptare duke shkretuar e djegur gjithçka që gjente përpara.

Masakrat që ajo ndërmori ishin të tilla saqë me mijëra shqiptarë të këtyre trevave u detyruan të shkojnë në shtetin amë,të kërkojnë ndihmën e qeverisë shqiptare për të mbijetuar. Vetë gazeta “Politika” e Beogradit, më 14 dhe 15 dhjetor të vitit 1921, pohonte me gojën e vet masakrat serbe ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare.

Largimi i detyruar i ushtrisë së mbretërisë serbo-kroato-sllovene,ndonëse i dhunshëm, krijoi premisat për krijimin e një zone të lirë dhe me pëlqimin  e ekspertëve ndërkombëtar të përcaktimit të kufijve, u parapëlqye Juniku si zonë neutrale.

Nga pikëpamja juridike,zona e Junikut u përcaktua si zonë demarkacioni në vijat kufitare “shqiptaro-jugosllave”. Kjo përfshinte Junikun me rrethina,deri në grykën e Deçanit, përfshirë edhe Mulliqin, Batushën, Ponoshecin, Kosharën, Shishmanin.

E krijuar në mesin e dhjetorit 1921, zona neutrale e Junikut do të mblidhte dhjetëra e dhjetëra çeta të luftëtarëve shqiptarë të cilët, të ndjekur nga dhuna e pashembullt serbe, mundën të shihnin disa ditë të bardha aty, sa i përket organizimit, armatosjes dhe ndërthurjes së veprimeve luftarake.

Që në ditët e para të krijimit të Zonës neutrale të Junikut,arritën aty çetat e mjaft luftëtarëve të rezistencës shqiptare të udhëhequra prej Azem Galicës, Hasan Prishtinës, Bajram Currit etj., këto formacione luftarake të kryengritësve shqiptarë, për të parën herë mundeshin të bashkoheshin, rrinin  e kuvendonin me njëri tjetrin, pa pasur frikë prej pritave e pabesive serbe.

Qeveria serbe,nën diktatin e Konferencës së Ambasadorëve, pranoi më së fundi që Zona e Junikut të administrohej nga vendasit, deri në zgjidhjen përfundimtare që do të përcaktohej nga komisioni i kufijve.

Kjo qeveri,në të ashtuquajturën vijë demarkacioni me Shqipërinë,nuk kish të drejtë të ndërmerrte asnjë iniciativë ligjvënëse apo ushtarake, duke pranuar kushtet e mëdha prej politikës evropiane.

Ndonëse numri i çetave rritej apo zvogëlohej sipas kushteve të caktuara,në janar shkurtin e vitit 1922, në Junik ngarendën me qindra e mijëra luftëtarë,madje disa edhe me familjet e tyre. “Si dimrave të mëparshëm,shumica e çetave kalonin për dimrin në këto anë,por gjatë këtij viti numri i çetave dhe i luftëtarëve të Kosovës ishte shumë më i madh për shkak të kushteve të krijuara. Zonës Neutrale. Lëvizja e tyre ishte e lirë,takimet në mes të çetave baheshin lirisht, pa frikë nga organet shtetërore. Me iniciativën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit e Azem Galicës, në Golaj të Hasit shumë luftëtarë të çetave mësuan shkrim-lexim. Shumica prej tyre,për të parën herë panë abetaren dhe mësuan prej saj”. ( Dr.L. Rushiti. “Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928”, Prishtinë 1981 – faqe 188 ).

E vërteta është se roli i Hasan Prishtinës, për Zonën Neutrale të Junikut, ishte tejet i pazëvendësueshëm. Ngase ishte në brendësi të synimeve aneksioniste të fqinjëve tanë,ngase njihte deri në detaje politikën e Evropës kundër Shqipërisë, ky burrë i shquar i Kosovës dhe krejt Shqipërisë, nuk rreshti asnjëherë përpjekjet e tij, për të ndriçuar mendjen e bashkëkombësve të vet.

