RRAFSHET PARADIGMATIKE TË MESAZHIT

29 maj 2020 | 00:43

Myrvete Dreshaj-Baliu & Begzad Baliu

Hélène Stafford, Murmuritjet e hënës, përktheu në gjuhën shqipe Adem Xheladini, botoi Shoqata e Shkrimtarëve dhe Kritikëve Ndërkombëtarë, Prishtinë, 2019.

Ëshë kënaqësi të shkruaj për poezinë e studiueses, eseistes dhe poetes Hélène Stafford, me një titull simbolik dhe bukurtingëllues Murmuritjet e Hënës. Nxitjet e këtij interesimi vinë prej disa rrafshesh: prej njohjes me autoren gjatë takimeve të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Kritikëve Ndërkombëtarë në Prishtinë, prej njohjes me poezitë e para të saj (me temë botën shqiptare) dhe prej natyrës jashtëzakonisht humane të komunikimit të saj.

Le të thuhet prandaj që në hyrje të komunikimit me këtë vëllim poetik se përbërësit paradigmatikë të vlerësimit për poezinë e saj janë përbërës shumështresor, e kjo do të thotë përbërës historikë, të formuar nga ideja e pararendësve të saj anglezë: leksikografë, poetë, antropologë, piktorë etj., si Likut, Bajronit, Durhamit, Lirit etj; përbërës letrarë, të formësuar aq mirë me vlera artistike dhe estetike në poezinë e saj; si dhe prej përbërësve personalë, të formuar prej takimeve të shumta dhe botës së pasur humane të mendimeve së saj.

Vëllimi poetik Murmuritjet e hënës i shkrimtares Hélène Stafford, hapet me portretet e disa prej personaliteteve të shquara ndërkombëtarisht: Skënderbeut, Bajronit, Demaçit e Qosjes. Shquhet këtu në radhë të parë paradigma universale e mesazhit historik të miteve skënderbegiane në kontekstin përmabjtjesor dhe në imazhet parake të epokës sonë humaniste, pra të jetës dhe veprës së Skënderbeut nga shekujt e mesjetës dhe asocimeve aktuale që shfaq ai përmes përmendores së tij në shumë vende të botës:

Në Michigan ata kalojnë përpara tij,

Në Gjenevë, në këmbë para tij, e vështronjnë me ngulm;

Në Londër ata kujtojnë dhe ëndërrojnë; (Skënderbeu),

për të vazhduar me imazhet që sjell sot bota shpirtërore dhe letrare e Bajronit, qoftë në kontekstin hapësinor qoftë në kontekstin shpirtëror, si një prej figurave më brilante që ka trashëguar Europa e sotme:

Bajroni vazhdon të jetojë,

Thellësisë më të madhe dhe fare pranë shpirtit dhe zemrave tona.

Romanca nuk vdiq. (Shpirti i Bajronit)

Nëse në dy poezitë e para autorja reflekton në rrafshin historik dhe aktual, me dy personalitete historike, si Skënderbun dhe Bajronin, në dy poezitë e tjera për Demaçin dhe Qosjen përflakë nderimi e vlerësimi për jetën dhe veprën e tyre. Duke shkruar, në të vërtetë duke e nderuar me një poezi shkrimtarin, humanistin dhe sakrificën e pashembullt të botës shqiptare, autorja në poezinë e saj filimisht i referohet veprës së tij letrare, përkatësisht romanit të parë të tij Gjarprinjtë e gjakut:

Se malet dhe era

ushqen zjarrin

Në vizatime të reja,

Jo më në gjarpërinj të urrejtjes

Por në gjethe rrushi të brishta dhe të buta.

për të vazhduar me pamjen e personalitetit të tij, që më parë se pamje heroike është pamje njerëzore në tri rrafshe, tri kohë dhe tri situata;

I: Një burr qëndron atje. (në Burgun e Goli Otokut apo në Burgun e Stara Gradishtës)

II: Në duart e tij mbledh

kaluarën e kuqe skuqur (që në traditën shqiptare është ruajtur si një sakrificë mitike e humane e burrit a gruas që mbledh prushin me dorë)

III: Dhe ylberin e ardhshëm

një kombi. (Shpresën për lirinë dhe perspektivën e një populli, prej nga edhe vetë titulli paravajtës Në nder të Adem Demaçit: një njeri qëndron, atje.

