RIKUJTESË / DEMONSTRATË NË MBROJTJE TË KOSOVËS

27 mars 2022 | 19:23

Ismet Sylejmani

Shumë e nderuara Majlinda, vajza e vetme dhe të dashur vëllezër e motra, familje e gjerë e dëshmorit të kombit Agim Rashiti!

Të dashur pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve të kombit!

Të dashur invalidë, veteranë dhe ushtarë të luftërave të armatosura çlirimtare!

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, z.Hydajet Hyseni, z.Berat Luzha, z. Lutfi Haziri, z.Fatmir Rexhepi!

Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës!

I nderuar ish-Komandant i ZOK-ut të UÇK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës z.Ahmet Isufi!

I nderuari Kryetar i Komunës së Gjilanit z.Qemajl Mustafa!

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj!

Edhe atdhetari i përmasave më të mëdha, kurrë nuk ka mundur të besojë, se 20 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit Agim Rashiti, populli shqiptar do ta organizojë dhe mbajë në Kosovën e lirë dhe të pavarur, të njohur e të pranuar ndërkombëtarisht.

Sot përkujtojmë 20 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të Kombit Agim Rashiti, në Gjilanin ku më nuk shkelë çizmja e milicëve dhe ushtarëve kriminelë serb, ku më nuk janë të mbushura lokalet e UDB-së famëkeqe me të rinj e të reja, ku burgu i Gjilanit nuk është i stërmbushur me shqiptarë, të cilët rriheshin dhe torturoheshin e gjakoseshin barbarisht nga udbashët serb dhe veglat e tyre të ndyra shqipfolëse.

KUNDËR NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE QË I KËRKONTE KRIMINELI MILOSHEVIQ

Motra dhe vëllezër!

Njëzet vjet më parë më 27 mars 1989 në Kosovë në përgjithësi dhe në Gjilan në veçanti, ishte totalisht gjithçka ndryshe.

Populli shqiptar i gjendur nën pushtimin serbo-jugosllav, jetonte momentet e tij nga më të vështirat dhe nga më të rëndat në historinë e tij.
Përkundër të gjitha të këqijave, popullit tonë dhe Kosovës i kanosej edhe një e keqe e re e madhe, po ndrronin vendet e tyre kriminelët serb në udhëheqjen e lartë të Serbisë.

Po vinte në udhëheqje të piramidës serbe një njeri me emrin Sllobodan Millosheviq.

Ky emër i urryer më vonë do të shndërrohej në personifikimin e kriminelit më të madh të njerëzimit.

Regjimi ushtarako-policor i këtij krimineli të ri serb, po forcohej pandërprerë.

Popullin shqiptar dhe Kosovën po e prisnin ditë jo të mira.

Hangjarët helmues të kriminelëve e gjakpirësve serb, kundër çdo gjëje shqiptare ishin drejtuar nga të gjitha anët.

Për të instaluar rregjimin e tij prej krimineli e kasapi, Sllobodan Millosheviq, vendosi dhe morri aksion ta zhvishte Kosovën edhe nga ato pak të drejta kushtetuese që kishte.

I ndihmuar dhe përkrahur nga struktura të caktuara federative dhe nga një grumbull shqipfolësish tradhtarë si Rrahman Morina, më 23 marës të vitit 1989, bëri me dhunë ndryshimet kushtetuese, e njohur në popull si kushtetuta e tankeve.

LPRK DOLI E VETME DHE SHUMË E VENDOSUR KUNDËR POLITIKËS SHFAROSËSE SERBE

Në ato rrethana padyshim shumë të rënda, për Kosovën dhe popullin shqiptar, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, në udhëheqje të së cilës kishte bijtë e mëdhenj të kombit heronjtë Afrim Zhitia dhe Fadil Vata me shokë, kishte dalur e vetme por shumë e vendosur përballë kuqedrsës serbe.
Lëvizja Popullore kishte mbështetjen e popullit shqiptar të Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për mbështetjen që gëzonte, filloi organizimin e demonstaratve kundër pushtuesit serb.

Ashtu si edhe në të gjitha qytetet e Kosovës, edhe në Gjilan më 27 marës 1989, u organizua një nga demonstratat më të fuqishme dhe më të mëdhatë, jehona e të cilës u dëgjua në tërë hapësirën shqiptare.

Më 27 mars 1989 në Gjilan, ishte demonstrata e parë e zhvilluar pas atyre që kishte organizuar gjenerata e artë e Kadri Zekës, Rexhep Malës, Hydajet Hysenit e shumë heronjve e bijëve të mëdhenj të popullit tonë.
Demonstratës së 27 marsit në Gjilan, me gjakun e Tij, vulën ia dha djaloshi sypatrembur nga familja patriotike e Dragancës, Dëshmori i Kombit, Agim Rashiti.

Motra dhe vëllezër!

Asgjë në historinë e popullit tonë të luftërave për liri nuk ka ngjarë rastësisht, prandaj edhe dalja në demonstratë dhe rënia e dëshmorit Agim Rashiti, kishte para traditën atdhetare të familjes Rashiti nga Draganca.Nga ky fshat jo shumë i njohur i Komunës së tonë, Lufta Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte pasur një luftëtarë e komandant të njohur, Xheladin Beqirin, Komandant Karadakun i cili kishte bërë luftë legjendare në Grykën e Mezhgoranit në Shqipërinë e Jugut.