Me dhjetëra janë tubimet e organizuara prej tij në këtë zonë,duke i bërë me dije nga prijësit e deri tek luftëtari më i thjeshtë shqiptar,se fatin e atdheut e vendosin zemrat dhe gjokset e bashkuara, vetëdija nacionale e shndërruar në prush shqiptarizme. “Ju e dini se pas largimit tim nga Tirana… u vendosa në Zonën Neutrale në Junik, pikërisht aty ku qe përgatitur kryengritja e vitit 1912. Aty në bashkëpunim me vendasit dhe me miq të mi, Bajram Currin, Azem Galicën e të tjerë, bëmë përgatitjet e duhura, sulmuam qëndresën e Prefekturës së Kosovës, Krumën, çliruam krejt Hasin dhe arritëm deri në Buzë të Drinit”. (Revista “Nëndori”-Tiranë 1962, Një takim me H.P ).

 Në pranverën e vitit 1922, në Junik e rrethina numëroheshin më tepër se 2 mijë luftëtarë shqiptarë. Përgjithësisht ata ishin vendosur nëpër shtëpitë mikpritëse të kësaj treve dhe pas organizimit të përsosur ushtarak, nuk munguan edhe aksionet e suksesshme popullore shqiptare, Zona Neutrale e Junikut po shërbente ndërkaq si shembull edhe për trevat fqinje të cilat ndjenin mbi supe pushtetin e urryer të dhunës serbe.

Të dhënat burimore flasin për dhjetëra raste kur kaçakët e trevave të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare,ngase hakmerreshin ndaj padrejtësive sllavomaqedonase, për t’i shpëtuar vrasjeve, u janë drejtuar shtëpive të Junikut me ç’rast edhe janë bashkuar me forcat e tjera kryengritëse aty.

Mendoj se Juniku nuk duhet parë vetëm si Zonë ku çetat kaçake shqiptare mundën të riorganizohen. Ndoshta është me vend të studiohet se mjaft prej sulmeve të çetave kosovare që drejtoheshin kundër regjimit shtypës  të pushtuesit të Mbretërisë SKS, u ideuan dhe u nisën pikërisht prej Junikut.

Në verën e vitit 1922, këto lëvizje të vrullshme të çetave kaçake u ndjenë jo vetëm në Ferizaj, Drenicë, Llap, Mitrovicë, por edhe në Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë e Strugë, çka parakupton një lëvizje të organizuar e drejtuar më së miri prej shtabit luftarak të zonës neutrale.

Është kjo arsyeja që Pashiçi duke pasur parasysh shtabin e Junikut porosiste Armatën e tretë të Shkupit, për të marshuar atje dhe për t’i shtypur “kryet e gjarprit”.

Kështu pas studimeve të hollësishme të komandës së Armatës së Shkupit u vendos qershori i vitit 1922, koha kur do të goditej Zona Neutrale e Junikut.

Përparësi mori sidomos drejtimi i forcave për në Junik,aty ku ishin edhe Azem Galica, Tahir Elshani, Ramë Bega, Sadik Rama etj., të cilët ishin organizatorë dhe strategë ushtarak që patën rrëfyer me vepra trimëritë e tyre.

Është kjo arsyeja që në drejtim të Zonës Neutrale u dërguan disa formacione luftarake.

Nën komandën e Simoviqit, qarkkomandant i Pejës, forcat ushtarake serbe marshojnë në fshehtësi për në fshatin Voksh, ndërsa nën komandën e kolonelit Kataniq, rreth dymijë forca nisën në drejtim të fshatrave Batushë dhe Brovinë.

Në ndihmë të formacioneve ushtarake serbe,shkuan edhe qindra forca rezervisto-çetnike,të komanduara nga oficerët famëkeq: Dimitrije Baeceviq dhe Miliq Kerstiq, të njohur për dhunën shtazarake kundër popullsisë shqiptare të pafajshme.