Mbi këto parime do të mund të shkruhej një ese brilante edhe për poezinë kushtuar Profesor Qosjes. Poezia a poemthi është shkruar mbi disa përbërës letrarë dhe mitikë të romanit Vdekja më vjen prej syve të tillë, duke reflektuar më tej në trembëdhjetë situata të tragjikes, vuajtjes e trishtimit, Trembëdhjetë mënyra për të parë një mullizezë, që në botën shqiptare, me theks të veçantë në Kosovë, e cila po sikur në botën mitike hapërohet duke e shumëzuar vetveten vertikalisht e horizontalisht:

 “ajo shkon thellësisë, trembëdhjetë herë trembëdhjetë”

…….

Në horizontin e zbehtë

Kosovës.

….

Mbushura me rreziqe dhe me makthe të errëta.

Dhe kështu, trembëdhjetë mënyra të shkruash vuajtjen,

….

trembëdhjetë plagë në zemër të këngës së mullizezës.

Dhe fjalët në faqe vijnë nga libri i vjetër i Jobit.

(Në nderim të Rexhep Qosjes: Trembëdhjetë mënyra për të përshkruar vuajtjen)

Në këtë tekst poetik të Hélène Stafford fjala është për një lexim shumëdimensional të romanit të Qosjes, në kontekstin mitik, historik dhe letrar dhe për bartjen e mesazhit të tij nga njëra situatë në tjetrën, i cili edhe këtu bartet nga konteksti mitik në rrethana të reja politike dhe nga konteksti biblik në verbin e mundshëm artistik.

Në rrjedhë të leximit të poezive të tjera, e kjo do të thotë në rrjedhë të kërkimit të motiveve dhe situatave sa artistike aq edhe shpirtërore të studiueses dhe shkrimtares Hélène Stafford, ne lexojmë një listë poezishë mbi njerëzoren, personalen, humanen dhe përkime të tjera letrare të pranishme tashmë në letërsinë bashkëkohore të përbotshme. Duke lexuar poezitë, Biseda, Krahu i palosur, Vdekja e një dragoi, Luleborë, Shkenca e reve, Notre Dame e Mellieha nuk është vështirë të konceptojmë disa aspekte të zhvillimeve mjaft tragjike në kohën tone:

Shigjeta e një krahu bruz

Preu më dysh ditën.

dhe besimin në të nesërmen tonë:

Guxim të besosh

Se jeta është e mundur

Shpresa është e mundur

Pranvera është e mundur

Edhe kur dimri ende duket të mbretërojë (Luleborë)

Një pamje të re në ciklet e poezisë së saj studiuesja dhe shkrimtarja e letërsisë bashkëkohore angleze Hélène Stafford, ia dedikon Mesdheut të dekadave të fundit, ku po zhvillohet një betejë e madhe mes tragjikes dhe humanizmit të përmasave europiane.

Duke shkruar për antologjinë e poezisë së shkrimtarës franceze Nicole Barrière, Gratë në paralele, kishim theksuar veç tjerash se “nuk është e rastit që poezitë te ky vëllim janë më të pasura me temën e përditshme të dhembjes; me udhëtimet e saj ndër paralele e meridiane drejt botës së lirë a botës pa luftë; me pamjet e saj e të fëmijëve të saj për të fituar betejën e madhe të këtij udhëtimi tokësor, ujor e ajror; me sfondin e prapaskenës së saj mbushur me plot gërmadha etj. Dhe nuk është e rastit pse autorja shkruan tash jo një poezi, po një poemë dhembjeje për fatin e një të mbijetuareje, ndërsa vuajtjet e saj nuk janë më një britmë a një klithmë ndër luftëra, kryengritje e refuzime, po një heshtje shpirti që dridhet në dëborë, për të kulmuar me vargjet antologjike «lypsarë kryengritës të vdekjes (…) Kur vala në det të hapur do të ketë mbyllur sytë.

