ROLI I STUDENTËVE NË DEMONSTRATAT E 3 PRILLIT ’81 NË MITROVICË

03 prill 2021 | 23:28

Bajrush Xhemajli

Pas LDB, shqiptarët në Jugosllavi, prapë mbetën të robëruar, vec se tani, nën një regjimin të egër komunist edhe më të rafinuar si pushtues. Menjëherë, ende pa përfunduar mirë lufta, shqiptarët po i vrisnin në emër të shuarjes së krengritjeve, si në Drenicë, Gjilan e Ferizaj, pastaj në Tivar e gjetiu; po i vriste shqiptarët në emër të pastrimit të të ashtuquajturave “banda të armatosura”; po i varfëronte shqiptarët edhe ashtu të varfër e në skamje sic ishin, me mbledhjen e “vishak”-ut; po i rrihte edhe deri në vdekje, në emër të aksionit për mbledhjen e armëve e, në fakt, po ua bënte jetën e vështirë për të jetuar, në njërën anë dhe, në anën tjetër, ua hapte derën për t’i degdisur për Turqi që të shpërnguleshin në shkretëtirat e Anadollit, që tua mbyllte perspektivën dhe tua këpuste shpresën për të jetuar në trojet e tyre.

Por, me rënjen e Aleksandër Rankoviqit  në vitin ’66, hegjemonizmi serb në Jugosllavi, mori goditje të rëndë. Këtë klimë më të favorshme politike, shqiptarët e shfrytëzuan dhe, forcat patriotike, dy vite më vonë  organizuan demonstratat të cilat ndikuan në dhënjes e disa të drejtave themelore. Kushtetuta e Vitit ’74, e zvetnoi edhe më shumë ndikimin serb, në Federatën jugosllave dhe shovenizmi serb pësoi goditjen e dytë.

Njëherit Republika e Shqipërisë doli nga Traktati i Varshavës dhe Jugosllavia Federative vec kishte ndërruar kursin e saj, në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Këto dy shteteve, jashtë aleancave ushtarake, në këto rrethana, në aspektin e sigurisë, u konvenonte klima e krijuar. Tani më marrëdhëniet e ngrira të vitit  ‘48 I kishin përmirësuar.

Në këto rrethana të krijuara, shqiptarët në Jugosllavi, sidomos në Kosovë, kishin avansuar si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, kulturor e të tjera. Por, gjithësesi, Kushtetuta e ’74-tës, shqiptarëve nuk po u binte tamam. Ishin largë nga të qenit të lirë e të pavarur dhe se, si popull I tretë për nga madhësia, po trajtoheshin si koloni, pasi ishin më të shkelur, më të varfër e më të përbuzur; në aspektin ekonomik, ishte një pabarazi ekstreme, në raport me republikat tjera e Krahinën e Vojvodinës, etj.

Këtë pabarazi, kreu politik, si në Federatë ashtu edhe në Krahinën e Kosovës, u mundua ta kamuflonte  me propagandë për barazi e vëllazërim-bashkim, por nuk shkonte. Realiteti ishte i rëndë e i vrazhdë dhe pabarazia po thellohej. Këtë gjendje e venin në spikame organizatat e shumta atdhetare, të cilat kurrë nuk pushuan së vepruari dhe kështu   mbanin gjallë idenë e bashkimit me shtetin amë dhe çlirimin e vendit.

Shqiptarët po bashkoheshin rreth idesë së lirisë të cilën më së miri e përfaqësonte lideri i pakontestueshëm, më i madhi e më largpamësi, Adem Demaqi. Vetëdija kombëtare po fuqizohej me dinamikë të paparë deri atëherë.

Erdhi viti ’81. Shqiptarët në Jugosllavi ishin shkolluar e ishin ndërgjrgjësuar kombëtarisht dhe se traitimi kolonial që u bëhej u kishte ardhur te hunda e ky nënshtrim nuk po durohej më , prandaj mjaftonte një shkëndi  e shqiptarët të ngriheshin në këmbë. Dhe, atë shkëndi, e dhezën studentët më 11 mars ’81, në menzën e studentëve, për të marrë flake pastaj, prapë në konviktet e tyre më 26 mars e për të vazhduar më 1 e 2 prill në Prishtinë, e po këtë ditë më 2 prill në Vushtrri, dhe një ditë më vonë, më  3 prill në Mitrovicë, Ferizaj e nëpër qytete të tjera, për të vazhduar deri më 5 maj në Kaçanik.

