Roli i ish-të burgosurave politike në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë

05 shkurt 2024 | 11:33

Në vitin 1990 vajzat shqiptare, të cilat kishin kaluar vite të tëra të rinisë nëpër burgje si të burgosura politike, ia hapën vetes edhe një derë tjetër të barazisë gjinore, atë të pjesëmarrjes në pajtimin e gjaqeve. Ajo kishte qenë e mbyllur për to duke filluar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, Besëlidhja e Lezhës, e Prizrenit, e Pejës…

Lulëzim ETEMAJ

Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë ishte lëvizja më autentike në historinë e popullit shqiptar. Rezultati i lartë i arritur gjatë veprimtarisë së saj njëvjeçare: falja e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave në mënyrë vullnetare, pa kompensim apo çfarëdo kushti të shtruar; shtrirja e saj si dhe përfshirja në të e vajzës shqiptare, ish-e burgosur politikisht, janë disa prej karakteristikave të saj më të veçanta. Në këtë punim do të trajtohet pikërisht kjo e fundit: përfshirja dhe roli i tyre, përkatësisht veprimtaria e dymbëdhjetë prej ish-të burgosurave politike në kuadër të kësaj lëvizjeje. Ato janë Have Shala, Myrvete Dreshaj, Zoge Shala, Akile Dedinca, Nafije Zendeli, Valdete Fejzullahi, Zyrafete Muriqi, Hidajete Krasniqi, Lumnije Dreshaj, Shyhrete Mala, Lumnije Azemi dhe Fikrije Musa. Qytetet e prejardhjes së tyre janë: Pejë, Istog, Fushë-Kosovë, Gostivar, Kamenicë, Ferizaj, Besianë.

I gjithë shtjellimi çon në konkluzionin se roli i vajzave shqiptare në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë, i ish-të burgosurave politike, ishte shumëdimensional dhe i një rëndësie të veçantë si në aspektin human, po ashtu edhe në atë kombëtar. Ky ishte një rol jetik në kuptimin e plotë të fjalës, që nuk ndeshet asnjëherë më parë në historinë e popullit shqiptar. Si i tillë, ai është jo vetëm rol pasurues, por edhe përçues, njëherësh lartësues, i vlerave, lirive dhe të drejtave më themelore të njeriut. Madje nuk është rol i përkohshëm. Ai reflekton shembullin që duhet ndjekur jo vetëm kur në pyetje është gjakmarrja, por edhe kur temë mund të bëhet pozita e vajzës dhe gruas, posaçërisht atyre shqiptare, të drejtat e tyre të barabarta me burrat në çdo segment jetësor, sidomos në sferën private dhe në atë publike të shoqërisë dhe kombit tonë.

Një historik i shkurtër i gjakmarrjes

Gjakmarrja ndër shqiptarë ka rrënjë historike si te të gjithë popujt e tjerë. Te ne ajo është sanksionuar nëpërmjet Kanunit të Lekë Dukagjinit, në të cilin janë përmbledhur norma dhe doke shqiptare të karakterit juridik dhe social.

“Gjaku për gjak”, “Gjaqet i la Leka si nja-nja: del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit (1)”. Kështu e ka kodifikuar gjakmarrjen Kanuni i Lekë Dukagjinit. Njëkohësisht, nëpërmjet vënies së ligjësisë, Kanuni e ka barazuar edhe vlerën e gjakut, duke e konsideruar atë të njëjtë, pavarësisht prej dukjes fizike që kanë apo se çfarë shtrese sociale i takojnë i vrari dhe dorasi. Njëjtë, si gjaku i burrit, është vlerësuar edhe gjaku i gruas, në rastin kur ndonjëra vritej (2). Për më tepër, asaj, ashtu si dhe priftit, i është garantuar mbrojtja shtesë nga shtëpia e të vrarit, duke përjashtuar rënien e tyre në gjak dhe, rrjedhimisht, edhe vrasjen e tyre për ta kryer gjakmarrjen. Sepse “Grueja dhe prifti nuk biejn në gjak (3)”.

Të fortit dhe të pasurit, kështu, nuk i njihet e drejta që në emër të epërsisë dhe të vlerës së gjakut, ta vrasë të ligun apo të varfrin, pa llogaritur në të drejtën e tij për t’u gjakmarrë.
Duke jetuar në një shoqëri patriarkale, pa ligje dhe pa shtet, nëpërmjet legjitimimit të gjakmarrjes, Kanuni i Lekë Dukagjinit e ka penguar keqpërdorimin e fuqisë, qoftë ajo fizike apo ekonomike.

