RREZIQET PAS VETTINGUT PA STANDARDET EURO-ATLANTIKE

28 tetor 15:24

Shkruan: Hajdin Abazi

“Trinia” e pushtetit aktual Kryeministri-Presidentja-Kryeparlamentari, ndonjë prej tyre zhurmshëm e ndonjë pa bërë zë veçse këmbëngulës për të imponuar agjendën e vettingut, sipas objektivave të tyre politike. Ministrja e Drejtësisë, pas mbledhjes së qeverisë më 13 tetor, ku u miratua koncept-dokumenti për vettingun në drejtësi, deklaroi se procesi do të nisë të zbatohet në vitin e ardhshëm.

Nuk besoj se ka ndonjë qytetar të ndershëm të Kosovës që nuk donë vettingun në drejtësi, madje jo vetëm në drejtësi, por parasegjithash ndaj të gjitha instancave të qeverisë së  Republikës e të atyre komunale, por edhe të politikës, të biznesit, arsimit etj. Sepse janë publikuar jo pak herë raste abuzimi, nepotizmi, korrupsioni e inkriminimi, dhe sistemi në përgjithësi, ka nevojë të pastrohet nga individë të tillë, të cilët e dëmtojnë shtetin dhe qytetarin.

Duke qenë një proces tepër i rëndësishëm dhe që përcakton të ardhmen e drejtësisë, zakonisht shfaqen dy probleme tepër serioze: vettingu të bëhet sipas ligjit dhe që ai të mos jetë abuziv, me qëllim që drejtësia njëmend të pësojë katarsis.

Instrumentalizimi i vettingut, që unë e shoh se ka rrezik real të ndodhë, do të ketë konsekuenca, në njërën anë, për demokracinë dhe, në anën tjetër, për Kosovën në raport me BE-në sidomos por edhe me SHBA-të.

Rrezikohet tjetërsimi i demokracisë sonë të brishtë

Abuzimi me vettingun në drejtësi do të ketë për pasojë tjetërsimin e demokracisë, ku pushtetet do të jenë të ndara vetëm në aparencë por jo edhe në substancë.

“Trini”, nga ardhja në pushtet pas 14 shkurtit, ka dëshmuar se nuk njeh drejtësinë e paanshme por vetëm drejtësinë e tyre. “Drejtësia e tyre” është e ngjyrosur me etje për kapje të hapur të shtetit, për urrejtje partiake, hakmarrje ndaj oponentëve, dhe për të shantazhuar të tjerët.

Një “trini” e tillë ligjin e zbaton në mënyrë selektive, qysh nuk është tipike për asnjë qeveri që udhëhiqet me të vërtetë nga parimet e demokracisë.

Për ta treguar këtë mjafton të paraqiten disa fakte në mënyrë telegrafike (vetëm për më pak se një vit në pushtet). Ish-kryetarja e KQZ V. Daka u ndëshkua pse zbatoi ligjin (vendimin e Gjykatës Kushtetuese) dhe u shkarkua në mënyrë të paligjshme e kundërkushtetuese. U shkarkua edhe drejtori i policisë së Kosovës R. Qalaj. Shkarkime në masë të ambasadorëve, disa prej të cilëve të pabazuara në ligj veç duke e keqpërdorë diskrecionin. Shumë shkarkime bordesh janë bërë në emër të gjoja luftimit të korrupsionit (pa u dëshmuar) e në fakt duket se janë bërë për t’u hapur vende pune njerëzve të “trinisë”. Në emër të luftimit të nepotizmit, vendosin familjarë e farefis të tyre, duke i arsyetuar si “të shkolluar” dhe “ekspertë”! Po dalin fakte edhe për “blerje” deputetësh nga subjekti politik i “trinisë”. Janë paralajmëruar edhe publikime skandalesh të tjera.

Mjafton të shihen debatet, fjala vjen, në KQZ, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në Komisionet e ndryshme Parlamentare dhe të kuptohet se sa intolerantë janë ndaj mendimeve ndryshe njerëzit e “trinisë” së pushtetit. Ata dhe vetëm ata kanë të drejtë, ata dhe askush tjetër. Madje, ata kanë të drejtë edhe kur janë në kundërshtim me ligjin!

Edhe me drejtësinë e njëjta gjë. Drejtësi është vetëm po qe se ajo vepron sikurse duan “trinia” pushtetare, ndryshe ajo mund të jetë gjithçka tjetër, por jo drejtësi!

Po qe se veprimet e deritashme janë tregues të saktë, do të dalë se vettingu, duke pasur target drejtësinë, synohet të instrumentalizohet me qëllim që të vendosen gjyqtarë e prokurorë të “trinisë”, për të cilët “drejtësia” do të ishte vullnetit politik i “trinisë”.

Vazhdimi i vettingut a lá “trinia” është rrezik i drejtpërdrejtë për tjetërsimin e demokracisë në Kosovë, e cila edhe ashtu është mjaft e brishtë.

Dëmtohet procesi i integrimeve euro-atlantike

Duke qenë se Kosova është e përcaktuar për plotësimin e kushteve për të ecur drejt integrimeve euro-atlantike, mënyra se si do të realizohet vettingu mund t’i sjellë përfitime ose të nxjerrë pengesa të reja, shtesë në proces.

Ato që u thanë kësaj here në Raportin për Kosovën janë kritike.

Në atë Raport shprehet shqetësim për mënyrën e qeverisë së Kosovës për ta bërë vettingun, si një “rivlerësim i plotë i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”. Veprimet e tilla janë  “një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues”.