Padyshim që Mitrovica, si qendër studentore  në Kosovë, më e madhja pas Prishtinës, ishte në qendër të vëmendjes, si nga ana e e pushtuesit ashtu nga ana jonë, të cilët synonim të organizonim gjithësesi demonstratë edhe këtu. Dhe, jo vetëm demonstratë studentore sa për të thënë, por  duhej akorduar me të gjitha forcat tjera të interesuara e që ishin të disponuara për ta bërë sa më të madhe  ngjarjen që duhej të vinte. Në faktë, demonstrimi në Prishtinë më 11 mars, i shqetësoi tej mase pushtetmbajtësit.

Kjo u reflektua menjëherë më 12 mars në menzën e studentëve në Mitrovicë, ku për drekë kishte ndërruar cdo gjë. Nga që në Prishtinë demonstruesit, një natë më parë, kishin kërkuar kushte më të mira, kështu që nga frika se po merr përmasa të përgjithshme studentore në nivel të Kosovës, në tavolina në menzën tonë në Mitrovicë, kishin vendosur mbulesa  të reja, bokalla të rinjë me ujë që nuk kishte pasur fare më parë, bukë më shumë, ushqim të përgatitur mirë, pastërti maksimale dhe sjellje të kujdesshme të stafit, madje kishin vendosur në cdo tavolinë të bukës edhe nga një vazo me lule, veprim që na bëri të qeshnim, pasi e dinim që zori i kishte shti.

11 marsi veç e kishte bërë efektin e vet menjëherë!

Në mesin e studentëve, nuk kishte bisedë tjetër përpos demonstratave. Për shumë kend nga studentët, mësimi kishte dalë në rend të dytë. Veç pritej momenti se kur do të shpërthente edhe në Mitrovicë. Organizata e grupime të ndryshme po dilnin në sipërfaqe të cilat deri atëherë kishin vepruar në fshetësi të thellë dhe tani po jepnin kontributin e tyre.

Kishte mendime të shumta e të ndryshme se si të shpërthente e ku të fillonte demonstrate, nga mendimi se duhej filluar në menzë të studentëve, e deri te ajo më e besueshmja, se më mirë do të ishte  në ditën e tregut, kur do të kishte më shumë qytetarë.

Sidoqoftë, ne nuk rrinim duarkryq. Kishim vendosur që në rendë të parë ata të cilët nuk ishim nga Mitrovica, të mos shpërndaheshim për të shkuar në shtëpitë tona pa krisë edhe në Mitrovicë.  Mandej studentët të cilët ishim aktiv, aty ku kishim ndikim, agjitonim për këtë synim tonin, për ta zgjëruar rrethin e përkrahësve e pastaj edhe nëpër shkolla të mesme të organizonim nxënës maturantë që të jenë në gjendje gatishmërie që t’iu bashkangjitëshin demonstratës që po përgatitej.

Por Prishtina printe me cdo formë të organizimit. Më 1 e 2 Prill, po ziente nga demonstratat. Sidomos 2 Prilli kishte aritur kulmin. Federata jugosllave kishte urdhëruar njësitet special të milicisë të cilat po bënin kërdinë me brutalitetin e tyre dhe po shtinin me armë në demonstruesit duarthatë. Në mbrëmjen e 2 Prillit u shpall gjendja e jashtëzakonshme në  Kosovëë, ku ndalohej cdo lloj grupimi ose aktiviteti publik.

Kjo situatë si duket e përshpejtoi demonstrimin në qytete të ndryshme, e sidomos në Mitrovicë e Ferizaj, ku ishte paraparë që të bëhëj ditën e pazarit pra të shtunën më katër prill, por që shpërthyen një ditë përpara.

