Rohde: Zgjidhja e krizës u takon politikanëve, jo Kushtetueses – Kosova rrezikon të humbë relevancën

15 korrik 2025 | 20:43

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, u është drejtuar me një mesazh të qartë liderëve të partive politike lidhur me ngërçin institucional duke u bërë thirrje të veprojnë shpejt për gjetjen e një zgjidhje. Rohde ka thënë se përgjegjësia për dalje nga kjo situatë bie direkt mbi politikanët, e jo Gjykatën Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

Rohde ka shprehur shqetësimin e tij për këtë bllokadë dhe ndikimin negativ në reputacionin ndërkombëtar të vendit. Ai përmendi edhe deklaratën e Ambasadorit të Francës, i cili mbrëmë bëri thirrje për kompromis.

Sipas ambasadorit, nëse Kuvendi nuk konstituohet së shpejti, Kosovës rrezikon t’i zbehet relevanca.

“Nuk jam në një pozitë që të vlerësoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja qartazi ka thënë se iu takon politikanëve që ta zgjidhin problemin. Mua më duket që në anën politike, shpresojnë që referi i madh do të gjetë gjykata, por Kushtetuesja nuk mund ta bëjë punën e politikanëve. Zgjidhja duhet të bëhet shpejt, përndryshe e dini, kur kolegu im francez e kishte ditën ndërkombëtare, ai gjithashtu bëri thirrje për një kompromis për ta zgjidhur këtë ngërç politik. Nëse asgjë nuk ndodh, Kosova po e humb anijen, sepse relevanca e Kosovës do të zbehet. Nëse nuk e keni një qeveri vendimmarrëse, si mund të jeni të rëndësishme. Puna është shqetësuese…shpresoj që së shpejti Kosova do të na jap lajme të mira dhe jo si deri më tani. Më duket mua që askush deri më tani nuk po përpiqet që të bëj një hap para, për vendi, për popullatën, por gjithashtu edhe për reputacionin ndërkombëtar. Kosova duhet të ece përpara”, ka thënë Rohde në RTV Dukagjini.

Rohde ka thënë se situata e krijuar po ka pasoja serioze ekonomike për qytetar, teksa gjithë situatën e krijuar e ka përshkruar si “cirk”.

“Mund ta përshkruaj më një fjalë , apo si e quanin parlamentarët sot: ky është një cirk, një ngërç politik, për fat të keq nuk kemi marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara. Nuk kemi shpenzime kapitale të shpenzuara, tenderët janë të bllokuar, dhe kjo ka pasoja ekonomike edhe për popullatën”, ka deklaruar Rohde.

Ai ka përmendur takimet që ka zhvilluar me të gjithë liderët politikë.

“Tani jemi në përpjekjen e 47 për të themeluar Kuvendin dhe Qeverinë. Kam folur me të gjitha liderët politike, javën kaluar dhe dje dhe për fat të keq të gjithë po flasin ‘keq’ për njëri tjetrin. Dhe mendoj që kjo është shume pa fat, që e kemi këtë krizë politike dhe këtë ngërç politik”, ka shtuar Rohde.

Ndryshe, sot ka dështuar përpjekja e 47’të për konstituimin e Kuvendit. Sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, afati i fundit për konstituim të Kuvendit është 26 korriku, mirëpo ka paqartësi mbi pasojat juridike nëse kjo nuk ndodhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i ftuar në emisionin “Kosova…