Në agun e 17 qershorit, kur lëvizjet e forcave serbe u panë të qarta, trimat shqiptarë të udhëhequr nga Azem Galica, Sadik Rama dhe Tahir Elshani, të armatosur, zunë pozicionet e tyre,të gatshëm për luftë. Ndërkaq duke llogaritur forcat, prijësit  ushtarakë kanë parë të mundshme fitoren por gjithsesi kanë llogaritur edhe dëmet e mëdha që mund t’i bëheshin popullsisë së pafajshme të kësaj treve.

Ka qenë pikërisht kjo arsyeja, që duke menduar mbi rrjedhojat tragjike, prijësit popullorë vendosën të lënë kullat e junikasve ku patën jetuar dy vjet, për t’iu drejtuar aleatëve të përjetshëm të tyre, maleve shqiptare të ngarkuar ende me borën e bardhë të tyre.

Është dashur vetëm një komandë dhe brenda 6-7 orësh të 17 qershorit 1922,krejt luftëtarët kryengritës me familjet e tyre, janë ngjitur në lartësitë e Junikut por duke mos harruar organizimin ushtarak të rastit.

Ishin me qindra luftëtarë vullnetarë të kësaj zone, të cilët të armatosur, ishin gati në rastin më të parë, t’u vinin në ndihmë kaçakëve shqiptarë,të cilët e patën pritur si vëllezërit e tyre, në kullat dhe vatrat e varfra me bukë por të pasura me dashuri.

Sipas të dhënave të Armatës së Tretë të Shkupit, forcat ushtarake serbe kanë qëndruar në gatishmëri përreth Junikut në datat 17-18 dhe 19 qershor 1922.

Më pas ato tërhiqen në vijën e demarkacionit sigurisht nën urdhrat e Beogradit i cili kërkon të ketë mirë politikën me shtetet evropiane.

Ndërkaq nëse janë tërhequr trupat e Ushtrisë së rregullt,nuk kanë bërë kështu forcat çetnike serbe si edhe ato të xhandarmërisë.

Këto duke unifikuar veprimet midis tyre,kanë hyrë në Junik nga disa drejtime dhe kur kanë kuptuar se kaçakët dhe familjet e tyre janë larguar për në male, janë derdhur nëpër fshatrat Pobërxh, Voksh, Lloçan, Drenoc etj., duke plaçkitur çfarë të gjenin nëpër shtëpi dhe ahur.

Në ndonjë rast,kur të zotët e shtëpisë reaguan ndaj këtyre plaçkitjeve,nuk munguan as vrasjet mizore apo djegiet e kullave. Sidomos veprimi ushtarak  i Armatës së Tretë të Shkupit i cili synonte në likuidimin e prijësve të lëvizjes kosovare si edhe familjeve të tyre, dështoi plotësisht.

Qarqet shoveniste të Beogradit,duke llogaritur si të shtypur lëvizjen kaçake, donin të ndjeheshin të qetë në nismën e tyre për kolonizimin e Kosovës, ndaj edhe arritën të merrnin edhe masa ndëshkimore ndaj oficerëve të tyre që nuk vepruan si duhet në Junik.

Fakti është se ndërsa Sadik Rama, Azem Galica, Halil Shabani, Tahir Kajtazi dhe të tjerë udhëheqës popullorë ndodheshin në Junik, ishin Ibush Vuçitërna, Mehmet Aliu, Ramë Beka dhe kaçakë të tjerë të cilët ndërmarrën disa aksione luftarake duke iu kujtuar serbëve se nuk  mund ta shuanin aq lehtë lëvizjen kombëtare shqiptare.

Mandej në një trakt-kushtrimi të atyre ditëve thuhej: “Kush të dojë me e nderue vendin,shtëpinë dhe atdheun, le të përpiqet pa bjerrë asnjë dakikë, rreth e qarkë dëshirës kombëtare”. ( Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë, fondi Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, dosja 46, dokumenti 800 ).

 Sipas të dhënave burimore serbe,gjatë kësaj periudhe në Zonën Neutrale të Junikut vepronin këta prijës shqiptarë me bashkëluftëtarët e tyre.

– Kera e Sadiri i Bardhit, i cili është në Shtabin e Bajram Currit dhe ka tipare të tribunit kombëtar.

