Revolucion në futboll: VAR-i mund të ndërhyjë edhe për kartonin e dytë të verdhë
Ligjvënësit e futbollit do të diskutojnë dhënien e fuqisë VAR-it për t’i rishikuar kartonët e dytë të verdhë në një takim që do të mbahet në janar. Grupi këshillues i Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit (IFAB) ka konfirmuar se propozimi do të paraqitet, gjë që mund ta zgjerojë fushën e veprimit të VAR-it përtej kufizimit aktual të shqyrtimit vetëm të kartonëve të kuq të drejtpërdrejtë. Ky veprim bazohet në idenë se kartonët e dytë të verdhë shpesh janë vendime që ndryshojnë rrjedhën e ndeshjeve dhe për këtë arsye duhet të jenë subjekt i rishikimit. Sipas “The Times”, IFAB-i do të shqyrtojë propozime që synojnë si përshpejtimin e lojës, ashtu edhe përmirësimin e komunikimit midis lojtarëve dhe gjyqtarëve.
Një nga propozimet përfshin zgjatjen e afatit aktual prej tetë sekondash që zbatohet për portierët që mbajnë topin, për ta përfshirë gjithashtu edhe te goditjet anësore dhe goditjet e portës, me qëllim reduktimin e vonesave të qëllimshme të lojës.
Gjithashtu, do të rekomandohet që politika ekzistuese që lejon vetëm kapitenët e skuadrave të flasin me gjyqtarët për vendimet e tyre, të bëhet rregull i detyrueshëm.
Rregulli i tetë sekondave është zbatuar dy herë deri më tani këtë sezon, kur Martin Dubravka kishte vonuar topin në ndeshjen e Burnley kundër Tottenham dhe Caoimhin Kelleher për Brentford kundër Liverpool. Në mënyrë kontroverse, Brentfordi ka shpenzuar gjithsej nëntë minuta e 18 sekonda për të kryer vetëm dhjetë goditje anësore gjatë ndeshjes kundër Liverpoolit. “Sa i përket protokollit të asistentit të videos (VAR), u diskutua që, ndër të tjera, zyrtarët e ndeshjes me video (VMO) duhet ta kenë mundësinë të ndërhyjnë kur është dhënë gabimisht një karton i dytë i verdhë. Një propozim përkatës do t’i paraqitet takimit vjetor të biznesit të IFAB-it, i cili do të mbahet më 20 janar 2026 në Londër”, ka njoftuar IFAB-i.



