Rrëfime dhe dëshmi për masakrën e familjes Delijaj në Abri të Epërme

12 maj 2021 | 15:28

Afrim Hysenaj

MEMO-ja e regjistruar

Sipas kujtesës sime, këtu më poshtë po e përvijoj rrëfimin e asaj dite që, në fakt, është bërthama e shtjellimit të rrëfimit dhe trajtimit këtu. Tema bosht e këtij libri mbështetet në një syzhe të përmbledhur: Më 26 shtator 1998 forcat serbe bën një masakër në banorët e Lagjes Deliu në fshatin Abri e Epërme. Ushtria serbe dhe paramilitarët serbë vranë dhe masakruan brenda ditës 23 anëtarë, fëmijë, gra dhe burra pleq, të cilët ishin strehuar në malin afër lagjes së tyre.

Lajmin mbi masakrën e Deliajve e dhanë për opinionin publik protagonistët që arritën të parët në vendin e ngjarjes, ditën e hënë, më datën 28 shtator 1998, në orën 05:40. Në fakt, ndër të parët qenë kryefamiljarët e familjes Deliu, Imer Deliu me kushëririn e vet, Bashkim Deliu. Me ne ishte edhe veprimtari i KMDLNj-së për Komunën e Skenderajt, z. Murat Musliu. Murati bëri fotografimin një për një, të secilit të masakruar.

Unë e veçoj Imerin nga shokët dhe i propozoj që, po qe e mundur, t’i njoftonim mediat vendore dhe ato ndërkombëtare që t’i vizitonin të masakruarit në vendin e ngjarjes, pa i prekur. Imeri u pajtua. Kthehem te z. Murat Musliu që ndodhej në Lagjen Demaku të fshatit Terstenik dhe i kërkoj që mundësisht ta jepte kumtin për ngjarjen në Prishtinë. Ai menjëherë e pranoi propozimin tim dhe e vuri në funksion telefonin e vet celular.

Ora është diku rreth 14:30. Vjen dikush nga shokët dhe na njofton se në vendin ku ishin të masakruarit kanë arritur disa gazetarë ndërkombëtarë. Si duket, lajmi kishte marrë dhénë dhe kishte filluar të dëgjohej. Shohim se në vendin e ngjarjes kishin arritur vëzhgues diplomatikë ndërkombëtarë, që atyre ditëve ndodheshin në Prishtinë, po jo edhe gazetarë. Qenë vëzhgues diplomatikë amerikanë dhe anglezë. Me ta ishte edhe Fred Abrahams, udhëheqës i Organizatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut “Human Right Watch”. Ata bënë incizimin dhe fotografimin e të masakruarve me aparatet e tyre speciale, pa e fshehur tronditjen nga skena që kishin përpara. Nga sytë e tyre rridhnin lotët. Pastaj e lanë fshatin nën krismat e granatave të ushtrisë serbe, të cilat binin shumë afër vendit ku ishin të masakruarit. Kthehen në Prishtinë dhe i njoftojnë mediat vendore dhe ndërkombëtare për masakrën e Abrisë. Një nga ta madje shprehet se “deri nesër në orën dymbëdhjetë të gjitha fotografitë do të futen në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington”.

Të nesërmen shumë gazetarë ndërkombëtarë ia mësyjnë fshatit Abri e Epërme, për në vendin e ngjarjes ku ushtria dhe policia serbe kishin lënë gjurmët e tyre. Lajmi u përhap gjithandej dhe pikëlloi Kosovën dhe tronditi botën…[1].

Nga e majta në të djathtë: Imer Deliu, Murat Musliu dhe Afrim Hysenaj

Tre personat e parë që dhanë kumtin e parë mbi masakrën qenë: Imer Deliu, Murat Musliu dhe Afrim Hysenaj. Po ashtu, janë edhe dy vëzhguesit diplomatikë, njëri amerikan, tjetri anglez, si edhe Fred Abrahams.

