Rrëmbimi i Euridikës, apo arratisje drejt kozmosit të ndjenjave

22 shkurt 2018 | 15:47

Këndvështrim / (Bilall Maliqi “Rrëmbimi Euridikës”(poezi) sh.b. “Lena” Prishtinë, 2018, faqe 117)

Agron SHELE

Duke lexuar vëllimin më të ri poetik “Rrëmbimi Euridikës” të autorit Bilall Maliqi, një vëllim me lirika, kupton se përbrenda gjithë këtij opusi kemi një prurje estetike, e cila i thur lajmotiv ndjenjës më sublime e të sinqertë njerëzore, vetë dashurisë.

Që në fillim autori qendërzon këtë vlerë shpirtërore si ornament dhe ndjenjë e përtejshpirtshme, ku përmes vargjeve e ngre atë në shkallën më të lartë sipërore, gati hyjnore, dhe e gjithë kjo si frymë e shprehi e atij pathosi të madh që ndjek jetën deri në të fundit amshim.

Përmes figuracionit të pasur, simbolikës së përdorur, harmonizimit shpirtëror me atë natyror përftohen forma dhe kuptime të thella sentimentale, grishëse dhe kumbuese për vetë zhanrin poetik të përcjellë.

Në mbarë këtë vëllim ndeshim të gjitha stinët, pranverën e lulëzuar por dhe vjeshtën e përmalluar, zjarrin e prushëzuar të verës, por dhe bardhësinë akullnajore të dimrit dhe e ndërthurur me elementet mitologjike, e cila diku ringre nga valëzimi det një Venerë e diku tjetër përhumb e vdes një Euridikë bëhet dhe më tërheqës për lexuesin, si prurje, gjetje e beftë dhe risi e sjellë.

Autori Maliqi ka kohë që është shfaqur në artin poetik dhe është publikuar në shumë revista e antologji të ndryshme, sprovë kjo që lidhet me pjekurinë e lartë dhe profesionalizmin, shkallë vitaliteti që e konsolidon dhe më tepër përmes veprës së tij më të fundit. Kjo përvojë krijon hapësirën e duhur për të operuar në larminë jetë, për të strukturuar një vepër të mirëfilltë, për të ndjekur një bosht të mirëpërcaktuar dhe për të hedhur ide të qarta në formë dhe përmbajtje.
Në sinkron të plotë me përmbajtjen dhe vetëdijen e plotësuar modelohet zhanri i përzgjedhur, si formë apriori dhe hapësirë e pafundme, konkretisht lirizmi poetik, si ngjyrim, muzë, mesazh dhe elokuencë.

Leximi i poezive kalon nëpër shkallë krahasimi dhe shtrirje kohore, simbolikë e ardhur përmes Eratos (Muzë e poezisë erotike), Afërditës (perëndesha e dashurisë), Polimnia ( Një nga nëntë muzat e shenjta), nimfave të ndryshme, etj., dhe e gjithë kjo për të mitizuar ndjenjën dhe ngritur atë në poltronët më të larta të qiellit.

“Nga pullazi i kohës
Rrëshqasin stinët
Kohët veshin
E zhveshin lëkurat”

Në vetëm pak vargje shfaqet një hapësirë kaq e madhe kohore, e cila zbret e ndërron stinët, vesh e zhvesh lëkurët pemë, gjithmonë në përsiatje, pa ndalim, përherë magjishëm e më me madhështi.
Kështu është dhe dashuria, një ndjenjë që përshkon të gjitha ngjyrat, të gjitha gjendjet, të gjithë akuartitetin tingull, zjarr dhe akull, kolor dhe hijezim që trondit kujtesën, dëshirë e fshehtë dhe pasion.

Në të tjera poezi autori ruan të njëjtën frymë përshkruese, të njëjtin ritëm, një sensualitet që varion varg pas vargu dhe himnizon dashurinë, si vlerë e lartë shpirtërore dhe kuptim i thellë i gjithë perceptimit të ndjesive.

Leximi i këtij vëllimi poetik mbart gjurmë të thella në memorie, të shëtit në fanfarën e një bote që përthyhet muzave për të rrezatuar shkëlqimin dhe tejpashmërinë e gjithë atij mediativiteti lirik, të cilin autori Bilall Maliqi e sjell plot dritë, finesë, lakonizëm dhe metafrazë të gjithë kuptimeve dhe vazhdimit të vetë risisë jetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Genc Hamiti vazhdon të jetë lider në listën e golashënuesve…