
Rosberg: Russell frenoi qëllimisht për t’u hakmarrë ndaj Verstappen
Ish-kampioni i botës në Formula 1, Nico Rosberg, ka hedhur dyshime të forta mbi sjelljen e George Russell gjatë Çmimit të Madh të Kanadasë, duke deklaruar se piloti i Mercedes-it frenoi qëllimisht për të provokuar një penalizim ndaj Max Verstappen.
Ngjarja ndodhi në vijën e drejtë midis kthesave 12 dhe 13 të cirkuitit ‘Gilles Villeneuve’, ndërsa makina e sigurisë ishte ende në pistë. Sipas Rosberg, që fitoi titullin në vitin 2016, ky veprim nuk kishte të bënte vetëm me ndëshkimin e mundshëm të holandezit, i cili ndodhet në prag të një pezullimi për shkak të pikëve negative, por edhe me një përpjekje për të prishur ritmin e katër herë kampionit të botës, që po e ndiqte ngushtë.
“Kur je duke ndjekur makinën e sigurisë dhe sheh Max Verstappen në pasqyrë duke u afruar, duke zënë çdo hapësirë dhe ndonjëherë duke u barazuar me shpejtësinë tënde, të krijohet nervozizëm. Kjo ndikon tek çdo pilot. Dhe reagimi është i natyrshëm: ‘Epo mirë, merr edhe këtë!’”, shpjegoi Rosberg. “Prandaj, George frenoi për t’u hakmarrë ndaj Max”.
Rosberg shtoi se nuk do të çuditej nëse ishte vetë Verstappen që i kishte kërkuar Red Bullit të paraqiste ankesë kundër Russell për parakalim në kushte të ndaluara.
“Max ishte i tërbuar kur George frenoi para tij dhe kërkoi penalizim. Kjo është loja e maces me miun dhe është fantastike për garat!”, përfundoi Rosberg.
Përplasja psikologjike midis dy pilotëve duket se po shton tensionin në një sezon tashmë shumë të nxehtë në Formula 1.