 TOPIKA DHE KRONIKA E NGJARJES

Abria e Epërme shtrihet rreth 11 km në Perëndim të Gllogocit (tani Drenasit). Është ndër fshatrat me territorin më të madh në Drenicë dhe gjendet në trekëndëshin e pikëtakimit të tri komunave: Klinë, Skenderaj dhe Drenas. Abria e Epërme është vendbanim kodrinor, i tipit të shpërndarë, dhe i ndarë në lagjet Demaku, Xhemajli, Hysenaj, Deliu, Muliqi, Hajdaraj, Hasanaj, Demaj, Asllanaj, Sylkaj dhe Kurti. Që herët fshati Abri është ndarë në dy pjesë, në Abrinë e Epërme dhe të Ulët dhe bashkon territoret e komunave që tërësisht i takojnë rajonit të Drenicës, të Drenasit e të Skenderajt. Këtu do të përqendrohemi vetëm në territorin e Abrisë së Epërme, që i përket Drenasit, pavarësisht prej faktit se të dyja qenë pjesë të një të tëre. Kur zihet ngoje emri i Abrisë, kudo në Kosovë, por edhe gjetiu, menjëherë kujtohet plaku i mençur dhe i urtë, Xhemajl Abria. Xhemajli dhe fama e tij ishte e njohur gjithandej dhe nuk teprohet kur thuhet: “Gjeniu i popullit”. “Prej bariut, blegtorit dhe bujkut, pothuajse anonim, falë mençurisë së lindur, arriti të bëhej një njohës i shkëlqyer i filozofisë, historisë dhe gjeografisë shqiptare, madje deri në atë masë sa cilësohet me epitetin, ‘Gjeniu i popullit’”.[2]

Me urtësinë dhe mençurinë e vet la gjurmë të thella nëpër kullat e odat shqiptare, atëherë kur kullat ishin shkolla, ishin gjykatore. Me një fjalë, atëherë kur ato ishin institucione ku peshohej burrëria, mençuria popullore. Drejtësia e tyre në log burrash ishte më e fortë se ligjet e pushtuesve dhe të pushteteve antipopullore në trevat tona.

Sipas shënimeve statistikore që dalin nga libri i dr. Jusuf Osmanit, “Vendbanimet e Kosovës – Drenica”, “në vitin 1913 Abria e Epërme kishte 550 banorë; në vitin 1921 kishte 70 shtëpi me 443 banorë; në vitin 1936 – 84 shtëpi; në vitin 1948 – 102 shtëpi me 832 banorë; në vitin 1953 – 119 shtëpi me 900 banorë; në vitin 1961 – 123 me 987 banorë; në vitin 1971 – 123 shtëpi me 1 208 banorë; në vitin 1981 – 115 shtëpi me 1 531 banorë; në vitin 1998-’99 fshati kishte 391 shtëpi me 2 450 banorë”.[3]

Ndërkaq, sipas shënimeve të Kuvendit Komunal, “ky vendbanim kishte 391 shtëpi (215 familje) me 2 450 banorë. Gjatë luftës janë shkatërruar 370 shtëpi (160 shtëpi të kategorisë III-IV dhe 210 shtëpi të kategorisë V) si dhe janë shkatërruar: shkolla me tërë dokumentacionin dhe ambulanca. Gjatë luftës në Kosovë, nëntor 1997-qershor 1999, në Abri të Epërme ranë në altarin e lirisë 14 dëshmorë, ndërsa forcat kriminale serbe vranë dhe masakruan 61 shqiptarë civilë (prej moshës 6 javëshe e deri në 94-vjeçar), 81 të plagosur. Vetëm më 26 shtator 1998 u vranë e masakruan mizorisht 23 anëtarë të familjes Deliu. Me infrastrukturë të shkatërruar tërësisht”.[4]

Në bazë të të dhënave nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Dega Drenas, në periudhën “mars 1998 – qershor 1999 në Abri të Epërme ranë në altarin e lirisë 14 dëshmorë”[5].

Nr Emri dhe mbiemri Fshati Datëlindja-datërënia Vendi i rënies
1. Vesel Mursel Demaku Abri e Epërme 12.10.1947 -26.09.1998 Abri
2. Valdet Salih Xhemajli Abri e Epërme 19.10.1976- 26.09.1998 Abri
3. Afrim Fazli Hajdaraj Abri e Epërme 14.09.1975- 26.09.1998 Abri
4. Bekim Xhemajl Hysenaj Abri e Epërme 08.03.1974- 21.03.1999 Qendresë
5. Xhevat Haxhi Demaku Abri e Epërme 22.11.1974 -07.04.1999 Abri
6. Bedri Musli Demaku Abri e Epërme 16.06.1976-07.04.1999 Abri
7. Azem Miftar Hajdaraj Abri e Epërme 09.07.1973 – 08.04.1999 Abri
8. Musli Nebih Demaku Abri e Epërme 13.08.1947 -17.05.1999 Abri
9. Driton Musli Demaku Abri e Epërme 03.05.1982 -17.05.1999 Abri
10. Fejzullah Brahim Hajdaraj Abri e Epërme 08.03.1980- 23.05.1999 Abri
11. Fehmi Nazif Demiqi Abri e Epërme 22.12.1972- 24.05.1999 Bjeshkë Beleg
12. Bekim Beqir Delijaj Abri e Epërme 25.07.1976-01.03.1998 Abri
13. Ajet Bardhec Demaku Abri e Epërme 07.11.1970- 18.06.1999 Abri
14. Sejfullah Jetullah Mulliqi Abri e Epërme 26.11.1981-19.08.1998 Abri