Në Mitrovicë e nisën punëtorët e elektrolizës së zinkut duke demonstruar në drejtim të qendrës së qytetit dhe, në anën tjetër,  studentët nga menza e tyre, drejt qendrës, për tu bashkangjitur me demonstruesit në mes qytetit bashkë me punëtorë e qytetarë të tjerë, mu tek shtëpia e malleave “Jadran”, duke brohoritur parollat, si “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!”, e cila brohoritej më së shpeshti, e plotë parolla të tjera.  Marshimi i përbashkët vazhdoi deri te Shkritorja në Zveqan ku nuk u lejua nga milicia për të hyrë brenda prandaj marshimi vazhdoi prapë në drejtim të qytetit për të përshkuar qendrën e deri te tuneli,  ku u hezitua shumë për të kaluar prapë atje ku kishte filluar në mesin e punëtorëve të akumulatorëve, e të fafosit dhe elektrolizës së zingut, për t’u kthyer prapë në drejtim të qytetit, por që forcat special kishin zënë urën e Lushtës dhe nuk lejonin të kalonin. Demonstruesit ishim të vendosur për të kaluar andej dhe në marshimin mbi urë forcat e milicisë filluan me lotësjellës e pastaj gjuajtën me plumba me c’rast u plagosën shumë demonstrues dhe kështu u pamundësua që të kalonim andej ure. Këtu edhe përfundoi demonstrimi.

Këto Demonstrata tronditën themelet e shtetit jugosllavë, në veqanti establishmentin politik të Serbisë. Prandaj edhe shuarja e këtyre protestave ishte e përgjakshme. Vrasjet, burgojet, torturat, ishin jo vec sa për t’i shuar demonstratat, por ishte hakmarrje për guximin e treguar nga demonstytruesit dhe për të frikësuar popullin shqiptar që kurrë më të mos guxonte për të kundërshtuar okupimin.

Rëndësia e këtyre demonstratave të atij ‘Moti të Madh’ ishte e jashtëzkonshme sepse pushtuesit, në rend të parë, ia kishim bërë me dije një herë e mire, se nënshtrimin nuk do ta pranojmë kurre dhe se për lirinë tonë jemi në gjendje të vdesim. Ngjarjet e Pranverës së madhe të atij viti, padyshim se janë historike. Këto treguan se nuk ka kthim prapa dhe se shqiptarët ishin të vendosur të shkonin deri në fund e me cdo cmim që kërkohet për ta fituar lirinë e munguar. Demonstratat u masivizuan dhe u bënë popullore duke marrë pjesë në to të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare.

Demonstruesit e Pranverës  Shqiptare ’81, i forcuan themelet e lirisë, me sakrificën e tyre në përballje heroike e sypatrembur, duke bërë sakrificën supreme, me gjakun e derdhur për liri. Ngjarjet e ’81-shit frymëzuan brezat që erdhën pas, për sakrifica për liri të cilat kërkonte atdheu i robëruar.

Pushtetarët shqiptarë në Kosovë, të cilët ishin vazalë të Beogradit, nuk dualën në mbrojtje të demonstruesve por i dënuan ata. Këta vazalë, kërkonin që ne të ulnim koken, sic bënin ata vetë, por shqiptarët nën Jugosllavi, nuk ulën kokën si hungarezët që, ashtu si ne, e kishin  Krahinën e tyre të Vojvodinës, të cilët, atëherë e sot, mbetën nën Serbi. Ne donim liri dhe bëmë çdo gjë për ta fituar.

Vajzat, djemtë, gratë e burrat shqiptarë, më dinjitozë, lëre që nuk u përkulen para egërsisë së okupatorit, i cili po ivriste duke demonstruar paqësisht, por dijtën të rezistojnë me dekada dhe të gjejnë rrugën e lirisë, e të organizohen në luftë të armatosur deri në clirimin e Kosovës, me në krye UÇK-në.

Lavdi të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë, në Pranverën e Madhe të demonstratve të ’81-shit!

Ne cilësinë e pjesëmarrësit, si student ateherë, sot mbajta një fjalë rasti në shënimin e 40 vjetorit të demonstratave te vitit 81’ në Mitrovicë, ku edhe isha student ne fakultetin Xehtaro Metalurgjik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington të SHBA’së, përmes një shkrimi…