Krahas njohjes të së drejtës për gjakmarrje, Kanuni e ka sanksionuar edhe pajtimin e gjakut, duke e përfshirë edhe të drejtën e të zotit të gjakut për t’ia kërkuar dorasit çmimin e caktuar të gjakut, së bashku edhe me një martinë që mund t’i pëlqejë atij. Barrë tjetër që i është ngarkuar dorasit është pagesa që ai duhet t’i bëjë shkuesit (pajtimtarit) të gjakut, e njohur si “këpuca e shkuesit të gjakut” (4), nëse ai i del në krye punës, duke e arritur pajtimin e gjakut.

Shkuesija e gjakut, e rregulluar me Kanunin e Lekë Dukagjinit, me kohë pasurohet përmbajtësisht dhe merr forma të reja. Besëlidhjet shqiptare të caktuara, si Lidhja e Lezhës, 2 mars 1444, Lidhja e Prizrenit, 10 qershor 1878, dhe Lidhja e Pejës, 23-29 janar 1899, paraqesin një formë të re për pajtimin e gjaqeve, por krejt të ndryshme nga ajo e paraparë me Kanun. Tani pajtimi bëhej me vendime të posaçme, të nxjerra në kuvende nga drejtues të tyre, ndërsa nuk përfshinte raste të veçanta, por faljen dhe pajtimin në grup.

Duke qenë ndër shekuj me radhë pjesë e pandashme e traditës dhe duke e pasur mbështetës të fuqishëm mentalitetin partriarkal, gjakmarrja ka shënuar ndërprerjet, pezullimet apo ndalimet e saj, por nuk është zhdukur ende te shqiptarët. Faktor shtesë i mbijetimit të saj te shqiptarët në Kosovë është nxitja edhe përmes indiferencës dhe mosmarrjes së masave efikase kundër saj nga ana e pushteteve të ndryshme sllave, nën të cilat padrejtësisht ndodheshin shqiptarët e mbetur jashtë shtetit amë – Shqipërisë. Mund të flitet për mënyrat, përkushtimin, rëniet dhe ngritjet e angazhimeve të regjimeve të ndryshme në zbatimin e projektit të Vasa Çubrilloviqit, i cili nxitjen e gjakmarrjes nga regjimi e shihte si mjet për zhdukjen e shqiptarëve (5), por jo për heqjen e tyre dorë nga realizimi i tij.

Mentaliteti patriarkal, përjashtues ndaj vajzave/grave shqiptare

Organizimi dhe mentaliteti patriarkal i shoqërisë shqiptare, pavarësisht prej shkallës zhvillimore, paraqet bazën mbi të cilën është ngritur dhe ruajtur në periudha të ndryshme historike e përbashkëta konstante e të gjitha formave të pajtimit të gjaqeve; mungesa e përfshirjes në to të vajzës dhe gruas shqiptare, duke filluar që nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.

“Burrat falën gjaqet”, “Atyre që falën iu takon burrëria”. Këto dy cilësime, të vjetra me shekuj, të shprehura në adresë të atyre që falin gjakun, shpërfaqin botërisht mentalitetin përjashtues ndaj vajzës dhe gruas shqiptare si dhe mohimin e të drejtës së saj për të qenë e përfshirë në aktin fisnik të faljes së gjakut. Për rrjedhojë, ajo nuk mund të marrë pjesë në pajtim as në cilësinë e shkueses, pajtimtares, as në cilësinë e falëses së gjakut.

Nuk është vetëm përjashtimi i vajzës/gruas shqiptare nga akti i pajtimit të gjaqeve njëra nga pasojat më të rënda të praktikës kanunore dhe mentalitetit patriarkal në familje apo shoqëri. Si njëra ashtu dhe tjetra, edhe përkundër ligjeve pozitive në fuqi të shtetit, me fillesë posaçërisht nga mesi i shekullit XX e tutje, kanë vazhduar ta diktojnë edhe shkallën e zhvillimit ekonomik, arsimor, kulturor, sociologjik, përfshirë edhe pjesëmarrjen e vajzës/gruas shqiptare në jetën publike, organizatat dhe veprimtaritë e ndryshme në Kosovë.

