Revista “Time” shpall Leonardo DiCaprio si “Artisti i Vitit”
Revista prestigjioze, “Time”, ka njoftuar se aktori i famshëm i Hollywood-it, Leonardo DiCaprio, është vlerësuar si “Artisti i Vitit 2025”.
Revista 102-vjeçare nderoi fituesin e çmimit Oscar dhe shtatë herë të nominuarin për interpretimin shumë të vlerësuar në filmin “One Battle After Another”, një aksion me temë revoltën, i cili është shndërruar në filmin me fitimet më të mëdha në karrierën e regjisorit Paul Thomas Anderson.
51-vjeçaroi, i cili fitoi Oscar për “Aktorin më të Mirë” për filmin “The Revenant” (2015), është sërish në qendër të garave prestigjioze të çmimeve për rolin e një ish-revolucionari të rrënuar.
Këtë të hënë, DiCaprio shtoi edhe një nominim për “Golden Globe” në listën e tij tashmë mbresëlënëse të vlerësimeve për filmin. Javën e kaluar, ai u nominua edhe për “Critics Choice Award”, ndërsa fitoi një çmim nga “National Board of Review”, si edhe “Desert Palm Achievement Award” nga “Palm Springs Film Festival”, mes shumë çmimeve të tjera.
“One Battle After Another” është gjithashtu i nominuar për “Filmin më të Mirë” si në “Golden Globes”, ashtu edhe në “Critics Choice Awards”, pas fitoreve në “Gotham Awards”, NBR si dhe nga kritikët e Los Angeles-it, New York-ut dhe të tjerë.
Time do të shpallë të enjten “Personin e Vitit”, ndërsa të martën do të zbulojë “Artistin Zbulim të Vitit” dhe “Atletin e Vitit”.