 

Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Abri e Epërme

Lista e të vrarëve civilë nga fshati Abri e Epërme në luftën e fundit. “Regjistri i të vrarëve dhe të masakruarve gjatë viteve 01.01.1998-20.06.1999 sipas Kuvendit Komunal të Drenasit”.[6]

 Mahmut Beqë Xhemajlaj (1927). Vrarë më 23 shtator 1998 në Kazhicë

  1. Lumnije Shaban Xhemajlaj (1983). Vrarë më 15 maj 1999 në Baicë (Qëndresë)
  2. Sefer Rr. Xhemajlaj (1917). Vrarë më 28 mars 1999 në Abri
  3. Sela Sefedin Xhemajli (1997). Vdekur më 28 prill 1999 në Abri
  4. Bilall Brahim Demaku (1910). Vrarë më 26 shtator 1998 në Abri
  5. Behram Asllan Demaku (1959). Vrarë më 25 maj 1999 në Tërstenik
  6. Haxhi Milazim Demaku (1932). Vrarë më 9 shtator 1999 në Abri
  7. Haxhi Hazir Demaku (1977). Vrarë më 30 prill 1999 në Çikatovë të Vjetër
  8. Feriz Ibush Demaku (1936). Vrarë më 11 shkurt 1999 në Abri.
  9. Nazmi Dush Demaku (1954). Vdekur më 28 maj 1999 në Çikatovë të Vjetër
  10. Rrustem Murtez Hysenaj (1925) i masakruar më 26 shtator 1998 në Abri
  11. Driton Nasuf Hysenaj (1981) i është prerë koka më 27 shtator 1998 në Likoc
  12. Shefqet Rrahim Hysenaj (1967) i vrarë më 30 prill 1999 në Vërboc
  13. Shyqri Zukë Hysenaj (1953) i paralizuar, vrarë më 10. 10. 1998 në Abri
  14. Zymer Adem Hysenaj (1941) i arrestuar, më 27. 9. 1998. U gjet i vdekur pas luftës në Prishtinë
  15. Nazif Sherif Hysenaj (1928). Vrarë më 17. 4. 1999 në Krajkovë
  16. Feriz Hysen Muliqi (1974). Vrarë më 30 mars 1999 në Polac
  17. Ramiz Hysen Muliqi (1978).  Vrarë më 30 mars 1999 në Polac
  18. Sabit Jakup Muliqi (1979). Vrarë më 30 mars 1999 në Polac
  19. Behram Jakup Muliqi (1983). Vrarë më 30 mars 1999 në Polac
  20. Musa Asllan Muliqi (1983). Vrarë më 30 mars 1999 në Polac
  21. Aziz Zeqir Muliqi (1950). Vrarë më 30 mars 1999 në Polac
  22. Gani Aziz Muliqi (1984). Vrarë më 30 mars 1999 në Polac
  23. Abaz Aziz Muliqi (1986). Vrarë më 30 mars 1999 në Polac
  24. Bekim Miftar Muliqi (1976). Vrarë më 17 maj 1999 në Sankoc
  25. Rexhep Muharrem Kurtaj (1938). Vrarë më 28 mars 1999 në Abri
  26. Veton Rexhë Kurtaj (1967). Vrarë më 28 mars 1999 në Abri
  27. Sherif Rexhë Kurtaj (1972). Vrarë më 28 mars 1999 në Abri
  28. Faton Rexhë Kurtaj (1982). Vrarë më 28 mars 1999 në Abri
  29. Ajete Tahir Kurtaj (1924). Vrarë më 17 prill 1999 në Abri
  30. Vasile Durmish Kurtaj (1935), u gjet e vdekur më 19 maj 1999 në Abri
  31. Isë Hasan Kurtaj (1944). Vrarë më 19 maj 1999 në Abri
  32. Hysa S. Strumcaku (1920). Vdiq më 17 maj 1999 në Abri
  33. Hysa Xhemajl Strumcaku (1919). Vdiq më 17 maj 1999 në Abri
  34. Hajzer Hamëz Hajdaraj. Vrarë më 23 shtator 1998 në Verboc
  35. Xhevdet Isa Demiqi (1957), me të meta psikike. Vrarë më 26 shtator 1998 në Abri.

