Rreziku i brendshëm: kur pushteti flet para drejtësisë

07 korrik 2025 | 13:26
Shkruan Hisen Berisha:

Rreziku i brendshëm: kur pushteti flet para drejtësisë

(Rasti i kërcënimit ndaj Kuvendit dhe rrjedha e dyshimtë e trajtimit institucional)

Deklarata e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se kërcënimi i bërë përmes mesazhit në telefonin e një zyrtareje të Kuvendit të Kosovës, vjen nga një numër i regjistruar në Serbi, që i përket shtetasit Lazar Zivkoviq dhe lidhet me profilin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, ka hapur më shumë pyetje sesa që ka dhënë përgjigje.

Për të tretën herë radhazi – pas rasteve “Banja ‘23” dhe “Kanali” i Ibrit – opinioni publik mëson për skenarë të rrezikshëm përmes deklaratave të ministrit në detyrë, e jo nga strukturat e hetimit penal apo institucionet e drejtësisë. Kjo ngrit dyshime serioze nëse kemi të bëjmë me informim institucional apo sinjalizim të vetë kryesve të veprës.

Përse deklaron ministri para prokurorisë?

Kjo është një pyetje që shtrohet gjithnjë e më shpesh në qarqet profesionale.

Në një shtet ligjor, informatat e ndjeshme të hetimeve nuk komunikohen nga zyrtarët politikë, aq më pak nga figura që mund të kenë konflikt interesi me institucionet e drejtësisë. Deklarata të tilla jo vetëm që mund të dëmtojnë hetimet, por potencialisht edhe t’i paralajmërojnë autorët që të fshehin gjurmët.

Në vend se prokuroria të dalë me të dhëna zyrtare, në mënyrë të çuditshme, ministri në detyrë po vepron si zëdhënës i skenarëve kriminalë të supozuar, shpesh duke përmendur emra konkretë – para se të sqarohen apo të sigurohen provat që mbështesin ndonjë veprim penal apo procedurë ligjore.

Si u sigurua numri i asistentes së kryetarit të Kuvendit?

Pse pikërisht ajo u mesazhus për  kërcënimin – dhe jo ndonjë tjetër? Kjo është një tjetër pikë që ngrit dilema serioze. Përbën shqetësim thelbësor mënyra sesi një person në Serbi, i lidhur me struktura të sigurisë apo kriminale, arrin të sigurojë kontaktin personal të një asistenteje të afërt të ish-kryetarit të Kuvendit – apo deputetit të betuar z. Glauk Konjufca.

A është cenuar baza e të dhënave shtetërore?

Apo këto të dhëna po shpërndahen në mënyrë të pakontrolluar nga vetë zyrtarë të pushtetit?

Dekonspirimi i hetimeve – rast pas rasti – duhet të jetë pistë hetimi në vete.

Për të përforcuar këtë dyshim për dekonspirim të hetimeve, mjafton të rikujtojmë një rast tjetër. Së fundmi, u bastis shtëpia e një politikani serb ku u gjet arsenal armësh, ndërkohë që deklarata zyrtare thoshte: “kishim informacione të mëhershme”. Pyetjet janë legjitime:

– Pse nuk u arrestua personi para se të largohej në Serbi?

– A u tolerua me vetëdije largimi i tij?

– Pse nuk u ndalua në kufi, nëse ishte nën mbikëqyrje operative?

Këto ngjarje ngrenë një dyshim themelor: kush po e kontrollon narrativën zyrtare dhe a po dëmtohen qëllimisht hetimet?

Pista e parë që kërkon hetim inteligjent është vetë ministri Sveçla – tash në detyrë.

Modeli i njëjtë i dekonspirimit dhe dëmtimit të hetimeve është përsëritur që nga rasti i “Banjës ‘23”, te akti terrorist i minimit të “Kanalit”, dhe tani me kërcënimin e fundit për vendosje eksplozivi në institucionet qendrore të shtetit: Qeveria përmes zyrtarëve të saj del e para me informacione të klasifikuara, shpall autorët dhe lidhjet me Serbinë, por nuk i lë vend prokurorisë dhe gjykatës për ta kryer punën ligjore.

Në asnjë prej rasteve të lartpërmendura nuk është dhënë një version zyrtar nga organet kompetente të drejtësisë. As këtë herë nuk u mjaftuan me konstatimin e Prokurorit të Themelores – por sërish doli në skenë ministri në detyrë, në rolin e tij të zakonshëm si zëdhënës politik.

A është ky manipulim politik i rrezikshëm me sigurinë kombëtare?

Apo një përgatitje për skenarë të montuar në funksion të projeksioneve zgjedhore?

Në rastin “Kanali” u përmend përfshirja e FBI-së – a është ky një model që duhet ndjekur edhe tani?

E kaluara nuk harrohet lehtë!

Për ironi, vetë rrethi i afërt politik që sot qëndron në majat e institucioneve, për një dekadë ka përdorur mjete dhe metoda të dhunshme – shpesh me karakter të qartë terrorist – kundër Policisë dhe institucioneve të Kosovës, në emër të “rezistencës politike”.

Kjo histori nuk mund të fshihet kur analizohen burimet, motivet dhe qëllimet e mundshme të incidenteve të dyshimta të sigurisë.

A është rreziku i brendshëm më afër se ai që vjen nga jashtë?

A po përsëriten skemat e “luftëtarëve të zjarrit” – si vazhdimësi e revolucionit me “shamitë e kuqe”?

Çfarë duhet bërë tani?

Rasti aktual, dhe sidomos ai i “Banjës ‘23”, kërkojnë trajtim serioz institucional, larg spektaklit politik dhe retorikës alarmiste.

Nga një vlerësim profesional i situatës së sigurisë dhe luftës kundër krimit me burim nga Serbia, kërkohet që:

– Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje, si dhe Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, që sapo të konstituohen, të thërrasin dëgjime publike me të gjitha institucionet përkatëse;

– Prokuroria Speciale, ndërkohë, të fillojë hetime të pavarura, përfshirë edhe mënyrën si janë dekonspiruar informacionet dhe si është penguar rrjedha normale e hetimeve;

– Kryeministri dhe ministri Sveçla, të mbahen politikisht dhe ligjërisht përgjegjës për çdo ndërhyrje që ka dëmtuar hetimet apo ka alarmuar opinionin në mënyrë të papërgjegjshme.

Një shtet funksional nuk ndërton sigurinë përmes konferencave për media, por përmes institucioneve të pavarura, të fuqizuara dhe transparente.

Përndryshe, vetë pushteti rrezikon të shndërrohet në sinjalizuesin më të zëshëm të destabilizimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Trepça u tregua shumë aktive në orët e fundit,…