Rid Berisha: Osmani e tërhoqi kërkesën jo për shkak të gjykatësit serb, por nga frika e dështimit juridik

05 gusht 2025 | 22:05

Gazetari Rid Berisha,duke analizuar vendimin e papritur të Presidentes Vjosa Osmani për ta tërhequr kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese deklaroi se problemi nuk është gjyqtari serb.

Berisha i referohet intervistës së fundit me avokatin Faton D. Fetahu, i cili javën e kaluar kishte theksuar se kërkesa e presidentes mund të mos ishte fare objekt trajtimi nga Gjykata. “Profesionalisht, kishte vërejtje reale. Pyetja është: A u shkrua mirë kërkesa? A kishte bazë të pakundërshtueshme juridike? Apo thjesht u tërhoq sepse do të refuzohej?”, pyet gazetari.

Ai kritikon Presidenten Osmani për mënyrën dhe momentin e tërheqjes, duke vënë në dyshim sinqeritetin e aludimeve për “urithë” në institucionet e drejtësisë.

I plotë:

Avokati Faton D. Fetahu, javën e kaluar e bëri të qartë në një intervistë të dhënë për emisionin tim. Ai tha se kërkesa e Presidentes Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për konflikt kompetencash, mund të mos jetë objekt trajtimi.

(https://youtu.be/T7jYIDVcUgQ?si=fXXRPIjPUZejk4St)

Ndaj pikëpamjen kritike me znj. Osmani se gjyqtari konkret serb punon për interesat e Serbisë kundër Kosovës. 99.99 për qind e serbëve kosovarë, me më dëshirë, punojnë për shtetin amë – Serbinë – sesa për Kosovën. Kjo nuk përbën lajm, znj. Osmani. Lajm do të ishte nëse shteti i Kosovës, dhe ju personalisht, do ta kishit fituar betejën me Serbinë që ajo të mos i manipulojë serbët për interesa nacionaliste dashakeqe ndaj Kosovës.

Por thelbi i çështjes, sipas vlerësimit tim, se pse presidentja e tërhoqi kërkesën, nuk është fare gjyqtari serb. Ky duket të jetë një justifikim jo shumë i qëndrueshëm. Profesionistët kanë vërejtje reale, duke na bërë të gjithëve me dilema: A e shkroi mirë kërkesën znj. Osmani e kabineti i saj në pikëpamje juridike? A e arsyetoi në mënyrë të merituar këtë kërkesë, bazuar në fakte të pakundërshtueshme juridike? Etj, etj.

Në Gjykatën Kushtetuese, vendimet merren me shumicë votash – një mekanizëm ky demokratik. Pse pikërisht sot znj. Osmani e tërhoqi kërkesën? Pse pikërisht sot ajo e aktualizoi çështjen se një “urith” paska punuar e po punon kundër Kosovës? Pse znj. Osmani nuk e solli në publik këtë temë që nga momenti kur kishte marrë informacione të një ndjeshmërie të tillë? Pse, pse, pse…

Duket se nga vizita e fundit në SHBA, znj. Osmani – që nga atje – paralajmëroi një garë, duke e goditur nën brez Albin Kurtin, si anti amerikan dhe ta paraqes rolin e saj si shpëtimtare me aleatin tonë strategjik. Znj. Osmani, ndoshta, është e trazuar edhe nga takimet bilaterale që Kurti pati në Kosovë me dy zëvendës ndihmës-sekretarë amerikanë.

Vjosa Osmanin do ta kemi më tutje në politikë – jo si presidente, ndoshta, por si njëra nga lideret që edhe mund të drejtojë një subjekt të sajin. A ka ambicie? Po! A janë legjitime këto ambicie? Po!

Mirëpo, nga kapaciteti i saj si presidente, ajo është vërejtur dhe vazhdon të shihet nga kritikët si një presidente që nuk përfaqësoi unitetin e popullit. Sidoqoftë, për dallim nga Kurti, gati në fund të mandatit, ajo po bën manifeste politike për t’u dalluar nga ai. E me reagimin e saj të sotëm ndaj Gjykatës Kushtetuese – a u dallua ajo, në thelb, nga Kurti? Unë dyshoj që jo. Iu kthye doktrinës së mohimit e rebelimit – një recetë kjo që, të paktën në CV-në e znj. Osmani, ishte treguar mjaft rezultative.

Siç e dimë, Vjosa Osmani ishte kthyer në gulinov të çdo të arriture të Kosovës, vetëm e vetëm që ta kapitalizonte politikisht maksimalisht ambicien e saj – kryekëput për vete.

Bilanci: Ajo sot është presidente.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot bëhen nëntë vjet nga sulmi me zollë ndaj Kuvendit…