Po ky imazh dhe po ky konstatim mund të thuhej edhe për ciklin Udhëtimet mesdhetare të shkrimtares Hélène Stafford, prirjet krijuese të së cilës shumë herë nuk janë më dinamike dhe më shpërthyese, se ato të poetes Nicole Barrière, e megjithatë tragjikja nuk është më pak e pranishme. Mbase me të drejtë. Nëse Barriere vjen nga kultura dhe bota mesdhetare përgjithësisht, ku dimensioni i ndjenjës shpirtërore për gratë dhe fëmijët del më i afërt dhe më i thellë, në krijimtarinë e shkrimtares Stafford duket se vjen më e ftohtë dhe më e largët, por sakrificën njerëzore nuk e shquan më pak se Barriere.

Le të sjellim disa shembuj:   

  1. Humori i ndërlidhur me tragjiken, pamje e mundshme sa te Barriere aq edhe te Stafford:

Shkenca e reve.

Dituria e reve,

Midis hapësirës dhe makthit. (Shkenca e reve)

  1. Tragjikja e ndërlidhur me humorin, gati e pamundur në poezinë e Barriere po shumë e pranishme te Stafford:

Ajo është kaq e bukur

Pak e varur

Si për ta varur më mirë

Të mbyturish dhe anijesh

Të brishta nën murrlan të nëntorit (Notre Dame e Mellieha)

 

III. Bashkimi i tragjikes universale dhe ironisë si një përditshmëri harmonike:

Zogjtë ikën. Njëri vdiq dje mbi ballkonin tonë.

Horizonti, mund ta prek, është aq afër,

Dhe jetojmë në zemrën e një lule Hibiscus, – tha ai. (Bisedë)

Pra, sikur mund të shihet prej poezive të shkrimtares Nikole Barriere dhe shkrimtares Hélène Stafford, nëse në rastin e parë bashkohen përmasat e mëdha tragjike të ngjarjeve në Mesdhe, në rastin e dytë ato kur e kur marrin imazhe të përmasave të reja. Tek autorja e parë ne shohim identifikimin dhe përshtypjet autoriale, te autoriaja e dytë ne lexojmë jo vetëm identifikimin e tyre mesdhetar po edhe bartjen e temave paralele në hapësirën europiane:

 Mbështillu te këmbët e lisit,

Dhe ëndërro për Mitilenën,

Për gjirin e Haifës

Dhe malet e Shqipërisë. (Ajo që ecë)

E para nxit protestën njerëzore, ndërsa e dyta protestën poetike. E para, dëshmon prejardhjen zoliane ndërsa e dyta imazhet bajroniane. Si në imazhin e parë ashtu edhe në të dytin identifikohen referencat historike dhe shenjat aktuale të tragjedive njerëzore, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, si një nga simbolet universale të njerëzimit.

Të kësaj natyre, kur mitike a historike dhe kur artistike a simbolike janë edhe poezitë me temë, përmbajtje a referencë domethënëse paradigmatike Valltarja luftëtare, Ishuj në Mesdhe, Do të shkoj në Sirakuzë, Shtëpia e babait, Natë vere, Qepallat, Ajo që ec, Lotim i zakonshëm dhe Kaltërsitë, e cila përmbyll ciklin me një protestë mjaft ironike:

Jam një copë pa jetë, dru

Nuk kam blu  (Kaltërsitë)

Le të theksojmë në fund se kemi shumë shpresë se vëllimi me poezi të përzgjedhura për lexuesin në gjuhën shqipe Murmuritjet e hënës përfaqëson gjithashtu edhe tërësinë e mesazhit të veprës poetike të Hélène Stafford përgjithsisht, të vargut të saj, të ndjeshmërisë autoriale dhe shprehshmërisë artistike.

Prishtinë, më 22. 8. 2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin e sotëm saktësoi edhe…