
Rexhep Qosja shkruan për vajzën që i vdiq më 29 korrik: Ditë të rënda për ne, janë ditë që mos u provofshin nga askush
Shkrimtari i njohur, Rexhep Qosja, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”, për vdekjen e vajzës së tij Editës, më 29 korrik të këtij viti.
Qosja ka shkruar se ditët pas vdekjes së bijës së tij janë ditë të rënda dhe është lutur që askush të mos provohet me një dhimbje të tillë.
Ai ka treguar për numrin e madh të shqiptarëve që e kanë ngushëlluar e ia kanë lehtësuar sadopak dhimbjen për humbjen e vajzës.
Postimi i plotë i Qosjes:
F A L Ë N D E R I M
Me 29 korrik, pas një kohe të gjatë të mbushur me dhembje e dhembshuri, me vuajtje e mundime, me sprova e pafuqi, humbëm të dashurën, të shtrenjtën, të pazëvendësueshmen, pjesën e shpirtit e të zemrës sonë, bijen time Editën, të mirën, të urtën, të prajshmen, zemërbardhën, fisniken, nënën e Valjetit, të Donikut, të Lironës, gjyshen e Rinesës e të Lizës dhe motrën e Violës sonë.
Këto ditë, kur pushuan dhembjet e Editës, kur ato dhembje na i la neve, janë ditë jo të lehta, janë ditë të rënda për ne, janë ditë që mos u provofshin nga askush.
Por, në këto ditë dhembjeje e pikëllimi, na e hapën derën e na e ngushëlluan zemrën e mendjen numër i madh njerëzish – farefis, miq nga të gjitha trojet shqiptare, dashamirës të përhershëm, kolegë fisnikë, fqinjë nga afër e nga larg, por edhe një varg institucionesh kulturore, kombëtare, politike, një vargu krijuesish të arteve e të shkencave, të cilat na e lehtësuan e na e zbutën, aq sa është mundshme në këto raste, humbjen tonë të madhe, kurrë të harrueshme.
Ngushëllimet tuaja zemërore i kemi ndier shumë afër si në ditën e varrimit, si në ditët ngushëlluese përmes ardhjes, përmes telefonit, përmes postës elektronike, përmes komunikimit digjital e mediave.
Ju jemi shumë falenderues e mirënjohës të gjithë juve, që në çfarëdo mënyre keni gjetur mundësinë të na ngushëlloni, të na jepni zemër e kurajë. Mos paçi pikëllime të këtilla kurrë!
Humbja e vajzës sime të shtrenjtë, më ka ndihmuar të kuptoj se sa e thellë është dashuria prindërore e sa e pafundshme është dhembja e largimit të parakohshëm të fëmijës për prindërit, por më ka bërë të kuptoj e të ndiej edhe se sa e nevojshme, se sa e dobishme e se sa e njerëzishme e fisnike është pjesmërrja ngushëlluese për dhembje të mëdha njerëzore.
Me nderim e mirënjohje Rexhep Qosja me familje
2.8.2025