Rrëfim personal

24 janar 2023 | 19:38

Shkruan: Hajdar Sutaj

Ishte fillim viti 1998 pak ditë pas sulmit mbi familjen Jashari në Prekaz të Drenicës, dhe pak ditë para 24 Marsit, fillimit të luftës frontale në Dukagjin (nuk më kujtohet data e saktë), në gjithë Kosovën ishte planifikuar mbajtja e DEMOSTRATAVE gjithë popullore, në çdo komunë, për të kundërshtuar dhunën e pushtuesve serb mbi shqiptarët!

Një protestë e tillë ishte organizuar edhe në Deçan! Në atë kohë qytetaret e çdo fshati bashkoheshin në mes të fshatit të tyre, niseshin këmbë, për t’u bashkuar  në rrugën kryesore me qytetaret e fshatrave të tjera, dhe kështu radhazi bashkoheshin për të arritur në qendër të Deçanit!

Isha fëmijë, si 11 vjeçar, në klasën e 5-të të shkollës fillore, dhe dola në rrugë, për të parë burrat e fshatit tim, Llukë e Epërme, deri sa përgatiteshin për t’ ju bashkangjitur turmës në protestë, visheshin rrobat më të trasha, sepse mendohej që policia serbe do të përdortë edhe shkopinjtë e dorës për t’i goditur, protestuesit veshnin pallto të lëkurës (kush kishte) sepse mendohej që policia serbe do t’i gjuante me uji për t’i shpërndarë, merreshin qepë me vete, sepse mendohej që policia serbe do të përdorte gazin lotsjellës për ta shpërndarë turmën, kështu që qepët do t’i përdoreshin për t’i mbajtur tek hunda dhe goja, për t’i mbrojtur nga thithja e gazit, por edhe për t’ua lehtësuar frymëmarrjen, dhe gjithsesi ishte frika se mund të goditen edhe me plumba, apo edhe plumbat qorr, që do të mund të merrnin jetën e ndokujt, madje i këshillonin familjarët (grat dhe fëmijët, të rrinin brenda shtëpisë) që t’i shmangeshin çdo lloj rreziku të mundshëm!

Tanimë turma e protestuesve  ishin bërë gati, kishin dal të gjithë, i madh e i vogël, dhe kishin ardhur të udhëkryqi i Llukës, aty po i prisnin të vinin edhe protestuesit që ishin nisur këmbë  nga Mazniku, Dashinoci, Lukbardhi, Lluka e Ulët, Pozhari, e fshatrat, dy Ratishet, Kodrali e Beleg, e fshatrat tjera, për t’u bërë bashkë dhe për të dalë në qendër të Deçanit ku edhe do të bashkoheshin protestuesit nga të gjitha fshatrat e tjera!

Aty baba im, Brahim Sadri Sutaj, tashmë i ndjerë, me pa, me thirri, dhe me bërtiti të shkoja në shtëpi, me arsyetimin se je i ri, e kur policia e përdor dhunën, gjatë levizjës së turmës, turma mund të të rrëzoj dhe të shtyp me këmbë! U bëra që po e dëgjoja, dhe u nisa drejt shtëpisë, e sapo babai  im, që e quanim Bacë ma kthej shpinën, u ndala afër një livadhi, afër kanalit, dhe u ulua e vështroja turmën teksa po nisej e bashkuar edhe me fshatrat e lartcekura!

Pasi që u nisen, vendosa të mos e respektoj urdhërim e babait tim, dhe ju bashkova masës. Kur u afruam në krye të kanalit, tek rruga kryesore e Deçanit (tani ku është rrethrrotullimi te Petrol Copany) ishte vendosur kordoni i policisë serbe, me tanke, me blinda, me makineri policore, polic të shumtë serb, me veshje me pancir, me armë ne dorë, kishin bllokuar rrugën që qytetaret e fshatrave të lartshënuar, të cilët tashme ishin bashkuar edhe me qytetarët e ardhur nga dy Strellcet, Lëbusha, Isniqi, Duboviku e Prapaqani, mos të arrinin të bashkoheshin në qendër, me qytetarët e fshatrave të krahut tjetër të komunës sonë, duke ju vendosur edhe atyre një kordon policorë tek Rruga e vjetër e qytetit, mbi Xhamin e Deçanit!

Aty ku tani ndodhet marketi VivaFresh, ka qenë objekti i një fabrike, kishte zëra që është e mbushur me polic, qe po qëndronin në gatishmëri për të ndërhyrë.

Eca anash turmës, bregut të skajshëm të kanalit, dhe u ngjita deri afër vjedhurazi, aty ishte atëherë një urë e ngushtë, mes kordonit të policisë dhe turmës qëndronte një njeri, nga kureshtja u afrova edhe pak ta shikoj, kishte një pallto rripi të veshur, një kapele në kokë, kishte mustaqe, dhe mbante në dorë një cigare të ndezur, i cili sa herë që e ngrehte, afrohej afër kordonit të policisë dhe ua gjuante tymin!

Dëgjova protestuesit që ia përmenden emrin, i thënë njeri – tjetrit shikojeni Ali Gecin, si trembet syri. Nga atëherë ky emër dhe kjo figurë me mbeti në mendje, si një burrë e patriot tipik shqiptarë!

Nuk kaloj shumë ditë dhe filloj lufta frontale e UÇK-së ne Dukagjin, me 24 mars 1998 nga familja emblematike e Haradinaj në Gllogjan.

Disa ditë me vonë e takova prapë Ali Gecin, tanimë në uniformen e UÇK-së, ishte me familjarin e tij Lan Gecin, kishin ardhur tek babai im për të diskutuar armatosjen e bashkëfshatarëve të mi, një nga ata ishte edhe Nazmi Malaj nga Gllogjani, (me disa tjerë që nuk me kujtohen) ishte emocion i veçantë t’i shikoja ushtrinë tonë çlirimtare, të shikoja emblemat e tyre, dhe të ua shikoja armët e tyre të vendosura në fund të odes, derisa i shërbeja me kafe.

Pas lufte e takova prapë Ali Gecin, tanimë në uniformen e TMK-së!

Sa herë e takoj, me kujtohet viti 1998-1999,  protestat dhe lufta çlirimtare e popullit tonë! Me kujtohet trimëria, atdhedashuria dhe patriotizmi i Ali Gecit, dhe shumë trimave të këtij vendi, që me guximin e tyre, luftën dhe sakrificën e tyre, na mundësuan të shijojmë lirinë, pavarësinë dhe shtetin e pavarur të Kosovës!

Tani thuajse 25 vite pas kësaj ngjarje, kënaqësi të jem me bacen Ali, në punë, në angazhime institucionale, e jeten e përditshme me shumë burra të këtij brezi!

Faleminderit baca Ali! Faleminderit gjithë atyre që luftuan dhe u sakrifikuan të jemi ky vend e ky shtet që jemi!

Lavdi popullit të Kosovës! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë të gjithë pajtohen se e para ishte fjala. Dhe,…