Në këtë listë nuk janë përfshirë të vrarët dhe të masakruarit e Lagjes Deliu, ngaqë ata janë trajtuar këtu në një nënkapitull të veçantë.

Fshati Abri e Epërme, si rëndom fshatrat tanë, shquhet për mikpritje, mençuri, atdhetarizëm, trimëri, humanizëm dhe solidaritet. Këto virtyte janë mbjellë dhe janë përcjellë ndër breza vazhdimisht gjatë historisë. Në hartën gjeografike të Kosovës ky fshat zë vend mu në qendër të saj. Falë burrave të mendjes, të penës e të pushkës, ky fshat ka bërë emër në historinë tonë, po sidomos në luftën e fundit, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, doli në pah me gjithë madhështinë e tij. Në tri luftërat e fundit që në kujtesën e më të moshuarve të fshatit përmenden, si Lufta e Azem Bejtës, në Luftën e Parë Botërore dhe pas saj, kundër Serbisë; Lufta e Shaban Polluzhës, në të përfunduar të Luftës së Dytë Botërore, kundër partizano-çetnikëve serbë, si dhe lufta e fundit, kjo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ashtu kundër pushtuesit serb. Banorët e Abrisë çdoherë kanë ditur ta gjejnë rrugën më të drejtë të luftës për liri. Ata përherë e kishin pushkën në supe në mbrojtje të atdheut. Në rrafshin e trimërisë, të burrërisë, të besës e të mençurisë, ky fshat mund të krenohet me djemtë dhe vajzat që i lindi dhe i rriti në gjirin e vet. Të gjithë së bashku emrin e këtij fshati e kanë madhëruar në faqet e historisë sonë kombëtare. Historia e fshatit ka një galeri të mbushur me veprimtarë që e nderuan atë.

Nuk mund të na shpëtojë pa përmendur edhe një fakt. Pas Luftës së Dytë Botërore, mes viteve 1949-1952, shkollat e para shqipe u hapën nëpër kullat – oda të fshatit. Njëra prej tyre u hap në odën e Haxhë Halilit, në Lagjen e Hysenajve. Pikërisht në këtë odë Abria e Epërme e pati fat ta kishte njërin nga mësuesit e parë, Shaban Murat Jasharin e Prekazit të Skenderajt. Në luftën e fundit 1998/1999 Abrisë së Epërme iu vranë katër mësues të Shkollës Fillore “Shotë Galica”: Daut Halilaj, Habib Deliu, Vesel Demaku dhe Haradin Rama. Abria e Epërme në luftën e fundit ishte një nga vatrat nismëtare të saj, ngaqë Ushtria Çlirimtare e Kosovës me celulat e para do të shfaqej me uniformë, armë dhe pa maska, pikërisht në malet e saj. Postblloku i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ngrihej më 4 mars të vitit 1998, në hyrjen e rrugës malore që kalon nga Drenasi për në këtë fshat.

Me fillimin e luftës, në mars të vitit 1998, në odën e Haxhi Zeqir Demakut qe vendosur Shtabi i Parë Lokal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty janë pritur e përcjellë figurat më të shquara të UÇK-së. Në vjeshtën e vitit 1998, në Lagjen e Hasanajve të Abrisë, në shtëpinë e Isuf Hasanajt ishte me vendqëndrim edhe komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sylejman Selimi – “Sulltani”. Po ashtu, në Abri të Epërme, në Lagjen e Hysenajve II, në shtëpinë e Jahë Nuradin Hysenajt, vendoset Shtabi i Brigadës 111 “Adem Jashari” dhe formohet poligoni ushtarak i kësaj brigade, në vendin e quajtur “Lugu i Kroit”. Kjo brigadë udhëhiqej nga komandanti Jahir Haxhi Demaku dhe ishte brigada më elite e UÇK-së.

(Në ditët e ardhshme, rrëfime dhe dëshmi të tjera për masakrën e familjes Delijaj në Abri të Epërme)

 

[1] Ato ditë kisha shkruar një Memo në notes (shënim imi, Afrim Hysenaj)

[2] https://sq.wikipedia.org/wiki/Xhemail_Abria

[3] Dr. Jusuf Osmani “Vendbanimet e Kosovës – Drenica, fq.190, Prishtinë 2008

[4] http://drenicapress.info/masakra-ne-abri-te-drenasit-krim-pa-ndeshkuar/

[5] Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Dega – Drenas

[6] Regjistri i Kuvendit Komunal Drenas

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkalla e katastrofës që ka shkaktuar pandemia e COVID-19 mund…