Dëshmori i Kombit Agim Rashiti me gjakun e tij ujiti tokën e Kosovës dhe të Gjilanit. Në oborrin e spitalit regjional të Gjilanit, kriminelët e goditën për vdekje, dhe aty pranë njerëzve që kuroheshin nga smundje të ndryshme njerëzore, Agimi derdhi gjakun e Tij, duke dëshmuar para tërë botës se çdo pëllëmbë e Kosovës duhet të lahet me gjak, madje edhe oborret e spitaleve ku mantelbardhët luftojnë për cdo qast me vdekjen që u kanoset njerëzve të rëndomtë, që u vjen nga zoti.

Neve anëtarëve të Këshillit të Rrethit të LPRK-s që kishim organizuar demonstratën e 27 Marsit, vrasja e demonstruesit shqiptar, dëshmorit të kombit Agim Rashiti, na goditi shumë, por rënia herike e kampionit të të rinjve të boksit kosovar, ishte mobilizim i madh për popullin shqiptar dhe lëvizjen ilegale politike, ishte mobilizim i madh i rinisë e cila po pergaditej te merrte mbi supet e saj flakën e luftës për liri, ishte mobilizim i madh për të vazhduar rrugën e lavdishme të heronjve dhe të udhëheqësve të mëdhenj Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu, Metush Krasniqi, Hydajet Hyseni, Nazmi Hoxha, Ilmi Ramadani, Bejtullah Tahiri e shume te tjere.

Gjilani i 27 Marsit të vitit 1989 ishte qerdhe jo e vetme e lirisë së gjeografisë së Kosovës.

Ashtu si edhe ne qytetet tjera të Kosovës, Gjilani jehonte, gjemonin me thirrje per largim te Serbise nga Kosova vazhduesit besnik të veprës së të rënëve për liri.

Kerkonte liri dhe pavaresi populli shqiptar i Gjilanit, ashtu si i gjithë Kosovës.

Kundër tërë asaj qe ngjante ne demonstratat gjithpopullore, ku mbrohej dhe kerkohej mosndryshimi kushtetues, ku ju dilnim zot të drejtave tona legjitime dhe kërkonim më shumë të drejta që na takonin, soldateska kriminale serbe, ishte dalë hapur para popullit me tanke e autoblinda, derdhte gazlotsjelles, ushtronte dhune dhe rrahte pameshirshem gjithe ata qe arrinte t’i kapte dhe shume nga ata i burgoste dhe i denonte me muaj e vite burg.

Hakun për gjakun e derdhur dhe për vrasjen e dëshmorit të kombit Agim Rashiti, dhe të dëshmorëve tjerë e morri e lavdishmja Ushtria Çlirimtare e Kosoves, ne krye me Komandantin Legjendar Adem Jasharin.

Gjaku i derdhur i Dëshmorit të Kombit Agim Rashiti është në themelet e shtetit të ri dhe të pavarur të Republikës së Kosovës.

ËSHTË E PAPARANUESHME QË DËSHMORËT E KOMBIT TË PREHEN NË VARREZAT E QYTETIT, KUR VARREZAT E DËSHMORËVE EKZISTOJNË

Motra dhe vëllezër!

Por për çudi, dëshmorit i kombit Agim Rashiti i vrarë me rafal automatiku, ashtu sikur edhe Dëshmori i Kombit, Zija Shemsiu, Reshat Ymeri e Rexhep Elmazi, nuk u pushojnë eshtrat e Tyre në varrezat e dëshmorëve të kombit edhe pas 10 viteve çlirim nga pushtuesit serb. Dëshmori i Kombit Agim Rashiti nuk njihet edhe de jure nga shteti i Kosovës Dëshmor Kombi, ashtu siç nuk njihen për çudi edhe Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu, Reshat Ymeri, Rexhep Elmazi e të tjerë dëshmorë të rënë anekend Kosovës para viteve 1990.

Kërkoj nga Kryetari i Komunës së Gjilanit i nderuari z. Qemajl Mustafa, që të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e Tij, që dëshmorët e Gjilanit të rënë para Luftës së UÇK-së të njihen edhe zyrtarisht Dëshmorë të Kombit.

Gjithashtu kërkoj nga i nderuari Kryetari i Komunës së Gjilani z.Qemajl Mustafa dhe shoqatat e dalë nga Lufta, që të organizohet një ceremonial madhështor i përcjelljes për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Këtyre Dëshmorëve të Kombit: Zija Shemsiu, Rexhep Elmazi, Agim Rashiti dhe Reshat Ymeri, që padrejtësisht po prehen afër atyre të rëndomtëve, që kanë vdekur nga sëmundje normale njerëzore, apo nga pleqëria e thellë.

Por do të ishte nderë e lavdi sikur në varrezat e dëshmorëve të kombit të pushonin edhe dëshmorë të mëdhenj të kohërave të mëhershme, që kanë lënë nam të madh në luftërat për liri kundër pushtuesve të huaj, si Idriz Seferi, Mulla Idrizi etj..

Lavdi deshmorit të kombit Agim Rashiti!
Lavdi dëshmorëve të kombit!

Prishtinë, 27.03.2009

Ismet Sylejmani
Kryetar i Klubit Politik ”Afrim Zhitia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lajmi për martesën e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi me Marta…