Mentaliteti patriarkal, në njërën anë, shtypja e të drejtave njerëzore dhe mohimi i të drejtave kombëtare, në anën tjetër, janë dy skajet e zinxhirit të lidhur në këmbët e vajzave e të grave shqiptare ndër shekuj. Prandaj lufta e tyre, për dallim prej burrave, duhej të zhvillohej në dy fronte. Ato e bënë këtë luftë, e cila, në frontin patriarkal, ishte krejt e pabarabartë, për faktin se nuk e kishin përkrahjen e mjaftueshme të burrave. Në frontin tjetër, në atë të qëndresës kombëtare kundër armikut, ia arritën të jenë të barabarta me burrat edhe në goditjen që ua dha shteti, përfshirë dhunën dhe burgosjen. Kështu, të burgosurave dhe të dënuarave të para politikisht në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, 23 tetor 1945, Nesibe Zhuri, 17 vjeçe, një vit burgim; Mane Shyti, 19 vjeçe, lirohet nga aktakuza në ditën e shpalljes së gjykimit; Çeçile Krasniqi, 23 vjeçe, lirohet nga aktakuza; Mrika Gjoka, 16 vjeçe, lirohet nga aktakuza; Roza Mjeda, 18 vjeçe, një vit burgim; Luçije Bashota, 17 vjeçe, një vit burgim; Roza Cuki, 16 vjeçe, një vit burgim; Gjyljana Mateji, 18 vjeçe, dy vjet burgim, e arrestuar dhe dënuar në vitin 1945; Laura Shmani (6), 25 vjeçe, italiane, e dënuar me të, po ashtu si pjesëtare e Nacional Demokratikes Shqiptare (NDSh), me pesë vjet burgim; Marie Shllaku, e arrestuar dhe dënuar me pushkatim në vitin 1946; Hyrije Hana (1929), e arrestuar dhe dënuar pesë 5 vjet burgim në vitin 1961 (7), po i shtoheshin pa ndërprerje bashkëvuajtëset e burgut politik, posaçërisht me intensitet të rritur pas demonstratave studentore të vitit 1981 në Kosovë, në të cilat dominonte kërkesa politike “Kosova Republikë”.

Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, përkatësisht reagimi i Beogradit zyrtar dhe mekanizmavetë tij politike si dhe atyre të ndjekjes dhe represionit në Kosovë, jo vetëm që ndikuan në shtimin e numrit të ish-të burgosurave politike, porse ato u bënë pjesë shumë e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Kosovës, e cila kulmoi me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.

Një kronologji përmbledhëse e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe ish-të burgosurave politike

Në vitin 1990, vajzat shqiptare, të cilat kishin kaluar vite të tëra të rinisë nëpër burgje si të burgosura politike, ia hapën vetes edhe një derë tjetër të barazisë gjinore, atë të pjesëmarrjes në pajtimin e gjaqeve. Ajo kishte qenë e mbyllur për to duke filluar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, Besëlidhja e Lezhës, e Prizrenit, e Pejës, për të vazhduar me atë të Malësisë së Madhe, mbajtur më 28 qershor 1970 në Tuz, në të Rugovës mbajtur më 22 nëntor 1970 në Drelaj, deri te këshillat e pajtimit, “Islihatet”, që vepronin herë pas here, të formuara nga pleq me autoritet (8). Duke ia hapur vetvetes këtë derë, ato ua hapën edhe derën e rëndë të patriarkalizmit mijëra shoqeve të tyre vajza dhe gra shqiptare.

Në Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave në Kosovë, të filluar më 2 shkurt 1990 nga rinia studentore e Pejës, i cili shumë shpejt u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore, ato i hasim, në kundërshtim me Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe të gjitha traditat e deriatëhershme të faljes së gjaqeve, si:
– ideatore dhe nismëtare të pajtimit të gjaqeve;
– veprimtare në terren, për t’u bërë ftesë dhe bindur familjet e dëmtuara t’i falin gjaqet, plagët dhe ngatërresat;
– shtrirëse të pajtimit në rrethet e tjera të Kosovës përmes themelimit të këshillave të reja të pajtimit;
– drejtuese të kuvendeve të pajtimit të gjaqeve;
– koordinuese dhe drejtuese të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve;
– drejtuese të kuvendeve të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve.

Më 29 janar 1990, kur në shtëpinë e Adem Grabovcit në Pejë u mor vendimi për ta filluar pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave në Kosovë, sipas idesë paraprake të ish-të burgosurës politike Have Shala (1966), Rashiq (Pejë), bashkëvendimmarrëse, krahas ish-të burgosurve politikë, Adem Grabovci (1960), Brahim Dreshaj (1961), Nabergjan (Pejë) dhe Lulëzim Etemaj (1965), Saradran (Istog), ishte edhe ish-e burgosura tjetër politike, Myrvete Dreshaj (9) (1966), e lindur në Vrellë, komuna e Istogut, me vendbanim në Pejë, e dënuar në vitin 1985 së bashku me Have Shalën si anëtare e Grupit “IDEALI” (10). Have Shala, njëkohësisht, bën pjesë edhe në grupin e përbërë nga ajo, Adem Grabovci dhe Brahim Dreshaj që të nesërmen e marrjes së vendimit i kontaktojnë në Prishtinë dhe i ftojnë për t’iu bashkangjitur pajtimit të gjaqeve edhe profesorët Anton Çetta dhe Zekeria Cana.

(Punimi është botuar në revistën e Shkencave Albanologjike, “Studime albanologjike”, nr. 23, Shkup 2023. Fusnotat publikohen në fund të punimit/ VIJON)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë doktori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK),…