
Rraci: Rrugëtimi nuk do të jetë i lehtë, por synojmë kualifikimin
Kosova do të përballet me Sllovakinë dhe Shqipërinë në Raundin e Parë Parakualifikues për FIBA EuroBasket 2029.
Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci, ka folur rreth shortit dhe synimeve të Dardanëve në këto kualifikuese.
Fillimisht Rraci ka folur rreth shortit. “Mendoj se shorti i hedhur sot ka qenë disi i favorshëm për ne, duke pasur parasysh që në vazon 1 dhe 3 ka pasur përfaqësuese shumë të forta, të cilat vitet e fundit kanë arritur rezultate të mira. Gjithashtu, mendoj se edhe orari i ndeshjeve është mjaft i përshtatshëm, pasi në dy dritaret e para do të zhvillojmë nga një ndeshje, që do të thotë se do të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur”, është shprehur Rraci për faqen zyrtare të FBK-së.
Pavarësisht se nuk ka ndeshje të lehta, Dardanët synojnë kualifikimin.
“Dy ndeshjet e para do të jenë shumë të rëndësishme për rrugëtimin tonë në këtë kampanjë, ndërkohë që objektivi ynë është të kalojmë raundin e parë të këtyre parakualifikimeve.
Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se rrugëtimi nuk do të jetë i lehtë, duke marrë parasysh se Përfaqësuesja e Sllovakisë ka pasur një ngritje të dukshme në nivelin e saj dhe së fundmi ka luajtur në fazën e grupeve për kualifikimet e EuroBasket 2025, në një grup shumë të vështirë”, shtoi tutje Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës.
Kosova do të luajë për herë të parë me Shqipërinë në garat zyrtare me seniorët.
“Po ashtu, edhe Kombëtarja e Shqipërisë ndodhet në një fazë rikonstruktimi të skuadrës dhe pa dyshim do të jetë shumë e motivuar për këto ndeshje.
Për ne do të jetë kënaqësi e madhe që, për herë të parë në histori, të përballemi me Kombëtaren Shqiptare në kualifikime, dhe pavarësisht rezultatit, besoj se kjo do të zgjojë një interesim të madh te të gjithë tifozët shqiptarë”, ka përfunduar Adriatik Rraci.
Ndeshja e parë e Dardanëve do të jetë kundër Kuqezinjve më 30 nëntor. Në korrik të vitit të ardhshëm do të jenë ballafaqimet e fundit, ndaj Shqipërisë si vendas dhe Sllovakisë si mysafir, më 2 korrik, përkatësisht 5 korrik.