– Jusuf Mehaniqi,me rreth 30 vetë, por pa ndikim në popull.

– Ramë Beka nga Ornaberda – Istog. Që nga mosha 15 vjeçare, gjendet në mal kaçak dhe ka 16 vjet që bën këtë jetesë. Ka bërë disa prita në rrugën Pejë-Mitrovicë.

Ndonëse është shumë i kërkuar,nuk është kapur ndonjëherë sepse gëzon jo vetëm simpatinë e parisë por edhe të krejt popullit të këtyre trevave. Të gjitha ndjekjet e organizuara nga xhandarmëria serbe kanë vajtur dëm,sepse nuk kanë rënë dot as në gjurmë të tij.

– Zeqir Rexha i cili qarkullon midis Zonës Neutrale dhe Malësisë së Gjakovës çeta e komanduar prej tij,vepron sidomos në Istog dhe Drenicë,Ka simpati në popull të këtyre zonave.

– Azem Galica, kur del nga Zona Neutrale, kalon nëpër kufirin e tri qarqeve, të Metohisë, Zveçanit dhe Prizërenit. Azemi çmohet si tribun kombëtar, është i rrezikshëm dhe manovron vetëm nëpër fshatra të banuara ekskluzivisht me shqiptarë, të cilët e ruajnë me kujdes, e furnizojnë me bukë dhe municion. Secila ndjekje kundër Azem Bejtës është e destinuar të dështojë.

Nga ky raport i armatës serbo-sllavo-maqedonase, shihet mirë se lëvizjet e kaçakëve shqiptarë ndiqeshin hap pas hapi prej ushtrisë dhe xhandarmërisë vendase.

Është kjo arsyeja që Beogradi në çdo moment ishte i interesuar për këto çeta dhe nuk mungonte të dërgonte sasi të konsiderueshme njerëzish dhe mjete ushtarake në vijën e demarkacionit me shtetin amë shqiptar.

Ky përqendrim forcash në këtë vijë,nuk mund t’i pëlqente qeverisë shqiptare të asaj kohe dhe posaçërisht Ahmet Zogut si ministër i brendshëm dhe komandant i trupave kufitare.

Kësisoj në drejtim të Zonës Neutrale të Junikut, e cila në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare nuk mund të shkelej prej asnjërit shtet,u nisën disa formacione kufitare shqiptare të cilët vunë re me shqetësim se popullsia këtu vuante për bukën e gojës.

Për t’iu shmangur konfrontimit me trupat kufitare shqiptare, prijësit ushtarakë të Kosovës,kaluan në rrethina të Junikut duke vazhduar sërish aksionet kundër xhandarmërisë serbe. Por tërheqja e trupave qeveritare nga Juniku, në janarin e vitit 1923,do të sillte tragjedinë e shqiptarëve të këtyre fshatrave.

Më 21 shkurt 1923,forca të shumta të ushtrisë të Mbretërisë SKS,marrëshuan në drejtim të Zonës Neutrale të Junikut. Me të vënë këmbët në fshatrat e para të kësaj zone, serbët u vunë flakën kullave dhe masakruan njerëz të pafajshëm. Përballë kësaj gjendjeje: “Popullsia e pambrojtur po merr me vete çka të mundi dhe largohet në arrati”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, Fondi Ministria e Punëve të Brendshme, dosje 8 fl.1 ).

Ndonëse fundi i Junikut ishte tragjik,ai i shërbeu sigurisht lëvizjes çlirimtare të Kosovës, çetat e kaçakëve që qëndruan aty për gati 20 muaj, jo vetëm që mundën t’u shpëtojnë ndjekjeve e reprezaljeve,por edhe u organizuan, armatosën dhe fituan shprehi të reja luftarake. Pas kësaj, këto çeta u shpërndanë sërish nëpër malet e Kosovës kreshnike duke mbajtur kurdoherë të ndezur prushin e luftërave për liri dhe bashkim me trojet shqiptare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Neymari nuk shënoi në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve…