
Ronaldo, sportisti më i paguar për të tretin vit radhazi
Cristiano Ronaldo ka kryesuar listën e revistës “Forbes” për sportistët më të paguar në botë për të tretin vit radhazi, ndërsa ylli i NBA-së, Stephen Curry, është ngjitur në vendin e dytë. Sipas revistës së njohur të biznesit, Ronaldo, i cili e ka kryesuar këtë listë pesë herë gjatë karrierës së tij – ka rritur të ardhurat e tij të përgjithshme të vlerësuara me 15 milionë dollarë, duke arritur në 275 milionë dollarë.
Kjo shifër është tejkaluar vetëm nga boksieri i njohur Floyd Mayweather, i cili fitoi 300 milionë dollarë në vitin 2015 dhe 275 milionë dollarë në vitin 2018. Sulmuesi portugez, 40-vjeçar, u transferua në ligën saudite të futbollit me skuadrën Al Nassr në dhjetor 2022 dhe ka rritur të ardhurat e tij përmes marrëveshjeve të sponsorizimit dhe mbështetjes nga rrjetet sociale, ku aktualisht ka 939 milionë ndjekës.
Ylli i Golden State Warriors, Stephen Curry, i cili në mars u bë lojtari i parë në NBA që arrin 4,000 pikë në karrierë, është ngjitur në vendin e dytë me 156 milionë dollarë.
Boksieri britanik Tyson Fury është ngjitur në vendin e tretë me 146 milionë dollarë, pavarësisht se humbi titujt botërorë në peshën e rëndë ndaj ukrainasit Oleksandr Usyk në dhjetor. Fury përfitoi financiarisht nga një “reality show” në Netflix dhe një marrëveshje me turizmin maltez. Rivali i përjetshëm i Ronaldos, Lionel Messi, ka rënë më poshtë në renditje duke kaluar nga vendi i tretë në të pestin.
10 sportistët më të paguar në botë për vitin 2025
1. Cristiano Ronaldo, futboll – 275 milionë
2. Stephen Curry, basketboll – 156 milionë
3. Tyson Fury, boks – 146 milionë
4. Dak Prescott, futboll amerikan – 137 milionë
5. Lionel Messi, futboll – 135 milionë
6. LeBron James, basketboll – 133.8 milionë
7. Juan Soto, bejsboll – 114 milionë
8. Karim Benzema, futboll – 104 milionë
9. Shohei Ohtani, bejsboll – 102.5 milionë
10. Kevin Durant, basketboll – 101.4 milionë