Rrëfimi për njeriun që të fliste me zemër

27 gusht 2021 | 12:26

Blerim Rrecaj

Tashmë jemi mësuar me befasitë jo të rralla që na sjell poeti Xhevdet Bajraj. Befasia më e re vije me librin më të ri të tij “Burri që lozte me engjëj” dalë në dritë nga Shtëpia Botuese “Armagedoni” këtë fundgusht, derisa poet Xhevdeti është duke kaluar pushimet në atdhe.  Gjatë një ndeje që patëm me të në Rahovec, na tha dhe nja dy-tri fjalë për librin e tij më të ri, që atë ia kushton axhës së tij, një njeriu me shpirt të madh e të pastër, një njeriu që e çmoi dhe e deshi jetën duke i shërbyer asaj me aq pasion e dashuri, me aq sinqeritet e çiltërsi duke lënë aq gjurmë e aq shenja për të cilat e kujtojnë të tjerët e më së miri poeti duke gdhendur mjeshtërisht portretin e tij poetik, të cilin e shohim derisa shfletojmë e lexojmë librin, që mund të lexohet edhe si poezi, edhe si poemë, si tregim, novelë, roman.

Në libër mund të na shfaqen  tablo pikturash që ngjallin larushi ndjenjash ose ta shohim atë si një film me një frymë nga fillimi në fund. Sido që të duam, na befason magjia e vargjeve dhe poezive, dhe paraqitja e jetës kronologjike e njeriut që lindi pa mundësinë e të folurit, e si fëmijë duke ndjerë vetminë, për të marrë më herët rrugën për në shtrat që kur e zinte gjumi fillonte lojën me engjëjt.

Një lojë vështirë e kuptueshme për të tjerët. E kur u rrit pa harruar të luante herë pas here lojën e tij, filloi të punonte arat, të priste e të shiste dru për ta mbajtur familjen, për t’u dhuruar tjerëve dhurata, fruta që mblidhte në mal, të zgjaste duart për të ndihmuar të tjerët, si rasti i  fëmijës që e zënë rrota e qerres së qeve. Dhe ky njeri zemërbardhë na është edhe vëzhgues i vëmendshëm, duke qenë me mendje, me shpirt e me zemër në anën e të drejtës e të bukurës, e kritik e mosdurues aty ku sheh rrahagjokësi e mburrje, e marrje dekoratash e meritash pa të drejtë. Njeri që përjeton paraluftën, luftën e pasluftën duke u folur njerëzve me duar e me heshtje, me sy e me gjuhë zemre.

Një njeri që valët e jetës herë e hedhin në mërzi, dëshpërim e zhgënjim por pa mundur t’i rrëmbejnë dinjitetin, pa mundur t’ia përlyejnë shpirtin e t’ia marrin lumturinë, sepse e di se asgjë s’është më e rëndësishme se kur shpërndan rreze shprese e gëzimi për të tjerët, duke qenë vetë shembull krenarie në këtë botë,  në këtë jetë. Për të gjitha këto dhe për shumë ngjarje, episode,dromca, ndodhi, çaste dhe shumë të tjera flet poeti Xhevdet Bajraj, për burrin që e njohu mirë me sytë e zemrën e fëmijës, dhe atij që u rrit pa harruar e hequr dorë nga fëmijëria, sikur do të na thotë ky është axha im, e tashmë mbase nuk është vetëm i imi, një burrë që vazhdon të loz me engjëj…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka…