Riola Xhemaili: Ky është emocioni më i madh që kam provuar në jetë

11 korrik 2025 | 14:14

Kaloi një vit të vështirë dhe nuk ishte titullare. Riola Xhemaili nuk u ndodh në fushë për pjesën më të madhe të kohës, ndërsa Zvicra luante shanset e saj për kualifikim në çerekfinalet e Kampionatit Evropian të femrave, duke pasur përballë Finlandën.

Në stadiumin e “Gjenevës”, skuadra helvete që është vendase në këtë turne, kishte nevojë për një barazim ndaj Finlandës, dhe plani i trajneres suedeze, Pia Sundhage, dukej se do të realizohej pa u aktivizuar fare shqiptarja nga Kosova. Gjithsesi, finlandezet ia dolën të shënonin, madje vonë. Një penallti e merituar ndihmoi mbrojtësen Natalia Kukia, që të kalonte ekipin e tij në avantazh 1-0 dhe t’i jepte për momentin kualifikimin. Në atë kohë, erdhi momenti i Riola Xhemailit.

Mesfushorja 22-vjeçare, që luan në Holandë për PSV Ajndhovenin, hyri në fushë në minutën 81-të dhe ishte shpëtimi i ekipit. Në një aksion koral, goditja e saj pranë portës solli barazimin 1-1 në 92’, dhe bashkë me të edhe kualifikimin.

“Jam e lumtur. Ndihem e bekuar që shënova në fund dhe jam e lumtur që ia dolëm. Falënderoj ekipin pasi ia dolëm së bashku. Ishte një ndeshje shumë emocionuese. Ishte e bukur për shikuesit, por me shumë stres në fushë. Ishte e pabesueshme, si realizimi i një ëndrre. Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën që provova. Kur isha fëmijë ëndërroja të shënoja gola të tillë, dhe ja ku ia dola. Ky është emocioni më i madh që kam provuar në jetë”, ka thënë Riola Xhemaili. Zvicra tashmë është në çerekfinale për herë të parë në histori, ndërsa në krye të Grupit A doli Norvegjia me 9 pikë, pra me tri fitore të plota, që mundi Islandën me shifrat 4-3. Shorti në katërshe mund të jetë shumë I vështirë pasi përballë pritet të jetë Spanja, kampione e botës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e sapo inkuadruar në elitën e basketbollit të Kosovës,…