Reshat Nurboja dhe Agon Dobruna largohen nga ‘Alternativa’; Mimoza Kusari i falënderon për kontributin
“Alternativa” e Mimoza Kusarit ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të saj. Kështu bëhet e ditur përkes një komunikate për medie.
Njoftimi i plotë:
Komunikatë për Media
Alternativa ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për të reflektuar mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit komunale. Në këtë takim u vlerësua njëzëri angazhimi i partisë në garë me dy kandidatë për kryetar komune dhe me lista të plota për asamble komunale në gjashtë komuna, me gjithsej 103 kandidatë.
Anëtarët e Këshillit theksuan se Alternativa duhet të vazhdojë të forcohet dhe të ecë me vendosmëri drejt avancimit të parimeve liberale të qendrës që përbëjnë themelin e identitetit politik të saj.
Këshilli Drejtues i Alternativës vlerësoi procesin zgjedhor të 12 tetorit, duke evidentuar mangësitë, sfidat si dhe mësimet e nxjerra për të ardhmen. Ky reflektim synon përmirësimin e transparencës, efikasitetit organizativ dhe rritjen e besueshmërisë publike në proceset e brendshme zgjedhore të subjektit.
Në vijim, u definua qartë edhe procesi përpara: nga shtimi i aktiviteteve në degët ekzistuese, te themelimi i degëve të reja, si dhe zgjerimi i strukturave me nëndegë në të gjitha rajonet ku partia ka shtrirje të natyrshme dhe potencial organizativ. Ky zhvillim strukturor shihet si bazë për afirmimin e mëtejshëm të partisë në skenën politike.
Po ashtu, u vlerësua si thelbësore forcimi i identitetit dhe subjektivitetit politik të Partisë Liberal Demokratike, për të konsoliduar profilin ideor, koherencën programore dhe mesazhin politik që synon të transmetohet tek qytetarët.
Këshilli Drejtues vendosi gjithashtu nisjen e përgatitjeve për procesin e ardhshëm zgjedhor, duke filluar nga organizimi në nivel të nëndegëve, deri te qendra, me qëllim sigurimin e një procesi të mirëstrukturuar, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet demokratike.
Në këtë mbledhje, Këshilli Drejtues i Alternativës shprehu falënderim për punën dhe kontributin e dy ish-nënkryetarëve, Reshat Nurboja nga Peja dhe Agon Dobruna nga Gjakova, të cilët nuk janë më pjesë e subjektit. Megjithëse rrugëtimi i përbashkët politik është ndalur, vlerësohet lart angazhimi i tyre i deritashëm dhe, njëkohësisht, iu dëshirua suksese në rrugëtimin e tyre individual.
Gjithashtu, Kryetares Mimoza Kusari Lila iu shpreh mbështetje e pakushtëzuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, duke u vënë në pah roli i saj udhëheqës dhe figura e saj e spikatur për ta drejtuar Alternativën në fazën e saj të re të fuqizimit, e cila po pasurohet edhe me figura të reja dhe energji të reja politike.
Alternativa mbetet e përkushtuar që të vazhdojë rrugën e saj me përgjegjësi, transparencë dhe vizion për të ardhmen.