Për të shmangur kompromitimin e vettingut, në Raportin për Kosovën është sugjeruar që procesi “do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”.

Këtij qëndrimi europian i reagoi Presidentja e Kosovës. Në fakt, ajo iu kundërvu Brukselit, duke i refuzuar rekomandimet e Raportit. Për më tepër, pohoi se Kosova do të vazhdojë me procesin e vettingut ashtu sikurse e ka projektuar “trinia” e Kosovës.

Madje, Presidentja shkoi edhe më larg, duke ua atribuuar disa zyrtarëve të BE, thua se hartuesit e Raportit për Kosovën veprojnë krye më vete e jo si qëndrim strategjik për të evidentuar mangësitë, dhe për të udhëzuar se si ato të korrektohen.

Një kundërvënie e tillë nuk duhej të bëhej fare ashtu sikurse u bë. Për më tepër, nëse gjithsesi duhej, atëherë kjo ishte punë e Kryeministrit ose e Minsitres së Drejtësisë. Duke dalë në rolin e zëdhënëses së Qeverisë, Presidentja tregoi se “trinia” është në të njëjtat frekuenca dhe në unison për vettingun, edhe nëse ai është pa inkorporimin e “standardeve… dhe këshillave…”, e që mund të dëmtojë procesin e integrimeve euro-atlantike.

Përvoja jonë, e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë

Nuk është se vettingu, si koncept dhe si ndërmarrje, shfaqet për herë të parë, as në Kosovë e as në regjion.

Kosova ka kaluar një herë vettingun në drejtësi, gjatë viteve 2008-2010. Procesi u udhëhoq nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, në të cilin ishin përfshirë  anëtarë ndërkombëtarë nga Gjermania, Italia, Franca dhe nga SHBA. Çka mund të mësohet nga kjo? Përfshirja e ekspertëve të vendeve të partneritetit strategjik të Kosovës, është garancë që procesi të shkojë sa më mirë të jetë e mundur.

Mund të merret parasysh edhe përvoja e Maqedonisë së Veriut. Zoran Zaev, kur i fitoi zgjedhjet parlamentare dhe u bë kryeministër, kishte në programin elektoral vettingun. Por nuk mundi ta shtyjë këtë agjendë përpara. Arsyeja? Përfillja e rekomandimeve të BE-së, një prej shqetësimeve konkrete të BE-së në vitin 2019 ishte se Maqedonia e Veriut nuk kishte kuadro të mjaftueshme për t’i hyrë vettingut të të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve njëherësh. Po ashtu, edhe se BE-ja ishte duke pritur rezultatet e zhvillimeve në Shqipëri. Maqedonia e Veriut përfitoi nga përfillja e rekomandimeve të BE-së dhe ajo ka ecur përpara në procesin e integrimeve.

Edhe nga Shqipëria ka se çka të mësohet. Atje, që në shtator 2017, u nis vettingu për gjykatës e prokurorë. Ishin bërë konsultime midis palëve politike në vend dhe faktorëve ndërkombëtar, që të sigurohej zbatimi i procesit sipas ligjit. Por nuk vajti mbarë. Sepse pushtetarët gjenin mënyra perfide për të ndikuar procesin, i cili thuajse u kompromitua. Vetëm kur u bë përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA, nisën të shënohen ca rezultate. Ndonëse edhe sot e kësaj dite po shfaqen aty-këtu defekte, ndonjë person me të dhëna të padeklaruara, përsëri duket se procesi po shënon ca arritje.

Që të ketë vetting dhe jo përndjekje

Vetë fakti se Presidentja i doli kundër sugjerimit që vettingu të jetë “në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, lë të nënkuptohet se ato do të ishin pengesë për “vettingun” a lá “trinia”.

Sepse, po të ishte objektivi kryesor procesi transparent dhe ligjor – do të duhej të ishin mirëpritur.

Nga këndvështrimi i demokracisë, drejtësisë dhe i qytetarëve – ato janë vlera të dëshmuara.

Edhe nga aspekti i perspektivës për integrimet euro-atlantike të Kosovës – ato janë krejtësisht në të mirë të së ardhmes së vendit.

Asgjë armiqësore nuk kishte në një sugjerim të tillë.

Përkundrazi.

Prandaj, që procesi i vettingut të mos instrumentalizohet, “trinia” e pushtetit në Kosovë duhet:

– të rishqyrtojë qëndrimin e vet dhe të heq dorë nga kundërvënia BE-së,

– të përfillë sugjerimet e Raportit të Progresit,

– të kooperojë ngusht me BE-në dhe SHBA-të për të inkorporuar ‘standardet… dhe këshillat…” e sugjeruara.

Si garancë që procesi do të shkojë sipas ligjit dhe të mos ndodhë instrumentalizimi, në mekanizmin kosovar që do të zbatojë vettingun të ketë ekspertë nga SHBA, Britania, Gjermania, Italia e Brukseli me të drejtë vendimarrjeje.

Përveç se procesi do të ishte aq real sa mund të jetë, përfshirja e standardeve të sugjeruara dhe të ekspertëve të vendeve të partneritetit strategjik të Kosovës, do të rriste kredibilitetin dhe besueshmërinë si në Kosovë ashtu edhe në BE dhe vendet e tjera demokratike.

Ndryshe, vettingu do të tjetërsohet, stërkeqet, instrumentalizohet, abuzohet dhe do të kthehet në një proces përndjekjeje, shantazhi e presioni ndaj oponentëve, mbështetësve të tyre dhe atyre që mendojnë ndryshe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti bashkë me Ministrin…